Konflikti në mes të Izraelit dhe Iranit, mund të sjell edhe rritjen e çmimit të naftës, paralajmëron kryetari i Shoqatës së naftëtarëve të Kosovës.
Tensionet e fundit mes Izraelit dhe Iranit kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të naftës në tregjet globale, një situatë që tashmë po ndjehet edhe në Kosovë.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani rritja e çmimeve është pasojë e frikës për ndërprerje të furnizimit me naftë për shkak të përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Irani është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë dhe kontrollon ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës botërore. Çdo eskalim i situatës atje ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve”.
Ai shtoi se, përkundër mungesës së prodhimit vendor, tregu i naftës në Kosovë është shumë i ndjeshëm ndaj zhvillimeve gjeopolitike.
“Çmimi i naftës në Kosovë sigurisht që ndikohet gjithashtu nga këto zhvillime gjeopolitike për shkak se Kosova importon pjesën më të madhe të naftës “, theksoi ai.
Çmimet aktuale të derivateve në tregun kosovar variojnë:
Diesel 1.14 – 1.24 euro dhe Benzina 1.15 – 1.25 euro.
Sipas Berjanit, një ndërhyrje diplomatike, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të kontribuojë në qetësimin e situatës dhe stabilizimin e çmimeve.
“Një marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga SHBA do të ishte një sinjal pozitiv për tregun dhe do të ulte presionin mbi furnizimin me naftë”.
Kosova është e varur nga importi i karburanteve të naftës. Çmimi vendoset varësisht nga furnizimet në rajon apo në Evropë.
Përveç çmimit të blerjes, në Doganën e Kosovës, kompanitë importuese paguajnë akcizë në vlerë 0.35 euro për një litër naftë, pastaj këtu shtohet Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) prej 18 për qind, transporti dhe shpenzimet tjera.
The post Tensionet Izrael-Iran rrisin çmimet e derivateve edhe në tregun e Kosovës appeared first on Revista Monitor.









