Trump thotë se nuk ka ‘ndërmend’ të shkarkojë kreun e Rezervës Federale, rriten aksionet dhe dollari

0

Donald Trump tha se “nuk ka ndërmend” të shkarkojë kryetarin e Rezervës Federale të SHBA-së, Jay Powell, duke rritur aksionet globale dhe dollarin.

Presidenti ka kundërshtuar vazhdimisht refuzimin e kryetarit të Fed për të ulur normat e interesit dhe javën e kaluar u shpreh se mund ta shkarkonte Powell-in përpara se mandati i tij si kreu i bankës qendrore të përfundojë në maj 2026.

Trump përsëriti ankesat se Fed duhej të ulte kostot e huamarrjes por shtoi: “Nuk dua të flas për këtë sepse nuk kam ndërmend ta shkarkoj”.

Kontratat e së ardhmes për S&P 500 dhe Nasdaq u rritën gjatë tregtimit aziatik të mërkurën. Indeksi i dollarit fitoi 0.3 %, duke zgjatur rimëkëmbjen pasi arriti të hënën në nivelin më të ulët në tre vjet.

Obligacionet amerikane u rritën, me yield-et e thesarit 10-vjeçar që ranë me 0.06 pikë përqindje në 4.34 %, ndërsa ato të thesarit 30-vjeçar ranë me 0.08 pikë përqindje në 4.79 %.

Topix i Japonisë u rrit 1.7 %, Hang Seng i Hong Kongut 2.4 % dhe standardi i Tajvanit 4.3 %.

Investitorët thanë se kthesa e dukshme e presidentit ndaj Powell-it dëshmoi se kishte të paktën disa anëtarë të rrethit të tij të brendshëm, që pranuan se tregjet vlerësojnë pavarësinë e institucioneve kryesore të Amerikës.

Dec Mullarkey, drejtor menaxhues në menaxherin e fondit SLC Management tha “Kjo duket si dora e sekretarit të Thesarit Scott Bessent”.

“Është e qartë se njerëz të tjerë kanë biseduar me Trump dhe kanë shpjeguar se shkarkimi i Powell do të kishte shkaktuar paqëndrueshmëri të madhe. Bessent pranon se integriteti i tregjeve duhet të ruhet.”

Powell ka thënë vazhdimisht se ai do të shërbente mandatin e tij të plotë si kryetar i Fed dhe besonte se shkarkimi i tij i parakohshëm nuk do të lejohej sipas ligjit amerikan.

Tregjet financiare u përfshinë në një shitje të madhe aksionesh ditën e hënë, pasi Trump sulmoi Powell në një postim në Truth Social, me dollarin që ra në nivelin më të ulët të tre viteve kundrejt një shporte valutash dhe indeksin S&P 500 që ra 2.4 %.

Aksionet amerikane dhe dollari në masë të madhe rikuperuan humbjet gjatë tregtimit të rregullt të martën, pasi Bessent tha se lufta tregtare me Kinën ishte “e papërshtatshme”. Trump tha gjithashtu se do të arrinte një marrëveshje me Kinën – diçka që ai e ka thënë vazhdimisht – dhe se tarifat do të “uleshin ndjeshëm”.

Fed ka qenë në një kurs përplasjeje me Trump menjëherë pasi ai mori detyrën, por sulmet nga Shtëpia e Bardhë janë intensifikuar, që kur presidenti nisi “tarifat e tij reciproke” më 2 prill.

Përcaktuesit e normave, përfshirë Powell, e kanë bërë të qartë se do të shtyjnë çdo ulje të normës së interesit derisa të jenë të sigurt se politikat tregtare të Trump nuk do të çojnë në një rritje të vazhdueshme të inflacionit.

Kryetari i Fed dhe kolegët e tij kanë bërë gjithashtu të qartë shqetësimet se tarifat e Trump rrisin perspektivën për rritje më të vogël ekonomike dhe çmime më të larta, duke dobësuar një ekonomi që zyrtarët më parë thanë se ishte në gjendje të mirë.

Trump foli për Truth Social duke thënë se largimi i Powell “nuk mund të vinte aq shpejt”, pasi kryetari i Fed konfirmoi më parë se banka qendrore nuk do të vinte në shpëtimin e tregjeve të aksioneve dhe të ulte normat, për të kundërshtuar frikën se tarifat do ta çonin ekonominë amerikane në recesion. / FT

The post Trump thotë se nuk ka ‘ndërmend’ të shkarkojë kreun e Rezervës Federale, rriten aksionet dhe dollari appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

9 + five =