Tarifa e pastrimit për kantieret, tashmë deri në përfundim të punimeve, nis zbatimi i ndryshimit

0

Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e ndryshimit për llogaritjen e tarifës të pastrimit për ndërtuesit. Tashmë tarifa e pastrimit për kantieret e ndërtimit do të paguhet vetëm nga momenti i miratimit të lejes së ndërtimit dhe deri në përfundim të punimeve, sipas afatit të lejes.

Nëse ndërtuesi përfundon punimet dhe nuk aplikon menjëherë për certifikatën e përdorimit, nuk do të paguajë më tarifë pastrimi përtej afatit të lejes. Përfundimi i punimeve do të verifikohet nga inspektorët në terren me një procesverbal zyrtar.

Kjo masë synon të shkurtojë kohën dhe kostot për ndërtuesit, duke i liruar ata nga pagesat e panevojshme.

Zbatimi nisi pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të miratuara në vendimin e Këshillit Bashkiak të 27 korrikut 2025.

“Njësi ndërtimi për çdo kantier ndërtimi, etj të ngjashëm me to, rikonstruksione të pjesshme të ngjashme me to, për të cilat miratohet leje ndërtimi por nuk vihet në zbatim/shfrytëzim nga zhvilluesi/ndërtuesi deri në përfundim të afatit të lejes, si dhe për rastet të cilat leja e miratuar vihet në zbatim por nuk janë ndjekur procedurat për aplikimin për certifikatë përdorimi, llogaritja e tarifës se pastrimit të fillojë me zbardhjen e lejes së ndërtimit deri në përfundimin e afatit të punimeve, shoqëruar me procesverbalin nga sektori i verifikimit në terren”, përcaktohet në vendim.

Aktualisht tarifa e pastrimit për kantieret e ndërtimit nga ndërtuesit nis të paguhet nga zbardhja e lejes së ndërtimit deri sa ndërtuesi të paraqesë kërkesën për certifikatë përdorimi. Pra tarifa vazhdon të paguhet përtej lejes së ndërtimit edhe nëse punimet përfundojnë para afatit, nëse nuk është bërë aplikimi për certifikatë përdorimi.

Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë shpjegoi për Monitor ndryshimet e propozuara shkurtojnë kohën e tarifimit që aktualisht është e gjatë, për subjekte që nuk kanë nisur procedurat e aplikimit për certifikatë përdorimi. Ndërkohë që përfundimi i punimeve sipas ndryshimeve të propozuara do të konkludohet tashmë nëpërmjet një procesverbali pas inspektimit në terren.

“Aktualisht tarifa e pastrimit fillon nga momenti i zbardhjes së formularit të lejes deri në momentin kur subjekti aplikon për certifikatë përdorimi, që është kohë goxha e gjatë. Me ndryshimet e propozuara, shkurtohet koha e tarifimit, që ka të bëjë vetëm me afatin e vlefshmërisë së lejes, e cila shoqërohet me një proces verbal nga sektori i verifikimit në terren që ka të bëje me përfundimin e punimeve, pavarësisht aplikimit për certifikate përdorimi”.

Tashmë me ndryshimet e miratuara referencë për llogaritjen e tarifës së pastrimit do të jetë afati i lejes së ndërtimit. Edhe për rastet kur ndërtuesi është pajisur me leje ndërtimi, por që nuk është shfrytëzuar përllogaritja për tarifën e pastrimit do të bëhet nga momenti i zbardhjes së lejes deri në momentin e përfundimit të afatit të punimeve.

Për subjektet e njësive të ndërtimi, apo për çdo kantier ndërtimi, objekte banimi apo shërbimi të tjera të ngjashme në fashën e xhiros deri në 2 milionë lekë në vit tarifa vjetore e pastrimit llogaritet në vlerën e 5,750 lekë në vit.

Për subjektet e ndërtimit të fashës së xhiros nga 2 deri 8 milionë lekë tarifa e pastrimit është 34,500 lekë në vit. Mbi 8 milionë lekë xhiro paguajnë tarifën e pastrimit prej 345,000 lekë në vit. Dhe bizneset VIP paguajnë 517,500 lekë në vit për tarifën e pastrimit./ D.Azo

The post Tarifa e pastrimit për kantieret, tashmë deri në përfundim të punimeve, nis zbatimi i ndryshimit appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

five + seventeen =