Shtëpia e Bardhë zgjat afatin për tarifat “reciproke” nga 9 korriku në 1 gusht
Donald Trump ka ripërtërirë kërcënimin e tij për të goditur partnerët kryesorë tregtarë me tarifa të larta “reciproke” edhe pse u dha një afat tre-javor vendeve për të negociuar marrëveshje tregtare me SHBA-në.
Presidenti u dërgoi njoftime Japonisë dhe Koresë së Jugut, dy nga homologët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së, duke thënë se vendi do të vendoste taksa 25% duke filluar nga 1 gushti. Afrika e Jugut do të goditej me tarifa 30%, tha Trump, ndërsa njoftoi gjithashtu taksa të mëdha për 11 vende të tjera.
Tarifat ishin afërsisht të barabarta me ato që Trump shpalli gjatë njoftimit të “ditës së çlirimit” më 2 prill, gjë që shkaktoi trazira të rënda në tregjet financiare globale.
Tarifat reciproke, të cilat prekën dhjetëra vende, u pezulluan deri më 9 korrik, duke stabilizuar tregjet. Por që atëherë Shtëpia e Bardhë ka arritur vetëm tre pakte tregtare, me Mbretërinë e Bashkuar, Kinën dhe Vietnamin. Trump la derën hapur për marrëveshje të mëtejshme, duke thënë se njoftimet ishin “pak a shumë oferta përfundimtare”.
“Do të thoja përfundimtare. Por nëse ata telefonojnë me një ofertë të ndryshme, dhe nëse më pëlqen, ne do ta bëjmë. Do të thoja e sigurt, por jo 100 për qind e sigurt. Nëse ata telefonojnë dhe thonë se do të donin të bënin diçka në një mënyrë tjetër, ne do të jemi të hapur për këtë.”
Shtetet e Bashkuara ishin afër arritjes së një marrëveshjeje tregtare me Indinë, shtoi presidenti.
Shtëpia e Bardhë lëshoi një urdhër ekzekutiv të hënën, ku thuhej se tarifat reciproke do të hynin në fuqi menjëherë pas mesnatës së 1 gushtit. Presidenti mori vendimin “bazuar në informacione dhe rekomandime shtesë nga zyrtarë të lartë, duke përfshirë informacionin mbi statusin e diskutimeve me partnerët tregtarë”, thuhej në urdhër.
Indeksi S&P 500 u mbyll të hënën me 0.8 për qind rënie, por tregjet aziatike nuk u shqetësuan nga kërcënimet tarifore të Trump. Indeksi Topix i Japonisë u rrit me 0.1% dhe Kospi i Koresë së Jugut u rrit me 1.4%. Indeksi i dollarit amerikan u dobësua me 0.2%.
Në dy njoftime pothuajse identike të postuara në platformën e tij Truth Social, Trump tha se deficitet tregtare të mallrave të SHBA-së me vendet e synuara, të cilat përfshinin Indonezinë, Malajzinë dhe Tajlandën, ishin një “kërcënim i madh për ekonominë tonë dhe në fakt për Sigurinë tonë Kombëtare”.
Në letrat, drejtuar Shigeru Ishiba, kryeministrit të Japonisë, dhe Lee Jae-myung, presidentit të Koresë së Jugut, Trump shtoi se nëse ndonjë vend do të rriste tarifat e tij në shenjë hakmarrjeje “atëherë, pavarësisht sa do t’i rrisni ato, do t’i shtohet 25% që ne do të tarifojmë”.
Por ai tha se nëse vendet hapin tregjet e tyre “ne ndoshta do të shqyrtojmë një rregullim. Këto tarifa mund të modifikohen, duke u shtuar apo ulur, në varësi të marrëdhënies sonë me vendin tuaj”.
SHBA-të tashmë ka zbatuar një sërë tarifash sektoriale për importet nga të gjitha vendet, duke përfshirë një tarifë 25% për makinat dhe pjesët e makinave dhe një tarifë 50% për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit.
Një zyrtar amerikan konfirmoi se mallrat që tashmë i nënshtroheshin tarifave sektoriale, siç janë automjetet dhe metalet, nuk do të prekeshin nga normat e reja të përcaktuara nga Trump.
Uashingtoni gjithashtu ka bërë hetime për sigurinë kombëtare, që mund të çojnë në tarifa për një sërë mallrash dhe industrish të tjera, duke përfshirë hapësirën ajrore, farmaceutikën, drurin, bakrin, çipat dhe produket elektronike.
Trump ka përshkallëzuar retorikën e tij kundër Tokios në javët e fundit, duke veçuar partnerin kryesor tregtar për refuzimin e blerjes nga Japonia e më shumë orizi amerikan.
Tokio ka kërkuar një përjashtim të plotë nga tarifat 25% të automjeteve të Trump. Në Tokio, Kryeministri i Japonisë Shigeru Ishiba tha se tarifat e kërcënuara në letër ishin “vërtet për të ardhur keq”.
Negociatori tregtar i Japonisë, Ryosei Akazawa, foli me sekretarin e tregtisë të SHBA-së, Howard Lutnick, për 40 minuta të martën, dhe të dy ranë dakord për negociata të mëtejshme, sipas një zyrtari japonez.
Ndërkohë, bisedimet tregtare të SHBA-së me Korenë e Jugut u vonuan nga trazirat politike në Seul pas shkarkimit të ish-presidentit Yoon Suk Yeol.
Ministria e Industrisë e Koresë së Jugut tha se “ne do të ecim përpara me negociatat për të prodhuar rezultate të dobishme reciprokisht në kohën që ka mbetur”.
Gjithashtu, Bashkimi Europian pritet të nënshkruajë një marrëveshje të përkohshme tregtare me SHBA-në këtë javë, që do të mbajë tarifat në 10% ndërsa bisedimet vazhdojnë, u tha komisioneri i tregtisë Maroš Šefčovič shteteve anëtare të hënën.
Të dyja palët po punonin për planet për të ulur tarifën 25% për automjetet, por nuk kishte asnjë garanci se taksat për çelikun do të uleshin nga niveli 50%. / FT
The post Trump ripërsërit kërcënimin për të goditur partnerët tregtarë me tarifa të larta appeared first on Revista Monitor.








