Tregu i elektroshtëpiakeve po shfaq tendenca interesante të lidhura me zhvillimin teknologjik dhe Inteligjencën Artificiale. Operatorët e tregut pohojnë se ka një kërkesë gjithmonë e më të lartë për pajisje “smart” në shtëpi. Teksa në shumicën e rasteve, çmimi është një nga faktorët më ndikues në vendime, duket se prirja për cilësi përpara kostos po fiton peshë. Segmenti i shtresës së mesme dhe të lartë po preferojnë pajisje më cilësore teksa çmimi i energjisë po luan rol në përzgjedhjen e etiketave që ofrojnë kursim. Kostot e rritura të lëndëve të para në tregjet globale kanë dhënë ndikim në mënyrë të pashmangshme edhe te çmimet e elektroshtëpiakeve.
Nertila Maho
I kujtoni ato ditët përvëluese të korrikut dhe të gushtit, kur pas pune ju duhet të shkoni në një shtëpi që e ka “përqafuar” dielli gjithë ditën? Idealja do të ishte ta gjenit të freskët, por zgjidhja nuk është një kondicioner i lënë ndezur që në mëngjes.
Apo kur shihni se në frigoriferin tuaj mungon qumështi që duhet ta kishit blerë dje për atë “latën” e mëngjesit.
Por sot, shtëpitë inteligjente ofrojnë mundësinë e kontrollit në distancë të pajisjeve shtëpiake dhe shqiptarët duket se po e zgjedhin gjithmonë e më shumë këtë tendencë.
Të ndezësh dhe fikësh kondicionerin në distancë, të vësh lavatriçen, të programosh gatimin, të pastrosh dyshemenë, të mbikëqyrësh ambientet në çdo kënd po bëhen gjithmonë e më të kërkuara.
Kuptohet, kjo tendencë e re nuk përfaqëson shumicën, por tregu i elektroshtëpiakeve në vend po kalon në një fazë të re ku po bien në sy elemente interesante.
Pajisjet “smart” po kërkohen gjithmonë e më shumë në treg
Zhvillimi i teknologjisë ka transformuar tregun global të elektroshtëpiakeve ashtu siç ka ndryshuar edhe tregje të tjera. Synimi është që pajisjet të ofrojnë komoditet më të lartë për konsumatorët, të jenë më efikase, por edhe më miqësore me mjedisin.
Alexandros Kosenas, CEO i Neptun, tregon se pajisjet smart dhe integrimi i Inteligjencës Artificiale po merr gjithmonë e më shumë peshë në totalin e blerjeve që bëjnë konsumatorët.
“Pajisjet smart të integruara me IoT (Internet of Things), veçoritë e drejtuara nga Inteligjenca Artificiale dhe aftësitë për monitorimin e energjisë po transformojnë industrinë.
Përveç opsioneve të survejimit të shtëpisë, interesi për të cilat ka shënuar rritje të shpejtë në kërkesë, sot kemi frigoriferë që menaxhojnë inventarin dhe lavatriçe që optimizojnë ciklet e larjes bazuar në ngarkesën dhe llojin e rrobave, pra tashmë teknologjia po rishkruan komoditetin.
Kontrolli zanor, përdorimi në distancë nëpërmjet telefonit dhe integrimi në ekosistemet e shtëpive smart janë gjithnjë e më të rëndësishme, shumë prej tyre tashmë kërkohen dhe përdoren edhe në tregun shqiptar”, – nënvizon z. Kosenas.
Pajisjet elektroshtëpiake nuk po shihen më si pjesë të ndara në një shtëpi, por si një ekosistem inteligjent që lidhet ngushtë me jetën e përditshme të konsumatorit. Të paktën kështu shprehet Albi Avdiu, CEO i Electromagic.
“Një nga risitë më të mëdha që po transformon tregun e pajisjeve elektroshtëpiake është padyshim teknologjia smart.
Pajisjet e sotme nuk janë më thjesht funksionale, por janë të integruara me sisteme inteligjente që i lejojnë përdoruesit t’i kontrollojnë në distancë, përmes aplikacioneve mobile ose asistentëve virtualë.
Kjo do të thotë që konsumatori mund të ndezë lavastoviljen ose lavatriçen edhe kur nuk është në shtëpi, të kontrollojë frigoriferin për sasinë e produkteve ose të programojë kondicionerin sipas orareve të nevojshme”, nënvizon ai.
Markat kudo në botë po investojnë gjithmonë e më shumë në aspektin inovativ në një garë agresive të një tregu që evoluon shpejt.

Çmimi nuk është i vetmi faktor, po kërkohet cilësi dhe etiketë e gjelbër
Kur duam të blejmë një produkt, gjithmonë ka disa faktorë nga ku nisemi për të zgjedhur atë që na përshtatet. Kryesisht formula përfshin kombinimin: Plotëson nevojën dhe i përgjigjet buxhetit tonë.
Faktori çmim gjithmonë ka luajtur rol dhe kjo sidomos tek investimet që shihen si afatgjata në një shtëpi, siç mund të jenë mobilimi por edhe elektroshtëpiaket.
Lidhur me këto të fundit duket se çmimi, edhe pse luan ende rol të rëndësishëm, konsumatorët po bëhen gjithmonë e më të ndjeshëm ndaj cilësisë dhe opsioneve të kursimit të energjisë apo kujdesit të mjedisit.
“Sjellja e konsumatorit shqiptar ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit. Sigurisht që një pjesë e madhe e tregut mbetet me ndjeshmëri të lartë ndaj çmimit, pra ende e fokusuar kryesisht te çmimi fillestar i produktit. Kjo është e kuptueshme duke pasur parasysh fuqinë blerëse dhe prioritetet ekonomike të një pjese të konsumatorëve.
Megjithatë, po shohim gjithnjë e më shumë një ndryshim kulturor në blerje. Një segment në rritje i konsumatorëve shqiptarë priret gjithnjë të investojë në cilësi, jetëgjatësi dhe efikasitet energjetik”, – pohon z. Avdiu.
Ata që priren të shohin përtej çmimit duke e vënë theksin te cilësia janë ata konsumatorë që kanë të ardhura më të larta. Sipas z. Kosenas, segmenti i mesëm dhe i lartë po investojnë kryesisht në cilësi, sigurisht duke mos hequr këtu rëndësinë e çmimit më të favorshëm.
“Ka një prirje të dukshme drejt investimit në cilësi, veçanërisht në segmentin e konsumatorëve të mesëm dhe të lartë. Edhe pse çmimi mbetet i rëndësishëm, nuk është më faktori i vetëm. Garancia, reputacioni i markës, efikasiteti energjetik dhe vlerësimet e produkteve janë gjithnjë e më shumë pjesë e procesit të vendimmarrjes.
Më shumë konsumatorë tashmë e shohin një pajisje si një investim afatgjatë dhe jo si zgjidhje të përkohshme. Konsumatorët shqiptarë e bazojnë vendimin e tyre në besim dhe kjo është një vlerë thelbësore mbi të cilën shitësit me pakicë operojnë”, nënvizon ai.
Kostot në tregjet globale kanë prekur edhe elektoshtëpiaket, por edhe përzgjedhjen
Pandemia e COVID-19, edhe pse duket disi e largët, thelloi atë që njihej si krizë e lëndëve të para në tregjet globale.
Ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit, rritja e kërkesave për pajisje elektroshtëpiake në kuadër të karantinave apo kufizimeve që detyroi njerëzit të ndryshonin stil jetese, si dhe pasiguritë në tregjet financiare apo çmimet e energjisë krijuan një panoramë të re në aspektin global: Produkte më të shtrenjta.
“Rritjet globale të kostove të lëndëve të para dhe transportit kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në çmime.
Edhe pse markat dhe shitësit me pakicë përpiqen të përthithin një pjesë të këtij ndikimi, ndërprerjet në rrjetet e furnizimit dhe presioni i diktuar nga inflacioni kanë ndikuar si në disponueshmërinë, ashtu edhe në sjelljen e konsumatorit.
Gjithashtu, kemi vënë re interes gjithnjë e më të shtuar të konsumatorëve për produkte me efikasitet energjetik si mënyrë afatgjatë për të përballuar rritjen e kostove të energjisë”, – thotë z.Kosenas.
Rritja e çmimeve të energjisë në anën tjetër ka ndikuar te tregu i elektroshtëpiakeve edhe në një tjetër aspekt që lidhet me përzgjedhjen e pajisjeve më eficiente.
“Për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, kërkesa është zhvendosur ndjeshëm drejt produkteve më efikase energjetikisht. Konsumatori shqiptar sot nuk sheh më vetëm çmimin fillestar të pajisjes, por llogarit edhe koston e përdorimit afatgjatë. Për këtë arsye, pajisjet me klasë efikasiteti energjie më të lartë janë më të preferuara, pasi ofrojnë kursime të dukshme në faturën mujore të energjisë.
Konsumatori e kupton gjithnjë e më shumë se një produkt cilësor i kursen para dhe i jep siguri në përdorim për shumë vite.
Pra, ndonëse çmimet globale të energjisë dhe lëndëve të para kanë sjellë sfida, ato njëkohësisht kanë krijuar edhe mundësi: edukimin e tregut për vlerën afatgjatë të efikasitetit, orientimin drejt produkteve më të gjelbra dhe forcimin e rolit të markave që ofrojnë teknologji premium dhe të qëndrueshme”, – thotë z. Avdiu.
Lavastovilja, pajisja më e nënvlerësuar në shtëpinë e shqiptarëve
A e keni menduar ndonjëherë se cila është pajisja pa të cilën s’mund ta mendoni përditshmërinë tuaj në shtëpi? Televizori? Frigoriferi? Lavatiçja? Besojmë lavastovilja është e fundit që iu vjen në mend.
Të paktën kështu duket nga të dhënat që raporton tregu. Të pyetur nga “Monitor” se cila është pajisja shtëpiake më e nënvlerësuar, përfaqësues të tregut thanë se lavastovilja vjen e fundit në listën e blerjeve të konsumatorëve.
“Larëset e enëve! Shumë familje ende i shohin ato si luks dhe jo si domosdoshmëri. Megjithatë, me rritjen e ndërgjegjësimit për kursimin e ujit dhe përfitimet në kohë, ky perceptim po ndryshon gradualisht.
Realiteti është që këto pajisje moderne janë më efikase në përdorimin e ujit dhe energjisë se larja me dorë”, – pohon Alexandros Kosenas, CEO i Neptun.
Lavastoviljet ende nuk shihen si një pajisje standarde me të njëjtën peshë si të tjerat në një shtëpi, siç është qasja në vende të tjera. Por sërish nuk është e vetmja. Pajisje të tjera të perceptuara si me më pak peshë janë edhe tharëset e rrobave.
“Në vendet e tjera të Europës, lavastovilja është tashmë një pajisje standarde në çdo shtëpi, ndërsa në Shqipëri ende nuk është përqafuar gjerësisht, megjithëse po fiton gjithnjë e më shumë terren vitet e fundit.
Një tjetër pajisje shpesh e nënvlerësuar është tharësja e rrobave. Shumë konsumatorë nuk e shohin si të domosdoshme, por realisht ajo ofron një lehtësi të madhe, sidomos në kushtet urbane ku hapësirat janë të kufizuara dhe moti nuk e lejon gjithmonë tharjen natyrale.
Modelet moderne janë shumë efikase dhe përdorin teknologjinë e pompës së nxehtësisë për të kursyer energji, duke e bërë një zgjedhje shumë praktike për familjet shqiptare”, shprehet Albi Avdiu, CEO i Electromagic.

Tregu
“Neptun” mbetet tregtuesi më i madh i produkteve elektroshtëpiake dhe elektronike në vend. Në vitin 2024, të ardhurat e “Neptun” ishin 8.8 miliardë lekë, me zgjerim vjetor prej 4.5%.
Në raportin e aktivitetit, kompania shpjegon se “Neptun” është aktualisht rrjeti më i madh në sektorin e elektroshtëpiakeve i pranishëm me 30 dyqane dhe duke planifikuar zgjerimin në 31 dyqane deri në fund të vitit 2025 dhe 19 dyqane “Nova”, duke mbuluar gjithë vendin.
“Neptun” është kompania më e madhe edhe për sa i përket shitjes me pakicë online të pajisjeve elektronike dhe elektroshtëpiakeve. “Sidoqoftë, konkurrenca ka filluar të bëhet më e vështirë në treg. ‘Globe’ dhe ‘AZA’ SH.P.K. vazhdojnë të jenë konkurrentët më seriozë të kompanisë sonë”, thuhet në raportin vjetor.
“Globe Shops” raportoi të ardhura 3 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë. “Gjatë vitit 2024, shoqëria ‘Globe Shops’ SH.P.K. ka vijuar zhvillimin e aktivitetit të saj kryesor në tregun e pajisjeve elektronike dhe elektroshtëpiake duke ofruar produkte me cilësi të lartë dhe të pajisura me teknologji bashkëkohore.
Gjatë kësaj periudhe është vërejtur një rritje e ndjeshme e kërkesës për pajisje me efikasitet të lartë energjetik dhe teknologji të avancuar të tipit smart-home, e cila ka ndikuar pozitivisht në performancën e përgjithshme të shitjeve”, thuhet në raportin e aktivitetit.
Duke u mbështetur në këtë tendencë, shoqëria ka hartuar një strategji të qartë zgjerimi, e cila parashikon hapjen e njësive të reja tregtare deri në fund të vitit 2025.
Gjithashtu, kompania po eksploron mundësi për diversifikimin e portofolit të produkteve, duke shtuar kategori të reja dhe zgjidhje inovative për shtëpinë moderne, si teknologjitë smart-home, sistemet e menaxhimit të energjisë dhe pajisje me lidhje inteligjente.
“AZA Elektroshtëpiake” deklaroi qarkullim vjetor prej 2.7 miliardë lekësh, me rritje 8.2%.
“Go Tech” kishte të ardhura prej 2 miliardë lekësh, me zgjerim prej rreth 6% me bazë vjetore. Sipas raportit të ecurisë së biznesit, shoqëria synon të rritet me 8% këtë vit, si rrjedhojë e njësive të reja në Tiranë e rrethe dhe zgjerimit të sistemit franshise.
“Electromagic” është një tjetër operator në treg që po zgjerohet me shpejtësi. Të ardhurat e shoqërisë ishin 634 milionë lekë në 2024-n, me rritje 85% në krahasim me një vit më parë. Kompania është e fokusuar në furnizimin e pajisjeve cilësore për shtëpi dhe biznese.
Ajo ka një njësi të specializuar Electromagic Pro që u dedikohet zgjidhjeve profesionale të pastrimit, duke ofruar pajisje dhe sisteme për hotele, spitale, industri ushqimore, lavanteritë industriale dhe industri të tjera.
Kompania bën të ditur se përveç markave të njohura si Miele dhe Nilfisk, Electromagic Pro ka zgjeruar së fundmi rrjetin e saj, duke përfshirë Tolon Global, në pajisjet profesionale të lavanderisë.
Lexoni edhe:
Alexandros Kosenas: Konsumatorët e segmentit të mesëm e të lartë po priren të investojnë në cilësi
Albi Avdiu: Shqiptarët po investojnë gjithmonë e më shumë në teknologjinë smart
Albana Lilaj: Teknologjia ‘smart’ dhe efikasiteti energjetik po ndikojnë zgjedhjet e konsumatorëve
The post Shtëpia “smart” josh shqiptarët appeared first on Revista Monitor.










