Tregtia ndër-rajonale në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor filloi si Plani Shumëvjeçar i Veprimit për Zonën Ekonomike WB6 që udhëheqësit e vendeve miratuan në Samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur në Trieste më 12 korrik 2017.
Më pas, Tregu i Përbashkët Rajonal u konkretizua me planin e parë të veprimit 2021-2024, më 10 nëntor 2020, në Sofje.
Zbatimi i tij mbeti në sferën e përgjegjësisë së institucioneve publike në secilin nga vendet e Ballkanit. Sekretariatet e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe CEFTA shërbejnë si organizata kryesore rajonale për të lehtësuar zbatimin e tij.
Plani mbi tregun përbashkët nisi në kushte të pafavorshme të pandemisë globale COVID 19. Megjithatë, zbatimi i tij gjatë gati 4 viteve të fundit ka dhënë rezultate të rëndësishme, duke ndikuar në jetën e qytetarëve të BB6.
Gjatë katër viteve të fundit, tregtia e mallrave dhe shërbimeve në Rajon u rrit me 19% sipas të dhënave nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Tregtia ndër-rajonale e mallrave thuajse është dyfishuar në 5 vjet.
Volumet e roaming u rritën me 500% që nga hyrja në fuqi e heqjes së tarifave në korrik të 2021. Gjithashtu ka rënie të ndjeshme të çmimeve të roaming-ut ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që nga tetori 2023.
Bizneset kanë kursyer 20 vjet pritje në radhë në vitin 2023, për shkak të reduktimit të kohës nga funksionimi i Korsive të Gjelbra në pikat e kalimit kufitar brenda rajonit.
Gjithashtu u vendosën dhe funksionuan Korsitë e Gjelbra dhe ndërmjet rajonit dhe BE-së duke lehtësuar më tej tregtinë mes Rajonit dhe BE-së.
Gati 1200 kompani të reja morën pjesë në tregtinë ndër-rajonale në tre vitet e fundit.
Plani lehtësoi mobilitetin e fuqisë punëtore dhe adresoi dinamikat në zhvillim të tregut të punës dhe ndryshimet demografike me kualifikimet e arsimit të lartë dhe shtatë profesione të njohura reciprokisht.

Burimi: INSTAT
2023-2028, skeda si do të forcohet bashkëpunimi
Në fund të vitit të kaluar, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (KRB) miratoi “Planin e Veprimit 2025-2028” (CRM 2.0) që synon të forcojë integrimin ekonomik rajonal në Bashkësinë e Ballkanit Perëndimor dhe të afrojë gjashtë vendet me Tregun e Përbashkët të BE-së.
Ky plan bazohet në rregullat dhe standardet e BE-së, duke synuar rritjen afatgjatë ekonomike, përmirësimin e konkurrencës, zhvillimin e bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjen e tranzicionit drejt një ekonomie të gjelbër dhe dixhitale.
Plani Rajonal (CRM 2.0) ka për qëllim të shërbejë si një katalizator për integrimin ekonomik midis shteteve anëtare të Ballkanit Perëndimor, duke u bazuar në rregullat e Tregut të Përbashkët të BE-së.
Plani kontribuon në përshpejtimin e reformave strukturore dhe harmonizimin e politikave me standardet europiane, duke qenë një hap drejt integrimit më të ngushtë me BE-në. Plani gjithashtu synon të rrisë tregtinë ndërmjet vendeve të rajonit, të rrisë produktivitetin e ndërmarrjeve dhe të përmirësojë mirëqenien sociale.
Tregtia ndër-rajonale është në themel të bashkëpunimit.
Harmonizimi dhe thjeshtëzimi i procedurave doganore, harmonizimi i dokumenteve dhe zbatimi i qasjeve të bazuara në rreziqe për të reduktuar kostot dhe për të përshpejtuar kohën e tregtimit.
Në tre vitet në vijim, fokusi do të jetë në përmirësimin e tregtisë së produkteve agroushqimore dhe industriale nëpërmjet njohjes së standardeve të BE-së, implementimit të certifikatave elektronike dhe uljes së kontrollit zyrtar.
Plani synon gjithashtu lehtësimin e lëvizshmërisë së lirë të shërbimeve. Synohet zbatimi i një kuadri të përbashkët për ofrimin e shërbimeve, duke eliminuar barrierat administrative që pengojnë ndërmarrjet në ofrimin e shërbimeve në tregjet e tjera të rajonit.
Plani parashikon gjithashtu krijimin e databazave të profesionistëve dhe përdorimin e kartelave profesionale për të përmirësuar lëvizshmërinë e punonjësve dhe njohjen e kualifikimeve mes vendeve.
Masat për lehtësimin e tregtisë përfaqësojnë gjithashtu zhvillimin e “Green Lanes” për reduktimin e kohës së pritjes në pikat e kalimit kufitar, përmirësimin e sistemit të qarkullimit elektronik të dokumenteve (paperless trade) dhe harmonizimin e të dhënave statistikore për mbështetje të politikave.
Por rritja e tregtisë do të shoqërohet me masa që rrisin sigurinë konsumatore. Krijimi i mekanizmave alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis konsumatorëve dhe tregtarëve, përmirësimi i mbrojtjes së pronës intelektuale dhe promovimi i markave rajonale.
CRM 2.0 është plan që synon të transformojë ekonominë e Ballkanit Perëndimor, duke e bërë rajonin më të bashkuar, konkurrues dhe të gatshëm për integrim më të thellë me Tregun e Përbashkët të BE-së.
Duke kombinuar reforma strukturore, masat për përmirësim të infrastrukturës dhe politika të avancuara në fushat e kapitalit njerëzor dhe transformimit dixhital, plani synon të rrisë të ardhurat, të përmirësojë cilësinë e jetës dhe të krijojë një mjedis ekonomik që do të mbështesë rritjen afatgjatë dhe stabilitetin rajonal.
The post Tregu i përbashkët rajonal, si u rrit tregtia appeared first on Revista Monitor.








