Të shpallura me bujë, me shuma të mëdha nga buxheti i shtetit dhe me duartrokitje përpara kamerave, ky është skenari i zakonshëm.
Por shumë kompani të huaja të subvencionuara janë mbyllur shpejt, në heshtje, duke lënë qindra njerëz pa punë.
Gjatë dy dekadave të fundit, autoritetet në Serbi kanë tërhequr kapital të huaj nëpërmjet subvencioneve dhe stimujve të shumtë për investitorët, duke e paraqitur këtë politikë si nxitje të zhvillimit të ekonomisë vendase.
“Serbia nuk e shpiku këtë model ekonomik të tërheqjes së investimeve të huaja përmes privilegjeve, përjashtimeve tatimore dhe subvencioneve bujare”, shpjegon Branimir Jovanović nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.
Pothuajse i gjithë Ballkani ndjek të njëjtën praktikë, me dallime të vogla apo të mëdha, ndërsa më parë, ajo u zbatua gjerësisht edhe në Europën Qendrore, në Poloni, Çeki, Sllovaki dhe Hungari.
Rikthim në zyrën e punës
Nevenka është një nga 2,000 punëtorët që do të mbeten pa punë në dhjetor 2025.
Ajo punon në njërën prej katër fabrikave të kompanisë gjermane Leoni, prodhuese e fibrave optike dhe instalimeve elektrike për automjete, në fshatin Malošište pranë Nišit.
Kompania ushtron aktivitetin në Serbi prej 15 vitesh, me fabrika në Niš, Prokuplje dhe Kraljevo. Nevenka kaloi tre vjet në repartin e Nišit përpara se të transferohej.
“Paga vinte rregullisht, puna ishte si çdo punë tjetër, duhej bërë” thotë 55-vjeçarja.
Shteti i dha kompanisë 36 milionë euro, në formën e tokës falas dhe stimujve financiarë, me kusht që të punësonte 7,400 vetë.
Nga viti 2018, kompania ka punësuar mbi 10,000 persona, ka investuar rreth 230 milionë euro në objekte dhe pajisje, dhe paguan çdo vit rreth 47 milionë euro në taksa e kontribute.
“Kontributi financiar në buxhet është më i madh se subvencionet dhe të gjitha detyrimet e marrëveshjes janë përmbushur. Për fabrikën në Kraljevo nuk kemi kërkuar asnjë subvencion”, thekson kompania.
Por në fillim të vitit 2025, Leoni njoftoi ulje të prodhimit. Pavarësisht ndihmës shtetërore, fabrika në Malošište do të mbyllet për shkak të humbjeve të mëdha dhe “rënies së industrisë automobilistike europiane”.
Lajmi i gjeti të papërgatitur punëtorët. “Nuk është e lehtë për mua, por më keq e kanë familjet kur të dy bashkëshortët mbeten pa punë, veçanërisht ata që kanë kredi”, thotë Nevenka.
Ajo do të vazhdojë punën deri në fund të vitit, ndërsa në fillim të 2026, punëtorët do të marrin shpërblime për largim.
“Pastaj, përsëri te zyra e punës… Shpresoj që shpërblimi të ndihmojë sadopak”, shton ajo.
Nga bujaria te zhgënjimi
Katër vite më parë, Sandra Simić, nënë e vetme e dy fëmijëve nga Vranja, përjetoi të njëjtin fat.
Kompania italiane Geox mbylli fabrikën, duke lënë pa punë 1,250 punëtorë.
Sandra kishte punuar më parë në gjigantin shtetëror Koštana, i mbyllur në vitin 2003. “Puna nuk ishte e shkëlqyer, por të paktën mund të ushqeja fëmijët”, kujton ajo.
Kur mësoi nga mediat për mbylljen, ishte me leje kolektive.
“Fillimisht mbetesh pa fjalë, pastaj të zë inati”, rrëfen ajo. Punëtorët protestuan, por drejtuesit e kompanisë nuk ishin aty.
Kryebashkiaku premtoi rikualifikim, por vetëm disa qindra përfituan. “Ndërkohë, ia dola disi dhe sot punoj dy punë” shton ajo.
Për këtë investim, Serbia kishte ndarë rreth 12 milionë euro.
Në hapjen e fabrikës, Aleksandar Vučić, atëherë kryeministër, deklaroi se “ka ardhur koha që shteti të ndryshojë qasjen ndaj pjesës më të varfër të popullsisë”.
Geox mori 9,000 euro për çdo vend pune, si dhe rreth 850 mijë euro për përgatitjen e truallit të ndërtimit.
Komisioni për Kontrollin e Ndihmës Shtetërore konstatoi më pas se Serbia kishte dhënë 18.95% më shumë fonde sesa lejonte ligji, por nuk u bë e ditur nëse dikush u ndëshkua.
Kur paratë nuk blejnë qëndrueshmëri
Pas 15 vitesh në Niš, marka italiane Benetton mbylli fabrikën në prill 2025 për shkak të “vështirësive të biznesit”, duke lënë 950 punëtorë pa punë, megjithëse kishte marrë subvencione prej 8,000 euro për çdo vend pune.
Në të njëjtin qytet, kompania kineze Johnson Electric po shkurton 300 vende pune.
Ajo kishte marrë 19.2 milionë euro subvencione, por në fund të 2024 iu desh të kthente rreth 1 milion euro shtetit.
Në Leskovac, kompania britanike Aptiv, mbylli fabrikën e hapur në vitin 2018, ku punonin 2,000 vetë, pas marrjes së mbi 17 milionë eurove nga buxheti i Serbisë.
Edhe kompania turke Jeanci u largua nga i njëjti qytet, duke lënë 700 punëtorë pa punë. Ajo kishte përfituar 1.75 milionë euro në vitin 2011 dhe ishte përjashtuar nga një tarifë prej 55,000 eurosh për truall ndërtimi.
Në 2023, kompania hoqi makineritë, dhe pagat e papaguara u mbuluan nga Fondi i Solidaritetit, pra, nga buxheti i shtetit.
Pas 17 vitesh në Serbi, gjiganti gjerman Draexlmaier njoftoi se do të mbyllte fabrikën e tij në Zrenjanin deri në fund të 2025, për shkak të “krizës së thelluar në industrinë automobilistike gjermane”.
Rreth 2,000 punëtorë do të humbasin vendin e punës, me një paketë sociale të premtuar.
The post Subvencionet për kompanitë e huaja në Serbi: Shpëtim apo mallkim për ekonominë? appeared first on Revista Monitor.









