Presidenti i SHBA-së, Donald Trump nisi një vizitë zyrtare në shtetet e pasura të Gjirit, duke filluar me Arabinë Saudite, me fokusin në sigurimin e triliona dollarëve në investime dhe jo në çështjet e sigurisë, duke filluar nga lufta në Gaza deri te programi bërthamor i Iranit.
Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, i njohur edhe si MbS, e priti në presidentin amerikan në aeroport pas mbërritjes së tij në Riadh, i shoqëruar nga një sërë udhëheqësish biznesi, përfshirë miliarderin Elon Musk.
Trump do të vazhdojë udhëtimin duke vizituar Katarin të mërkurën dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe të enjten. Por ai nuk ka planifikuar një ndalesë në Izrael.
Trump shpreson të sigurojë triliona dollarë investime nga prodhuesit e naftës së Gjirit. Arabia Saudite kishte premtuar 600 miliardë dollarë, por Trump ka thënë se dëshiron 1 trilion dollarë nga mbretëria, një nga partnerët më të rëndësishëm strategjikë të Uashingtonit.
MbS është përqendruar në diversifikimin e ekonomisë së mbretërisë në një program të madh reformash të quajtur Vision 2030, që përfshin projekte “Giga” të tilla si NEOM, një qytet futuristik me madhësinë e Belgjikës.
Mbretëria është detyruar të zvogëlojë disa nga ambiciet e saj, ndërsa rritja e kostove dhe rënia e çmimeve të naftës kanë ndikuar negativisht.
Lidhje të forta bazuar në naftë dhe sigurinë
Arabia Saudite dhe SHBA-të kanë mbajtur lidhje të forta për dekada të tëra, bazuar në një marrëveshje të palëkundur, sipas së cilës mbretëria furnizon naftë dhe superfuqia ofron siguri.
Trump ka thënë gjithashtu se mund të udhëtojë të enjten në Turqi për bisedime të mundshme midis Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskiy mbi luftën e Rusisë në Ukrainë.
Ky është udhëtimi i dytë jashtë vendit i Trump, që nga rikthimi në presidencë në janar – i pari ishte në Romë për funeralin e Papa Françeskut, vjen në një kohë tensionesh gjeopolitike.
Përveç presionit për një zgjidhje në Ukrainë, administrata e tij po nxit një mekanizëm të ri ndihme për Gazën pas 19 muajsh lufte dhe po i kërkon kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të bjerë dakord për një marrëveshje të re armëpushimi.
Gjatë fundjavës, negociatorët amerikanë dhe iranianë do të takohen në Oman, për të diskutuar një marrëveshje të mundshme për të frenuar programin bërthamor të Teheranit. Trump ka kërcënuar me veprime ushtarake kundër Iranit nëse diplomacia dështon.
Gazeta iraniane Nournews citoi shefin e shtabit të forcave të armatosura, Mohammad Bagheri, të ketë thënë të martën se fqinjët e Iranit duhet të ruajnë neutralitetin dhe se çdo agresion kundër Iranit do të çojë në hakmarrje.
Trump pritet t’i ofrojë Arabisë Saudite një paketë armësh me vlerë më shumë se 100 miliardë dollarë. Kjo mund të përfshijë një gamë të gjerë armësh të përparuara. / Reuters
The post Trump fillon vizitën zyrtare në Gjirin Persik, fokusi në marrëveshjet ekonomike appeared first on Revista Monitor.









