Shtëpia e së ardhmes, si strehë e detoksit dixhital

0

Tendencat dhe inovacioni i prodhimit të materialeve të qeramikës dhe arredimit në CERSAIE 2025

 

Shtëpia nuk është më vetëm një çati mbi kokë, sajuar me ofertën e fundit më të leverdishme apo nga një impuls për të vendosur brenda saj arredimin më të shpejtë, qoftë ky edhe i shtrenjtë. Shtëpia e së ardhmes po shihet si streha e detoksit dixhital, shpëtimi nga rutina dinamike jashtë mureve, një përpjekje për të gjetur qetësinë, si një luks i ditëve të sotme.

CERSAIE 2025, Panairi Ndërkombëtar i Qeramikës dhe Arredimit të Banjave, i mbajtur në Bolonja në 22-26 shtator 2025, zbuloi tendencat më të fundit në sektor me pjesëmarrjen e dhjetëra mijë aktorëve, edhe si fryt i angazhimit të agjencive ICE në vende të ndryshme të botës.

Në këtë event, prodhuesit, arkitektët dhe dizajnerët, si  dhe ekspertë të tjerë të lidhur me fushën, prezantuan një vizion të ri për shtëpinë moderne, ku materiali dhe dizajni nuk shërbejnë vetëm për estetikën, por edhe për shëndetin dhe mirëqenien e banorëve.

Christina Faedi, kuratore me përvojë 25-vjeçare në sektorin e qeramikës, nënvizoi pikërisht këtë tendencë të “strehës së detoksit dixhital” si një nga elementet që po vihet re gjerësisht kudo. Konkretisht në këtë edicion, ato që udhëhoqën ishin ngjyrat, format gjeometrike që thyhen mes të çrregulltës, monokromi që ndërthuret me kontrastin dhe materialet e kombinuara.

“Qeramika, me ngjyrat natyrale si e bardhë, bezhë, pana dhe tone të ftohta roze dhe blu, përdoret për të krijuar ambiente që transmetojnë qetësi dhe harmoni.

Sipërfaqet e mëdha dhe të pandërprera, kombinimet e materialeve dhe teksturat e ndryshme krijojnë një hapësirë të ndriçuar dhe të hapur, duke e kthyer shtëpinë në një mjedis relaksues dhe të përshtatshëm për reflektim.

Stili minimal, mesdhetar dhe pop, bashkë me përdorimin e qeramikës edhe në mure, jo vetëm në dysheme, kontribuon në krijimin e hapësirave që largojnë ndjesinë e ngarkesës vizuale dhe promovojnë një ekuilibër mes funksionalitetit dhe estetikës.

Teknika e mermerit të riprodhuar në qeramikë është bërë protagoniste, me ngjyra të ftohta dhe të ngrohta që sjellin efekte unike si ato të “ochio di tigri”, apo frymëzimet nga Bazilika e Venecias dhe Duomo e Milanos.

Po ashtu, trendet përfshijnë sipërfaqe mat e me shkëlqim, si dhe efektin “Pompei”.

Përveç aspektit vizual, materiali i qeramikës ofron edhe një dimension praktik duke përmirësuar higjienën, qëndrueshmërinë dhe përvojën e përdoruesit.

Shtëpia e së ardhmes nuk është vetëm një vend për të jetuar, por një strehë personale për rikuperim dhe qetësi, ku qeramika dhe dizajni bashkohen për të krijuar hapësira që ofrojnë relaksim dhe largim nga stresi i teknologjisë dhe jetës urbane”, do të shprehej Faedi.

Ajo nënvizoi se ka një prirje për t’u frymëzuar nga natyra dhe për ta replikuar atë në qeramikë, ndërkohë që një tjetër segment është eleganca e qetë apo ajo që po njihet si “quiet luxury”.

Arkitektura duhet të jetë e bukur, por mbi të gjitha e jetueshme

Ekspertët që morën pjesë në panair dhe  folën gjatë një konference ndërkombëtare i mëshuan fort faktit që kur flasim për qeramikën apo elemente të tjera të lidhura me arredimin, “bukuria” nuk është më kushti i  vetëm.

Materiali, funksionaliteti dhe qëndrueshmëria janë disa nga pikat që po kthehen në parësore. “Arkitektura e së ardhmes, duhet të jetë e bukur, por edhe e jetueshme duke reflektuar një lidhje të ngushtë mes teknologjisë, cilësisë dhe përjetësisë së qeramikës.

Qeramika është një material që prodhohet për 35 minuta, por zgjat për qindra vite”, –  u shprehën ekspertët, duke e cilësuar këtë si një pasuri që kërkon të mendohet në vazhdimësi dhe në funksion të brezave të ardhshëm.

 

Dimensioni ekonomik dhe kulturor, objektivi i rritjes së eksporteve

Konferenca Ndërkombëtare e Qeramikës Italiane, e mbajtur në datë 23 shtator, solli në vëmendje elementet që përkufizojnë këtë industri, ndër më të rëndësishmet për Italinë, konkurrencën nga tregje të tjera por edhe objektivin për të ruajtur vendin e parë në eksporte.

Filippo Manuzzi, kreu për Aktivitetet Promocionale dhe Panairet Tregtare në Confindustria Ceramica, vuri theksin te cilësia dhe inovacioni si shtylla të sektorit.

“Cilësia në shërbim, inovacioni i vazhdueshëm dhe qëndrueshmëria janë ato që udhëheqin këtë sektor. CERSAIE është një motor i nxitjes së këtyre aspekteve për sipërmarrjet tona.

Ajo që sjell CERSAIE nuk është vetëm një event qeramike ku evidentohen pikat e forta, por ofrojmë një përvojë të vërtetë të ‘Viva Italiana’, pra hapim dyert për mënyrën sesi jetojmë ne në përditshmërinë tonë, në qytetet e mrekullueshme, ushqimin e mirë dhe artin e kulturën, si pjesë e këtij dimensioni.

Lorenzo Galanti, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Italiane të Tregtisë, e cilësoi CERSAIE si një pikë referimi ndërkombëtare, që i ka dhënë Italisë avantazhin e të qenët lider në eksportin e qeramikës.

Ai nënvizoi potencialin e madh të tregjeve aziatike, sidomos në segmentin e luksit. “CERSAIE është një referencë ndërkombëtare që e ndihmon Italinë të jetë eksportues kryesor dhe ne kemi parë rezultatet. Jemi vazhdimisht të parët në inovacionin e sektorit dhe deri më tani ia kem dalë të lëmë pas konkurrencën, edhe pse ajo është shtuar viteve të fundit.

Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë dhe për ta bërë këtë duhet të ketë një strategji. Zyrat tona të ICE ndihmojnë në aspektin ndërkombëtar për t’i dhënë zë dhe shikueshmëri. Duhet një bashkëpunim sa më i ngushtë mes të gjithë palëve që të japim gjithmonë diçka origjinale, pasi vetëm kjo mund të na sigurojë të mbajmë kreun e eksporteve.

Duhet të nënvizojmë se janë të rëndësishme edhe tregjet aziatikë që sot nuk i kemi primare por ka shumë potencial sidomos në segmentin e luksit” tha ai.

Në të njëjtën linjë, Armando Cafiero, Drejtor Menaxherial i Confindustria Ceramica, kujtoi se sektori italian i qeramikës është bërë kampion i eficiencës energjetike, ndërsa përfaqësuesi i ministrisë, Mauro Battocchi  Drejtori i Përgjithshëm për Promovimin e Sistemit të Vendit në Ministrinë e Jashtme në Itali, solli në vëmendje rolin e rrjetit diplomatik.

“Ambasadat, qendrat kulturore dhe agjencitë, sipas tij, duhet të shihen  si instrument marketingu për të përhapur stilin e të jetuarit italian në mbarë botën duke ndikuar kështu në një shkallë më të gjerë dhe me efekt zinxhir këtë sektor.

Industria italiane e qeramikës  synon të rrisë eksportet nga 5 miliardë në 7 miliardë euro deri në vitin 2030 duke u mbështetur tek inovacioni, bashkëpunimi dhe promovimi kulturor.

 

 

CERSAIE 2025 shënon 95 mijë vizitorë, sfidat e industrisë nga tarifat te rregulloret 

Pjesëmarrja në CERSAIE për  vitin 2025 mbeti e qëndrueshme në 95,000 (vetëm 0.8% më pak se në vitin 2024), me 47.5% vizitorë ndërkombëtarë.

“Pavarësisht një situate sfiduese të tregut dhe krizave të vazhdueshme ndërkombëtare, CERSAIE e këtij viti- Ekspozita Ndërkombëtare e Pllakave Qeramike dhe Mobilieve të Banjës,  i përmbushi edhe një herë pritjet e kompanive që kishin investuar në shfaqje.

Për pesë ditë, ajo ofroi një platformë unike globale, ku ekspozuesit mund të prezantonin inovacionet e tyre më të fundit të produkteve në stenda me ndikim të fuqishëm vizual dhe emocional.

Edicioni i 42-të, i mbajtur në Qendrën e Ekspozitave të Bolonjës, nga data 22 deri më 26 shtator, pushtoi plotësisht gjashtëmbëdhjetë salla, me një sipërfaqe totale prej 155,000 metrash katrorë dhe priti 627 ekspozues, duke përfshirë 343 prodhues të pllakave qeramike, 98 prodhues të mobilieve të banjës dhe 186 kompani që operojnë në fushat e instalimit, lëndëve të para, sipërfaqeve të reja dhe shërbimeve të lidhura.

Eventi e forcoi më tej profilin e tij ndërkombëtar me pjesëmarrjen e 243 ekspozuesve të huaj (39% e totalit) nga 29 vende” do të nënvizonin përfaqësues të eventit.

Numri i vizitorëve italianë u rrit me 3% (49,671 krahasuar me 48,226 vitin e kaluar), ndërsa pjesëmarrja ndërkombëtare ra me 4.6% (44,906 kundrejt 47,095 të vitit të kaluar), duke përbërë tani 47.5% të totalit. Rënia e pjesëmarrjes ishte pjesërisht për shkak të grevave të transportit në ditët e para dhe të fundit të panairit.

 

 

 

The post Shtëpia e së ardhmes, si strehë e detoksit dixhital appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

15 + 15 =