Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka miratuar sot shtrenjtimin e rrymës për 16.1 për qind. ZRRE ka bërë me dije se tarifat e reja të energjisë elektrike do të hyjnë në fuqi nga 1 maji.
Në mbledhjen e sotme Zyra e Rregullatorit të Energjisë e ka aprovuar shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 për qind.
Pro shtrenjtimit të energjisë elektrike votuan pesë anëtarët e bordit të ZRRE-së.
Anëtarët e bordit deklaruan se aprovimi i këtyre tarifave është i domosdoshëm për të siguruar energji elektrike.
Kryesuesi i bordit, Ymer Zejnullahu, deklaroi se këto tarifa vlejnë për dy kategori.
“Me pesë vota për, konstatoj se aprovohen tarifat për konsumatorët universal me shërbim universal, siç janë të përcaktuara kriteret në legjislacionin primar, të gjithë konsumatorët që kanë të drejtë të furnizohen me tarifa me shërbim universal janë konsumatorët shtëpiakë familjarë dhe bizneset e vogla, më qarkullim më pak se 10 milionë euro dhe më pak se 50 punëtorë. Pra janë këto dy kategori që mund të furnizohen nga 1 maji, deri më 31 mars 2026”, tha ai.
Tarifat e reja do të vlejnë për faturat nga 1 maji.
Sipas tarifave të reja, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë brenda një muaji do të paguajnë 9.05 centë për kilovat nga 7.79 centë sa paguajnë aktualisht.
Ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, kilovati do të kushtojë 15.43 centë nga 14.45 sa është aktualisht.
Gjatë periudhës nga 1 prilli deri më 30 shtator nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është shtrenjtuar në 3.88 centë nga 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë. Ndërkaq, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë do të paguajnë 7.21 centë për kilovat nga 6.81 sa paguajnë aktualisht.
ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo vit më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Rritja e çmimit të tarifave vjen pasi bordi i ZRRE-së më 11 prill ka miratuar kërkesat e tre operatorëve energjetikë për të hyrat e lejuara maksimale.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOSTT], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.
Kundër shtrenjtimit të rrymës, më 11 prill u mbajt një protestë në Prishtinë, në ditën kur ZRRE-ja miratoi kërkesat e operatorëve për rritjen e tarifave.
Shtrenjtimin e kanë kundërshtuar edhe përfaqësues të bizneseve, sipas të cilëve, kjo do të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të tjera.
The post Tarifat e reja në fuqi nga 1 maji: Energjia elektrike në Kosovë rritet me 16.1% appeared first on Revista Monitor.








