Intervistë me Albi Avdiu, CEO Electromagic
Shqiptarët po preferojnë gjithmonë e më shumë pajisje elektroshtepiake që kanë të integruar teknologjinë “smart”.
Albi Avdiu, CEO i Electromagic shprehet se pajisjet e sotme nuk janë më thjesht funksionale, por janë të integruara me sisteme inteligjente që i lejojnë përdoruesit t’i kontrollojnë në distancë, përmes aplikacioneve mobile ose asistentëve virtualë.
Sipas tij kjo risi është pjesë e një tendence globale ku pajisjet nuk shihen më si elemente të izoluara, por si pjesë e një ekosistemi inteligjent që lidhet ngushtë me jetën e përditshme të konsumatorit.
Si ka ndryshuar tregu i pajisjeve elektroshtëpiake në Shqipëri gjatë viteve të fundit dhe si lidhet kjo me tendencat globale?
Tregu shqiptar i pajisjeve elektroshtëpiake ka kaluar një transformim të dukshëm gjatë viteve të fundit. Ky ndryshim vihet re në dy drejtime kryesore.
Së pari, nga ana e bizneseve, mënyra e komunikimit ka marrë një rol shumë më të madh.
Nëse më parë, fokusi kryesor ishte vetëm te çmimi dhe disponueshmëria e produkteve, sot kompanitë janë më të vetëdijshme për rëndësinë e komunikimit të qartë, edukimit të konsumatorit dhe diferencimit nëpërmjet vlerave shtesë që ofron marka.
Shumë biznese kanë kaluar nga një komunikim i përgjithshëm masiv, në një qasje më të personalizuar, duke theksuar veçoritë teknike të produkteve, përfitimet praktike të tyre dhe mënyrën sesi këto i lehtësojnë jetën e përditshme të konsumatorit.
Ky është një reflektim i drejtpërdrejtë i tendencave globale, ku storytelling-u, edukimi dhe transparenca janë kthyer në elemente të rëndësishme të strategjive të marketingut.
Së dyti, edhe konsumatori shqiptar ka evoluar. Ai është bërë më kërkues, më i informuar dhe më selektiv në zgjedhjet e tij.
Në ditët e sotme, konsumatorët nuk mjaftohen më vetëm me funksionalitetin bazë, por kërkojnë inovacion, efikasitet energjie, dizajn modern dhe mbi të gjitha, produkte që përputhen me stilin e tyre të jetesës.
Ky ndryshim është në përputhje me prirjet ndërkombëtare, ku teknologjia smart, produktet ekologjike dhe shërbimet pas shitjes kanë marrë rëndësi gjithnjë e më të madhe.
Për më tepër, dixhitalizimi ka luajtur një rol të fortë. Konsumatorët informohen online, krahasojnë opsione përpara se të blejnë, dhe presin një përvojë sa më të unifikuar mes dyqanit fizik dhe platformave dixhitale.
Kjo ka shtyrë edhe kompanitë shqiptare të përshtaten dhe të investojnë më shumë në kanale të reja komunikimi dhe shitjeje, duke e bërë tregun tonë pjesë aktive të një transformimi global.
Cilat janë risitë më të mëdha teknologjike që po ndikojnë sot në këtë treg?
Një nga risitë më të mëdha që po transformon tregun e pajisjeve elektroshtëpiake është padyshim teknologjia smart.
Pajisjet e sotme nuk janë më thjesht funksionale, por janë të integruara me sisteme inteligjente që i lejojnë përdoruesit t’i kontrollojnë në distancë, përmes aplikacioneve mobile ose asistentëve virtualë.
Kjo do të thotë që konsumatori mund të ndezë lavastoviljen ose lavatriçen edhe kur nuk është në shtëpi, të kontrollojë frigoriferin për sasinë e produkteve ose të programojë kondicionerin sipas orareve të nevojshme.
Kjo risi është pjesë e një tendence globale ku pajisjet nuk shihen më si elemente të izoluara, por si pjesë e një ekosistemi inteligjent që lidhet ngushtë me jetën e përditshme të konsumatorit.
Në këtë drejtim, markat premium kanë sjellë zgjidhje shumë inovative. Për shembull:
Aplikacioni i lejon përdoruesit të kontrollojnë të gjitha pajisjet e tyre në distancë – nga furrat që mund të programohen për të nisur gatimin, deri te lavatriçet që njoftojnë kur ka përfunduar cikli.
Lavatriçet përdorin sensorë inteligjentë për të përcaktuar sasinë optimale të detergjentit, duke kursyer kohë dhe para dhe duke mbrojtur mjedisin.
Furrat inteligjente ofrojnë receta të integruara dhe asistencë gjatë gatimit, duke u përshtatur sipas llojit të ushqimit.
Robotët pastrues krijojnë harta të detajuara të shtëpisë, duke garantuar efikasitet dhe personalizim në pastrim.
Përveç teknologjisë smart, risitë më të rëndësishme përfshijnë edhe:
- Efikasitetin energjetik, me pajisje që konsumojnë më pak energji por ofrojnë performancë më të lartë;
- Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku pajisjet mësojnë nga sjelljet e përdoruesit;
- Dizajnin minimalist dhe ergonominë, që shkon përtej funksionalitetit, duke e kthyer pajisjen edhe në pjesë të arredimit.
Në këtë mënyrë, tregu po zhvendoset drejt një epoke ku pajisjet elektroshtëpiake ofrojnë jo vetëm prakticitet, por edhe personalizim, komoditet dhe ndërveprim inteligjent – një zhvillim që në Shqipëri po ndihet gjithnjë e më shumë.
A vëreni ndikim të drejtpërdrejtë nga çmimet globale të energjisë apo lëndëve të para në ofertën dhe kërkesën për pajisje në vend?
Po, ka ndikim që reflektohet në disa plane. Nga njëra anë, çmimet e lëndëve të para dhe energjisë kanë ndikuar në koston e prodhimit të pajisjeve elektroshtëpiake në rang global. Kjo rritje është pasqyruar edhe në tregun shqiptar, duke e bërë konsumatorin më të ndjeshëm ndaj raportit çmim–vlerë.
Nga ana tjetër, kjo situatë ka ndryshuar edhe sjelljen e konsumatorit.
Për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, kërkesa është zhvendosur ndjeshëm drejt produkteve më efikase energjetikisht. Konsumatori shqiptar sot nuk e sheh më vetëm çmimin fillestar të pajisjes, por llogarit edhe koston e përdorimit afatgjatë.
Për këtë arsye, pajisjet me klasë efikasiteti energjie më të lartë janë më të preferuara, pasi ofrojnë kursime të dukshme në faturën mujore të energjisë.
Konsumatori e kupton gjithnjë e më shumë se një produkt cilësor i kursen para dhe i jep siguri në përdorim për shumë vite.
Pra, ndonëse çmimet globale të energjisë dhe lëndëve të para kanë sjellë sfida, ato njëkohësisht kanë krijuar edhe mundësi: edukimin e tregut për vlerën afatgjatë të efikasitetit, orientimin drejt produkteve më të gjelbra dhe forcimin e rolit të markave që ofrojnë teknologji premium dhe të qëndrueshme.
Si ka evoluar sjellja e konsumatorëve shqiptarë në raport me blerjet e pajisjeve elektroshtëpiake? Priren për të investuar në cilësi apo çmimi mbetet faktori kryesor?
Sjellja e konsumatorit shqiptar ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit. Sigurisht që një pjesë e madhe e tregut mbetet me ndjeshmëri të lartë ndaj çmimit, pra ende e fokusuar kryesisht te çmimi fillestar i produktit.
Kjo është e kuptueshme duke pasur parasysh fuqinë blerëse dhe prioritetet ekonomike të një pjese të konsumatorëve.
Megjithatë, po shohim gjithnjë e më shumë një ndryshim kulturor në blerje. Një segment në rritje i konsumatorëve shqiptarë priret gjithnjë të investojë në cilësi, jetëgjatësi dhe efikasitet energjetik. Ata e kuptojnë se një produkt më i mirë, edhe pse me kosto fillestare më të lartë, sjell përfitime afatgjata: kursime në energji, më pak shpenzime për riparime dhe mbi të gjitha, siguri dhe komoditet në përdorim.
Kjo tendencë reflekton atë që po ndodh edhe në tregjet më të zhvilluara: konsumatori informohet më shumë, krahason opsionet dhe është i gatshëm të paguajë më shumë për një përvojë të qëndrueshme dhe të besueshme.
Pra, në tregun shqiptar, sot bashkëjetojnë dy realitete:
- Segmenti tradicional, që mbetet i ndjeshëm ndaj çmimit.
- Segmenti modern në rritje, që e sheh vlerën përtej çmimit dhe orientohet drejt cilësisë dhe qëndrueshmërisë.
Kjo është një shenjë pozitive, pasi tregon një maturim të tregut dhe krijon hapësirë për markat që ofrojnë teknologji të avancuar dhe produkte premium.
A ka një periudhë të vitit kur blerjet për pajisje elektroshtëpiake rriten ndjeshëm dhe pse?
Po, tre muajt e fundit të vitit – veçanërisht nëntori dhe dhjetori – janë periudha kur blerjet arrijnë kulmin. Kjo sjellje e konsumatorit ka dy arsye kryesore:
Elementi psikologjik: fundi i vitit lidhet me idenë e një fillimi të ri, me dëshirën për të rinovuar shtëpinë dhe për të përmirësuar komoditetin familjar.
Po ashtu, gjatë festave, konsumatorët kanë një prirje më të fortë për të bërë blerje të mëdha dhe për të investuar në produkte që i shërbejnë familjes në përditshmëri.
Elementi sistematik: në këtë periudhë kompanitë ofrojnë fushata të mëdha promocionale – nga Black Friday deri tek ofertat e fundvitit – të cilat e stimulojnë më tej sjelljen konsumatore.
Kjo krijon një lloj “rrethi vicioz pozitiv”, ku pritshmëritë e konsumatorëve për ulje çmimesh përputhen me strategjitë e tregut për të rritur shitjet.
Një faktor tjetër që nuk duhet nënvlerësuar është se kjo periudhë është gjithashtu momenti kur shumë familje planifikojnë investime më të mëdha, pasi përputhet me shpërndarjen e bonuseve, të ardhurave shtesë ose planifikimin e buxheteve për vitin e ardhshëm.
Nëse gjatë pjesës tjetër të vitit, blerjet janë më të shpërndara dhe të motivuara nga nevoja konkrete (p.sh. kur prishet një pajisje), në fund të vitit, ato kanë një dimension më shumë emocional dhe aspirues, duke e kthyer këtë periudhë në pikun e shitjeve për tregun e pajisjeve elektroshtepiake.
A janë më të informuar sot konsumatorët në lidhje me funksionalitetet dhe teknologjinë e pajisjeve, apo ende blejnë kryesisht mbi bazën e reklamës dhe rekomandimeve?
Sot konsumatori shqiptar është dukshëm më i informuar se më parë. Interneti, rrjetet sociale, platformat e krahasimeve online dhe vetë komunikimi më i detajuar i kompanive kanë bërë që blerësi të hyjë në dyqan tashmë me një ide të qartë për atë që kërkon.
Shumë klientë vijnë të informuar mbi teknologjinë, efikasitetin energjetik dhe funksionalitetet e veçanta, duke bërë pyetje specifike dhe duke krahasuar modele të ndryshme përpara vendimit final.
Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet që reklamat masive dhe rekomandimet vazhdojnë të kenë ndikim të fortë, sidomos te segmentet më tradicionale të konsumatorëve. Promocionet, mesazhet emocionale dhe sugjerimet nga familjarët ose miqtë mbeten faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt procesin e vendimmarrjes.
Sa e rëndësishme është për konsumatorin shqiptar etiketa e eficiencës energjetike kur zgjedh një pajisje?
Etiketa e eficiencës energjetike është bërë një element gjithnjë e më i rëndësishëm për konsumatorin shqiptar. Në vitet e shkuara, shpeshherë ky aspekt shihej si dytësor përballë çmimit, por sot, për shkak të rritjes së kostove të energjisë dhe ndërgjegjësimit më të madh për kursimin, efikasiteti energjetik është kthyer në një kriter vendimmarrës.
Shumë blerës tashmë e shohin përtej çmimit fillestar të pajisjes: ata llogarisin edhe koston e përdorimit afatgjatë, duke zgjedhur modele që garantojnë kursime reale në faturën mujore.
Për markat premium, kjo është një pikë force, pasi pajisjet e tyre kombinojnë teknologjinë smart, cilësinë dhe eficiencën energjetike, duke u bërë një zgjedhje optimale për ata konsumatorë që mendojnë në terma afatgjatë dhe kërkojnë vlerë të qëndrueshme.
Në thelb, mund të themi që sot etiketa e eficiencës energjetike nuk është më thjesht një informacion teknik në kuti, por një argument kryesor në vendimmarrjen e blerjes për një pjesë në rritje të tregut shqiptar.
Cilat janë produktet më të kërkuara kur flasim për kursim dhe teknologji të gjelbër?
Në tregun shqiptar, ashtu si dhe në atë global, produktet më të kërkuara lidhen drejtpërdrejt me efikasitetin energjetik dhe kursimin në përdorim afatgjatë. Konsumatori është gjithnjë e më i ndërgjegjshëm për kostot mujore dhe për ndikimin që zgjedhjet e tij kanë te mjedisi.
Ndër produktet që spikasin më shumë janë:
Lavatriçet dhe tharëset me klasë të lartë energjie – shumë të kërkuara sepse ofrojnë kursime të dukshme të ujit dhe energjisë.
Lavastoviljet ekologjike – me programe “eco” që përdorin më pak ujë dhe energji, por që garantojnë të njëjtën performancë.
Frigoriferët me eficiencë të lartë dhe kompresorë inteligjentë – për shkak se funksionojnë 24/7, kursimi në energji është shumë i rëndësishëm për konsumatorin.
Pajisjet e ngrohjes dhe ftohjes me teknologji inverter – sidomos kondicionerët, të cilët shihen si investim i domosdoshëm në kursim.
Një tjetër element që po fiton terren është teknologjia smart, e cila u jep mundësi përdoruesve të menaxhojnë pajisjet në mënyrë inteligjente, të programojnë përdorimin në orare më ekonomike dhe të reduktojnë konsumin e panevojshëm.
Cila është pajisja elektroshtëpiake “më e nënvlerësuar” në një shtëpi shqiptare?
Në perceptimin tonë, një nga pajisjet më të nënvlerësuara në një shtëpi shqiptare është lavastovilja. Shumë familje ende e shohin atë si një luks apo si një pajisje jo të domosdoshme, ndërkohë që në realitet, është një nga investimet më të zgjuara për kursim kohe, uji dhe energjie.
Studimet tregojnë se lavastovilja konsumon shumë më pak ujë dhe energji krahasuar me larjen manuale të enëve, ndërkohë që ofron higjienë më të lartë dhe komoditet të jashtëzakonshëm në përditshmëri.
Në vendet e tjera të Europës, lavastovilja është tashmë një pajisje standarde në çdo shtëpi, ndërsa në Shqipëri ende nuk është përqafuar gjerësisht, megjithëse po fiton gjithnjë e më shumë terren vitet e fundit.
Një tjetër pajisje shpesh e nënvlerësuar është tharësja e rrobave. Shumë konsumatorë nuk e shohin si të domosdoshme, por realisht ajo ofron një lehtësi të madhe, sidomos në kushtet urbane ku hapësirat janë të kufizuara dhe moti nuk e lejon gjithmonë tharjen natyrale.
Modelet moderne janë shumë efikase dhe përdorin teknologjinë e pompës së nxehtësisë për të kursyer energji, duke e bërë një zgjedhje shumë praktike për familjet shqiptare.
Sipas jush, cila pajisje elektroshtëpiake ka ndryshuar më shumë stilin e jetesës së njerëzve vitet e fundit?
Në perceptimin tonë, lavastovilja është pajisja që ka ndryshuar më shumë stilin e jetesës së njerëzve vitet e fundit.
Ajo që dikur shihej si një luks, sot është transformuar në një nevojë esenciale për jetën moderne, sidomos në qytete ku ritmi i përditshëm është intensiv dhe koha është një burim i çmuar.
Lavastovilja nuk kursen vetëm kohë dhe energji, por ndryshon mënyrën se si organizohet jeta e përditshme në shtëpi, duke lënë hapësirë për aktivitete më të rëndësishme ose për pushim.
Ajo ka sjellë një rehati të re në rutinën e familjeve dhe ka reduktuar ndjeshëm stresin e detyrave të përditshme.
Pajisjet e tjera që kanë ndikim të ngjashëm janë lavatriçet inteligjente dhe robotët pastrues, por lavastovilja mbetet simboli më i dukshëm i transformimit të jetesës: nga një aktivitet i lodhshëm manual në një proces të automatizuar, efikas dhe praktik.
Në thelb, “pajisjet e nënvlerësuara” janë ato që nuk duken menjëherë si të domosdoshme, por pasi i përdor konsumatori, kupton se i kursejnë kohë, energji dhe para – duke e rritur ndjeshëm cilësinë e jetesës.
The post “Shqiptarët po investojnë gjithmonë e më shumë në teknologjinë smart” appeared first on Revista Monitor.










