Industria tradicionale televizive po kalon një nga periudhat më të vështira të dekadës së fundit. Dikur burimi kryesor i informacionit dhe argëtimit për publikun, sot televizioni po humbet gradualisht pozicionin e tij dominues përballë ndryshimeve teknologjike dhe zakoneve të reja të konsumit mediatik.
Për shumë televizione, vitet e fundit kanë sjellë rritje të kostove të prodhimit, të ardhura më të paqëndrueshme nga reklamat dhe presion të fortë nga platformat digjitale, që ofrojnë përmbajtje të personalizuar dhe pa kufizime orari.
Në një treg gjithnjë e më të fragmentuar, audienca është shpërndarë mes “streaming”, rrjeteve sociale dhe përmbajtjeve të krijuara nga influencuesit, duke zbehur rolin e ekranit tradicional si kanali kryesor i komunikimit masiv.
Edhe në periudhën e tyre më të mirë, televizionet, sidomos ato të lajmeve, nuk operonin në një treg me fitime të larta.
Pjesa e tyre në tregun e përgjithshëm të reklamave ka qenë historikisht e kufizuar, pasi buxhetet më të mëdha janë orientuar drejt kanaleve që ofrojnë argëtim dhe programe me audiencë të gjerë.
Sot, kjo pjesë e vogël po tkurret edhe më shumë, teksa kompanitë po i zhvendosin fondet reklamuese drejt mediave sociale dhe bashkëpunimeve me influencues që ofrojnë shënjestrim më të drejtpërdrejtë të audiencës.
Tendenca është e qartë në disa drejtime:
– Së pari, vëmendja e audiencës, sidomos e të rinjve, po zhvendoset me shpejtësi drejt platformave sociale, ku informacioni është më i menjëhershëm dhe interaktiv.
– Së dyti, platformat e “streaming” si Netflix, Amazon Prime apo Disney+ po tërheqin gjithnjë e më shumë shikues, duke marrë hapësirën që dikur u përkiste televizioneve tradicionale.
– Së treti, buxhetet e marketingut po riakordohen drejt formave të reja të komunikimit, si reklamat në rrjete sociale dhe bashkëpunimet me influencues, që ofrojnë matje të menjëhershme të efektit dhe targetim më efikas të konsumatorit.
Qarkullimi vjetor i 10 televizioneve që kanë raportuar të dhënat në vitin 2024 ishte 6.6 miliardë lekë (rreth 67 milionë euro), me rënie prej 0.35% me bazë vjetore. (mungojnë bilancet e “Ora” dhe “Ora News”, aktiviteti i të cilave është vënë në sekuestro nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe nuk kanë dorëzuar bilancin e 2024 si dhe të “Syri TV” e “Fax News”).
Një vit më parë, të ardhurat ishin rritur me rreth 14%. Nga 10 televizione që kanë raportuar të dhënat, pesë prej tyre panë tkurrje të qarkullimit vjetor.
Biznesi i televizioneve duket se po konkurrohet ndjeshëm nga zhvendosja e reklamave në rrjetet sociale dhe në marketingun direkt që bëhet përmes influencerëve. Tatimet njoftuan më herët se kanë nisur hetimin ndaj 100 individëve/subjekteve për të ardhurat e përfituara nga platformat sociale. Bëhet fjalë për platformat Facebook, TikTok, YouTube, Instagram, Google dhe PayPal.
Tatimet bëjnë të ditur se nga verifikimet paraprake dyshohet se janë rreth 33 milionë euro të padeklaruara. Kjo shumë është sa gjysma e të ardhurave që 10 televizionet gjeneruan në vitin 2024, me burimin kryesor që janë reklamat e bizneseve.
Krahas ngecjes së të ardhurave, televizionet vijojnë të mbeten një biznes jofitimprurës. Gjashtë nga dhjetë televizionet raportuan humbje.
Tregu dominohet nga dy televizionet e mëdha, “TV Klan” dhe “Top Channel”, që marrin pjesën më të madhe të buxheteve të reklamave dhe arrijnë që të rezultojnë me fitime, ndonëse dhe këto me norma minimale.
“Klan” dhe “Top Channel” vijojnë të dominojnë, me rreth 64% të totalit të qarkullimit dhe janë të vetmit që raportojnë nivele xhirosh nga 18-23 milionë euro.
Për operatorët e tjerë, kufiri maksimal është rreth 6.5 milionë euro. Këto dy televizione kanë dhe rezultat financiar më të qëndrueshëm, me normat e fitimit që variojnë nga 6-13%.
Tregu i reklamave mbetet i ulët, ndërkohë që mungesa e hyrjes së kompanive të mëdha në vitet e fundit, të cilat do të kishin kontribuar në rritjen e buxheteve të marketingut, si dhe përqendrimi i një pjese të fushatave në platformat online dhe tek influencuesit, kanë ndikuar në tkurrjen e ndjeshme të burimeve të të ardhurave për shumicën e televizioneve në Shqipëri.
Burimi: QKB
“TV Klan” ka vijuar të jetë televizioni më i madh në vend edhe në vitin 2024 nga transmetuesit pa pagesë. Të ardhurat arritën në 2.3 miliardë lekë, me tkurrje prej 6.1%, pas zgjerimit me 19% vitin e mëparshëm. Fitimet ishin 311 milionë lekë, nga 324 milionë lekë vitin e mëparshëm.
“Top Channel” është i dyti më i madh në vend. Ndryshe nga “Klan”, “Top Channel” ia ka dalë të rrisë të ardhurat, i ndikuar dhe nga audienca që i kanë sjellë programet e “Big Brother”.
Të ardhurat e televizionit ishin 1.89 miliardë lekë në vitin 2024, me zgjerim prej 7% me bazë vjetore, pas rritjes me 22% në vitin 2023. Fitimet para taksave ishin 157 milionë lekë, nga 107 milionë lekë vitin e mëparshëm.
“Media Vizion” (Vizion Plus) kishte një vit pozitiv, teksa raportoi rritjen më të lartë në këtë treg, me 16.4%, në 651 milionë lekë. Edhe një vit më parë, televizioni kishte përmirësuar qarkullimin vjetor me 25%.
Megjithatë, fitimet mbetën minimale në 22 milionë lekë, nga 20 milionë lekë në vitin 2023.
“TV A2” raportoi tkurrje të të ardhurave me 2.3%, në 446 milionë lekë, ndërsa fitimet ishin minimale, në 4.2 milionë lekë, i njëjti rezultat si një vit më parë.
“ABC News” vijoi të mbajë vendin e pestë, ku u ngjit që në vitin 2023. Të ardhurat ranë me 14%, në 292 milionë lekë. Televizioni deklaroi një humbje prej 34 milionë lekësh.
“Report TV” (MTSC) është ngjitur për herë të parë në vend të gjashtë, pas rritjes së të ardhurave me 13%, në 292 milionë lekë. Televizioni raportoi humbje prej 22 milionë lekësh.
“News 24” ka raportuar rënie të të ardhurave me 22%, në 258 milionë lekë, duke zbritur në vendin e shtatë dhe ka deklaruar humbje prej 139 milionë lekësh.
“EuroNews” pas rritjes së fortë të vitit të kaluar, deklaroi tkurrje të të ardhurave me 33%, në 194 milionë lekë. Kompania vijon të dalë me humbje që nga fillimi i aktivitetit, i cili në vitin 2024 u thellua në 139 milionë lekë.
Televizioni “Scan” kishte aktivitet të qëndrueshëm, me rritje 5% në 119 milionë lekë të ardhura.
“MCN TV” (Johaniteri) kishte një vit pozitiv, duke raportuar një rritje të fortë me 34% në 107 milionë lekë. Megjithatë, kompania raportoi humbje prej 30 milionë lekësh.
Lexoni edhe:
200 kompanitë me fitime më të larta, modeli ekonomik, që po shtrenjton jetesën për shqiptarët
The post Televizionet, një biznes, që po konkurrohet nga “streaming” dhe influencerët appeared first on Revista Monitor.









