“Turizmi, motor sezonal për shitjet, katër sfidat me të cilat përballet retail”

0

Prononcim i “Big Market”

Turizmi ka shërbyer si një motor sezonal për rritjen e shitjeve në industrinë e tregtisë me pakicë, i përqendruar kryesisht gjatë muajve të pikut.

Nga ana tjetër, lëvizjet e brendshme kanë orientuar zhvendosjen e investimeve në zona me urbanzimin më të lartë.

Përfaqësues të “Big Market”, në një prononcim për “Monitor”, thanë se aktualisht, tregu i shitjes me pakicë ofron hapësirë për operatorët që janë të qëndrueshëm dhe të orientuar nga cilësia dhe mund të përballen me sfidat që hasen sot.

 

“Big Market” është një nga operatorët e industrisë retail në Shqipëri. Sa njësi ka në total dhe ku është i përqendruar aktiviteti më dinamik?

Aktualisht, operojmë me 175 njësi, duke krijuar një rrjet fizik që mbulon zonat më strategjike të vendit. Prania jonë është më e theksuar në qytetet urbane me zhvillim të shpejtë si Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra dhe qytetet turistike bregdetare.

Aktiviteti më dinamik vihet re në zonat me fluks të lartë turistik, ku jo vetëm që ruhet kapaciteti, por edhe rritet ndjeshëm oferta dhe stafi për të përmbushur kërkesën në rritje.

 

Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballet industria juaj aktualisht?

Industria retail, edhe pse është një nga sektorët më vitalë të ekonomisë, përballet me sfida të shumta që kërkojnë përshtatje të vazhdueshme dhe kapacitete menaxheriale të larta. Disa nga sfidat kryesore përfshijnë:

*Rritja e kostove operacionale dhe inflacioni i vazhdueshëm, që ndikojnë drejtpërdrejt si te furnitorët, ashtu edhe te çmimet për konsumatorët.

* Kërkesat në rritje të konsumatorëve për cilësi, produkte të shëndetshme dhe të certifikuara, që kërkojnë investime të vazhdueshme në auditim, kontroll cilësie dhe standarde ndërkombëtare.

* Konkurrenca në rritje dhe hyrja e aktorëve të rinj, që shpesh vijnë pa një strategji të qartë afatgjatë.

* Sfida globale në zinxhirët e furnizimit, që ne i adresojmë me partneritete të qëndrueshme, strategji të diversifikuara dhe rrjet të fuqishëm logjistik.

 

 

Si kanë ndikuar në planin tuaj të biznesit faktorë si turizmi, emigracioni dhe lëvizjet migratore brenda vendit?

Turizmi është një faktor kyç dhe motor shtytës për rritjen sezonale të shitjeve tona. Me strategji të qarta dhe të strukturuara për sezonin turistik, ne investojmë në rritje të stokut, stafit dhe gamës së produkteve në zonat bregdetare dhe atraksionet turistike.

Ndërkohë, emigracioni dhe urbanizimi kanë ndikuar në zhvendosje të kërkesës drejt qyteteve të mëdha, duke na orientuar në zgjerimin e rrjetit në zona urbane si Tirana, Durrësi, Fieri dhe Elbasani. Ne ndjekim tendencat demografike në kohë reale, duke marrë vendime të drejtuara nga të dhënat (data-driven).

 

Kohëve të fundit janë shfaqur dinamika të reja në treg, si hyrja e aktorëve të rinj apo proceset e shitblerjes. A mendoni se Shqipëria ka hapësirë për kaq shumë aktorë? Si e shihni panoramën aktuale dhe ecurinë në vazhdim të kësaj industrie?

Tregu shqiptar ka hapësirë, por vetëm për ata që janë të përgatitur, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt cilësisë. Rritja e numrit të operatorëve është e natyrshme, por nuk mjafton të kesh vetëm prani – duhet të kesh përvojë, standarde, besnikëri të konsumatorëve dhe kapacitet menaxhues.

 

 

A kanë ndikuar zhvillimet post-pandemike, gjeopolitike apo klimatike në zinxhirët e furnizimit? Nëse po, si e keni përballuar këtë ndikim?

Po, zinxhirët e furnizimit janë ndikuar ndjeshëm nga faktorë të jashtëm si pandemia, krizat gjeopolitike dhe çrregullimet klimatike. Por ne kemi treguar rezistencë dhe fleksibilitet të jashtëzakonshëm.

Për të garantuar vazhdimësi dhe stabilitet, kemi:

* Forcuar marrëdhëniet me furnitorët dhe krijuar kontrata të qëndrueshme afatgjata;

* Diversifikuar burimet e furnizimit nga tregje të ndryshme ndërkombëtare;

 

Breza të ndryshëm kanë preferenca të ndryshme për blerje. A vini re diferenca mes brezit Gen Z/Alpha dhe si po përshtateni me to?

Absolutisht. Brezi i ri është shumë më kërkues, shumë më i vetëdijshëm dhe shumë më dixhital. Gen Z dhe Alpha kërkojnë:

* Produkte të shëndetshme dhe ekologjike;

* Origjinë transparente të produkteve;

* Përvoja të personalizuara dhe ndërvepruese;

* Qasje të lehtë përmes rrjeteve sociale.

Ne jemi duke zbatuar disa nisma:

* Zgjerim të platformës online dhe aplikacioneve për blerje dixhitale;

* Zhvillim të ofertave për produkte bio, vegane, gluten-free dhe të certifikuara ndërkombëtarisht;

* Marketing të zgjuar dhe “gamification” për të angazhuar konsumatorët në mënyrë kreative.

Ne po ndërtojmë supermarketin e së ardhmes – sot.

 

Cilat janë planet tuaja për investime dhe zgjerim gjatë këtij viti? Ku përqendrohet fokusi kryesor?

Plani ynë për këtë vit është ambicioz dhe gjithëpërfshirës:

* Zgjerim i rrjetit me njësi të reja në qytete me rritje të lartë të popullsisë dhe potencial ekonomik, si dhe në zona të reja urbane që po zhvillohen shpejt;

* Investime të mëdha në teknologji, për të modernizuar pikat e shitjes, menaxhimin e stokut dhe përvojën e klientit;

* Zgjerim i linjës së produkteve me markën tonë private, duke ofruar cilësi të lartë me çmim të arsyeshëm – një kombinim që konsumatorët e vlerësojnë gjithnjë e më shumë;

* Rritje e kapaciteteve logjistike dhe optimizim i shpërndarjes, për të garantuar efikasitet dhe shpejtësi në çdo cep të Shqipërisë.

Big Market nuk po rritet vetëm në numra – po rritet në ndikim, cilësi dhe përvojë të konsumatorit. Dhe kjo është ajo që na bën të pathyeshëm në këtë treg.

 

 

Lexoni edhe:

Supermarketet në “luftë” me njëri- tjetrin dhe të vegjlit

The post “Turizmi, motor sezonal për shitjet, katër sfidat me të cilat përballet retail” appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

four + 13 =