“Tregu i taksive drejt dixhitalizimit dhe automjeteve elektrike dhe hibride”

0

Intervistë me Dashnor Memaj, Kryetari i Shoqatës së Transportit

 

Në një qytet si Tirana, ku infrastruktura e transportit publik mbetet ende sfiduese për shumë banorë dhe vizitorë, tregu i taksive zë një vend thelbësor në jetën urbane.

Dashnor Memaj, kryetari i Shoqatës së Transportit, thotë se rritja e përdorimit të aplikacioneve për thirrjen e taksive dhe hyrja e operatorëve më të organizuar në treg ka sjellë një standard më të lartë shërbimi për qytetarët.

Ai thotë për “Monitor” se Shqipëria ka ende një potencial të madh për zhvillim në këtë sektor.

 

Si e vlerësoni zhvillimin e tregut të taksive në Shqipëri në vitet e fundit?

Gjatë viteve të fundit, tregu i taksive në Shqipëri ka pësuar  transformim të ndjeshëm.

Nga një shërbim tradicional i kufizuar në zona urbane, ai po orientohet gjithnjë e më shumë drejt dixhitalizimit dhe profesionalizimit.

Rritja e përdorimit të aplikacioneve për thirrjen e taksive dhe hyrja e operatorëve më të organizuar në treg ka sjellë një standard më të lartë shërbimi për qytetarët.

Megjithatë, ka ende  mungesë uniformiteti në cilësinë dhe strukturën e shërbimit midis operatorëve dhe kujtojmë se pjesa më e madhe e taksive janë individë taksi pa qenë të strukturuar në kompani të mëdha dhe kjo e vështirëson kryerjen e shërbimit në kohë dhe me standard të mirë.

Një taksist individ “del në punë dhe ikën nga puna sipas kohës së tij, jo sipas nevojës së punës së paracaktuar”, ndërsa pjesa e kompanive është më e organizuar.

 

Cilat janë tendencat më të fundit që po ndikojnë në sektor?

Tendencat kryesore përfshijnë dixhitalizimin e shërbimeve përmes aplikacioneve mobile, rritjen e kërkesës për automjete elektrike apo hibride, si dhe presionin për një shërbim më të sigurt dhe të rregulluar.

Gjithashtu, ka një orientim drejt integrimit të shërbimit të taksive me platformat e transportit publik dhe rritje të bashkëpunimit me sektorin turistik, veçanërisht në sezonin veror.

Pandemia dhe pasojat e saj ndikuan negativisht përkohësisht, por rikuperimi ka qenë i qëndrueshëm në dy vitet e fundit.

 

A ka Shqipëria hapësirë për rritje në këtë sektor dhe cilat janë pengesat kryesore?

Shqipëria ka ende potencial të madh për zhvillim në këtë sektor.

Rritja e urbanizimit, zgjerimi i turizmit dhe kërkesa për shërbime më cilësore krijojnë një terren të favorshëm për rritje.

Pengesat kryesore janë mungesa e një rregullimi të qartë dhe të unifikuar në nivel kombëtar, informaliteti, infrastruktura e dobët në disa qytete dhe mungesa e stimujve për investime në automjete të gjelbra.

Një tjetër sfidë është edhe mungesa e politikave të mirëkordinuara mes bashkive si pushtet vendor dhe institucioneve qendrore si qeveria.

 

A ekziston një konkurrencë e pandershme në treg dhe si ndikon ajo?

Konkurrenca e pandershme, si në shumë sektorë, edhe këtu mbetet një problem i madh.

Operimi i mjeteve pa licencë e me shoferë të pakualifikuar, mungesa e kontrollit të rregullt nga autoritetet dhe evazioni fiskal krijojnë një mjedis të pabarabartë për operatorët e rregullt.

Kjo jo vetëm që dëmton konkurrencën e ndershme, por ndikon negativisht edhe në cilësinë e shërbimit dhe besimin e konsumatorëve.

Për këtë arsye, nevojitet një mbikëqyrje më rigoroze dhe reforma ligjore që të garantojnë barazi në treg, koordinim dhe angazhim të përbashkët me operatorët, institucionet dhe specialistët e fushës.

 

Si e parashikoni të ardhmen e këtij sektori në 5–10 vitet e ardhshme?

Nëse ndërmerren politikat e duhura, sektori i taksive në Shqipëri ka potencial të kthehet në një element të rëndësishëm të transportit urban dhe turistik me çmime të favorshme dhe me kompani të integruara në një platformë të vetme, siç është në vendet e tjera të zhvilluara – po marrim rastin e Uber-it.

Presim që teknologjia të luajë  rol edhe më të madh – me integrim të shërbimeve nëpërmjet aplikacioneve të përbashkëta, përdorim të të dhënave për optimizimin e flotës dhe rritjen e transparencës.

Gjithashtu, pritet që automjetet elektrike të zënë një përqindje më të madhe të flotës, sidomos në qytete si Tirana.

Me standardizim, mbështetje institucionale dhe luftë efektive kundër informalitetit, ky sektor mund të rrisë kontributin e tij në ekonomi dhe në përmirësimin e jetës urbane.

Duke pasur parasysh se aktualisht transporti është i organizuar me autobusë, taksi dhe makina me qira, për turistët nuk ka aktualisht alternativa të tjera për të lëvizur nga një vend në tjetrin, nga një destinacion në tjetrin – edhe në pikat turistike.

 

Lexoni edhe:

Tirana, ndër qytetet me numrin më të lartë të taksive në Europë në raport me popullsisë

Transporti publik me Google Maps, çorientues

 

The post “Tregu i taksive drejt dixhitalizimit dhe automjeteve elektrike dhe hibride” appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

1 × five =