Planifikimi, tregjet e diversifikuara dhe kontrolli i materialeve strategjike i japin Pekinit avantazh
SHBA-ja dhe Kina gjenden në një përballje të rrezikshme tregtare, me dy ekonomitë më të mëdha në botë që po përballen me goditje nga njëra-tjetra.
Kina mbështetet në SHBA si një treg pothuajse i pazëvendësueshëm për mallrat e prodhuar prej saj, por ekspertët paralajmërojnë se Uashingtoni nuk duhet të nënvlerësojë kapacitetin e Pekinit për t’i rezistuar taktikave shtrënguese të Trump.
Kombinimi i kontrollit politik të centralizuar, tregjeve gjithnjë e më të diversifikuara të eksportit dhe dominimi në disa materiale strategjike jetike, duke përfshirë metalet e rralla, i jep Pekinit shumë fuqi negociuese. Pyetja është se deri ku mund të përdorë avantazhin e tij, pa pësuar edhe më shumë dëme vetë.
Fuqia tregtare
Kina pati një suficit tregtar prej gati 300 miliardë dollarësh me SHBA-në vitin e kaluar, me rreth 15 % të totalit të eksporteve të saj drejt SHBA-së. Tarifat e Trump 145 % do të shkaktonin dhimbje të konsiderueshme në Pekin.
Por ekonomistët ndërkombëtarë thanë se kjo anashkalon një fakt thelbësor: Kina mund të zëvendësojë importet e saj nga SHBA më lehtë sesa e anasjellta.
Eksportet e mallrave amerikane në Kinë janë të përqendruara shumë në bujqësi – si sojë, pambuku, viçi dhe shpendët – dhe kështu kanë vlerë të shtuar të ulët. Shumë importe amerikane nga Kina – elektronikë, makineri dhe disa minerale të përpunuara – janë e kundërta.
Nënçmimi i dollarit e ka bërë gjithashtu më të shtrenjtë importin e mallrave për SHBA-në.
Dhimbja e një lufte tregtare do të ndihet ende në Kinë, e cila importon produkte të nivelit më të lartë nga SHBA, duke përfshirë pjesë avionësh, produkte farmaceutike dhe gjysmëpërçues – megjithëse Uashingtoni ka kërkuar të kufizojë aksesin në çipa në vitet e fundit.
“Dera e pasme” strategjike
Që kur Uashingtoni vendosi tarifa sektoriale për çelikun, aluminin, panelet diellore dhe makinat larëse në 2018 dhe 2019 gjatë mandatit të parë të Trump, Kina është përpjekur të zvogëlojë varësinë e saj nga eksportet tek konsumatorët amerikanë. Pjesa e saj e importeve amerikane ka rënë nga 21 % në 2016 në 13.4 % vitin e kaluar, sipas të dhënave të qeverisë amerikane, duke ulur ekspozimin tregtar të Pekinit.
Në të njëjtën kohë, kapaciteti i prodhimit kinez është ridrejtuar në vendt e Azisë Juglindore si Vietnami dhe Kamboxhia, ku prodhuesit kinezë përfituan nga krahu më i lirë i punës dhe ekspozimi i reduktuar ndaj tarifave të SHBA-së. Eksportet në Vietnam u rritën me 17 % në mars, treguan të dhënat e publikuara këtë javë.
Se sa i vendosur është Trump për të mbyllur atë “derë të pasme” për eksportet kineze, kjo mbetet për t’u parë. Vietnami, i cili tani ka një suficit tregtar 124 miliardë dollarë me SHBA-në, është kërcënuar me një tarifë “reciproke” 46 % – megjithëse u pezullua për 90 ditë.
Zotërimet financiare
Kina gëzon një tjetër avantazh negociues nga grumbulli i madh i borxhit të qeverisë amerikane që ka akumuluar, të cilin teorikisht mund ta shesë për të reduktuar ekspozimin e saj. Kjo nga ana tjetër mund të ngrejë shqetësime në lidhje me atraktivitetin e aktiveve të SHBA dhe të përshpejtojë rënien e mëtejshme të vlerës së dollarit dhe borxhit të qeverisë amerikane.
Zerlina Zeng, kreu i strategjisë së kredisë për Azinë në CreditSights, vuri në dukje se një shitje e bonove të thesarit të SHBA të zotëruara nga Kina, do të godiste gjithashtu këtë të fundit, duke pasur parasysh madhësinë e zotërimeve të saj.
“Thënë kjo, ne presim që Kina të vazhdojë të diversifikojë rezervat e saj të shprehura në dollarë amerikanë në monedha të tjera, si një objektiv afatgjatë alokimi,” tha ajo.
Mineralet kritike
Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu të varura nga Kina për shumë metale të rralla thelbësore për prodhimin modern, si për shembull në bateritë e automjeteve elektrike. Pekini kontrollon më shumë se dy të tretat e prodhimit global të metaleve të rralla dhe më shumë se 90 % të kapacitetit përpunues.
Trump përjashtoi mineralet kritike nga raundi i tij i parë i tarifave “reciproke”, në një njohje të dobësive të SHBA. Por këto mund të mos jenë të mjaftueshme për të shmangur një krizë furnizimi.
Kina vendosi kontrolle eksporti në shtatë elementë të tjerë të rrallë javën e kaluar, duke përfshirë dysprosium dhe terbium, të cilët janë përbërës thelbësorë në produkte të tilla si motorët e avionëve dhe automjetet elektrike.
Autokracia mbi demokracinë
Ndërsa partia komuniste në pushtet e Kinës nuk është imune ndaj ndryshimeve në opinionin publik, ajo është më pak reaguese ndaj presionit sesa Shtëpia e Bardhë, e cila tashmë është detyruar t’i përgjigjet trazirave në tregjet e obligacioneve dhe aksioneve dhe kërcënimit të çmimeve më të larta.
Qeveria e Kinës është gjithashtu shumë e ndjeshme ndaj shfaqjeve të pakënaqësisë publike. Në fund të vitit 2022, ajo hoqi kufizimet trevjeçare për Covid-19 menjëherë pasi u shfaqën protesta në qytetet e mëdha.
Por ‘dridhjet’ e para të një lufte tregtare – të tilla si lundrimet e vonuara nga portet e mëdha të Kinës – ende nuk janë ushqyer me pakënaqësi të hapur në provincat prodhuese jugore të vendit.
“Unë nuk kam takuar një person të vetëm, madje edhe prodhues të ndikuar drejtpërdrejt nga tarifat, i cili fajëson Pekinin,” tha një prodhues i huaj me bazë në provincën Guangdong. “Ajo që kam parë është një lloj sfide. Unë mendoj se mënyra se si qeveria po e menaxhon situatën, ka të bëjë me krenarinë kombëtare tani.” / FT
The post Tregtia, teknologjia dhe bonot e thesarit: Kina në avantazh përballë SHBA-së appeared first on Revista Monitor.










