“Shqipëria, nga perlë e fshehur në zgjedhje e rafinuar”

0

Intervistë me Juan Tuñon, Menaxher i Përgjithshëm i Meliá Durrës

 

Shqipëria ka të gjithë potencialin për të zhvilluar një turizëm të qëndrueshëm ku markat ndërkombëtare po bëhen pjesë gjithmonë e më aktive në fushën e akomodimit.

Pavarësisht sfidave me infrastrukturën e përgjithshme apo kapitalin human, rritja e interesit për vendin tonë si destinacion shihet si  mundësi e mirë për investitorët e kësaj fushe.

Juan Tuñon, Menaxher i Përgjithshëm i Meliá Durrës pohon se perceptimi për Shqipërinë po ndryshon nga një “perlë e fshehur” në një zgjedhje të rafinuar për udhëtime mesdhetare.

 

Meliá operon si një strukturë mikpritëse gjatë gjithë vitit në Shqipëri. Si do ta karakterizonit ecurinë në muajt e parë të këtij viti dhe cilat janë pritshmëritë tuaja për sezonin veror bazuar si te tendencat e rezervimeve të hershme, ashtu edhe në zhvillimet më të gjera brenda sektorit të turizmit?

Muajt e parë të vitit kanë shënuar ritëm të qëndrueshëm dhe inkurajues.

Niveli ynë i zënies ka qenë dukshëm më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, i nxitur nga një kombinim i prenotimeve të hershme dhe i rritjes së numrit të udhëtarëve ndërkombëtarë që po e zbulojnë Shqipërinë si një destinacion që mund të vizitohet gjatë gjithë vitit.

Për sezonin veror, po vërejmë tendenca të forta prenotimesh, si nga tregjet tradicionale, si Mbretëria e Bashkuar dhe tregu vendas, ashtu edhe nga interesa të reja që vijnë nga Izraeli dhe vendet e Europës Lindore.

Ekosistemi më i gjerë turistik në Shqipëri po maturohet, me përmirësime në lidhjet ajrore dhe në përpjekjet e marketingut që po ndihmojnë në pozicionimin më konkurrues të vendit në Mesdhe.

 

Duke reflektuar mbi praninë tuaj në Shqipëri që nga fillimi i operacioneve, si do ta vlerësonit progresin dhe rritjen e përjetuar deri tani?

Që nga fillimi ynë, progresi ka qenë i jashtëzakonshëm. Kemi parë një rritje të ndjeshme në njohjen e markës, kthimin e klientëve që na zgjedhin përsëri dhe në mundësitë e partneriteteve.

Zhvillimet në infrastrukturë, rritja e besimit të investitorëve dhe mbështetja në rritje e qeverisë për turizmin kanë ndikuar pozitivisht.

Prania e Meliá është zgjeruar në përputhje me identitetin në zhvillim të turizmit shqiptar dhe jemi krenarë që po kontribuojmë në ngjitjen e Shqipërisë si një destinacion me potencial të lartë në Mesdhe.

 

A mund të na përshkruani profilin tipik të turistëve që zgjedhin hotelet Meliá në Shqipëri dhe çfarë na tregon kjo për tërheqjen në zhvillim të vendit si destinacion?

Klientët tanë tipikë janë udhëtarë për qëllime pushimi, kryesisht çifte dhe familje nga Europa Perëndimore dhe Qendrore që kërkojnë përvoja cilësore në bregdet, mirëqenie dhe kulturë lokale.

Megjithatë, po vëmë re edhe rritje të udhëtarëve të pavarur me shpenzime të larta dhe të nomadëve dixhitalë.

Kjo prirje thekson tërheqjen gjithnjë e më të madhe të Shqipërisë si një destinacion që ofron si autenticitet, ashtu edhe komoditet.

Perceptimi për Shqipërinë po ndryshon, nga një “perlë e fshehur” në një zgjedhje të rafinuar për udhëtime mesdhetare.

 

Cilat kanale prenotimi janë treguar më efektive për hotelin tuaj, marrëveshjet me grupe të organizuara apo rezervimet individuale dhe cilat tregje burimore shfaqin aktualisht interesin më të madh?

Të dyja kanalet janë të rëndësishme, por rezervimet individuale, veçanërisht nëpërmjet platformave dixhitale, kanë rritjen më të madhe.

Megjithatë, rezervimet e grupeve mbeten thelbësore gjatë sezonit të ndërmjetëm, veçanërisht për takime, udhëtime nxitëse dhe ture në grup.

Tregjet tona më të forta aktualisht janë Gjermania, Italia, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Kjo larmi tregjesh është një tregues i fuqishëm i tërheqjes në zgjerim të Shqipërisë.

 

Si pjesë e një grupi hotelesh me njohje ndërkombëtare, ju keni një perspektivë të vlefshme mbi prirjet globale të udhëtimeve dhe potencialin e destinacioneve. Si e krahasoni Shqipërinë me vendet e tjera ku operon Meliá?

Shqipëria ndan ngjashmëri me destinacione ku Meliá ka qenë dëshmitar i një transformimi të shpejtë, si disa pjesë të Kroacisë dhe Malit të Zi rreth një dekadë më parë.

Ajo ofron një mjedis natyror të paprekur, autenticitet kulturor dhe standarde në rritje në mikpritje. Megjithëse ende hasen disa sfida në lidhje me infrastrukturën dhe zhvillimin e fuqisë punëtore, potenciali këtu është i konsiderueshëm.

Shqipëria po perceptohet gjithnjë e më shumë si një destinacion “në ngjitje” në hartën globale të turizmit.

 

Në një intervistë të mëparshme vitin e kaluar, përmendët se të paktën 19 projekte hotelesh nën markën Meliá ishin planifikuar për Shqipërinë. A mund të na jepni një përditësim mbi ecurinë e tyre? Në çfarë faze janë këto zhvillime dhe si e vlerësoni potencialin e Shqipërisë për investime të mëtejshme në sektorin e mikpritjes?

Portofoli ynë prej 22 projektesh të markës Meliá po ecën mirë, me disa prona që ndodhen në faza të avancuara të zhvillimit ose projektimit. Partnerët tanë investues mbeten të përkushtuar, duke parë vlerë afatgjatë në ekonominë turistike të Shqipërisë.

Ne parashikojmë hapje të njëpasnjëshme gjatë viteve në vijim, gjë që jo vetëm do të diversifikojë praninë e Meliá-s, por edhe do të ngrejë më tej nivelin e sektorit të mikpritjes në vend.

Shqipëria vazhdon të jetë një destinacion tërheqës për investime falë vijës së saj të paprekur bregdetare, mjedisit pro-biznes dhe vendndodhjes strategjike.

 

Si e keni integruar dhe përshtatur identitetin e markës Meliá me karakteristikat dhe dinamikën unike të peizazhit turistik shqiptar?

Kemi punuar me përkushtim për të ndërthurur standardet globale të Meliá-s me hijeshinë lokale të Shqipërisë.

Kjo lidhet me përfshirjen e elementeve kulturore shqiptare në dizajn, kuzhinë dhe përvoja për klientët.

Gjithashtu bashkëpunojmë me furnitorë dhe komunitete vendase, në përputhje me objektivat tona më të gjera për qëndrueshmëri dhe ndikim social.

Rezultati është një përvojë klienti që ndihet autentikisht shqiptare, por me cilësinë dhe vazhdimësinë e shërbimit që pritet nga një markë globale si Meliá.

 

Cilat janë disa nga sfidat kryesore në menaxhimin e një prone me standard të lartë ose luksoze në një treg në zhvillim si Shqipëria —veçanërisht për sa i përket gjetjes dhe ruajtjes së kapitalit njerëzor të kualifikuar?

Një nga sfidat kryesore është disponueshmëria e personelit të kualifikuar dhe të trajnuar në fushën e mikpritjes.

Edhe pse kemi parë përparime pozitive, ekziston ende një boshllëk në trajnimin dhe përvojën e specializuar veçanërisht për rolet në shërbimet e nivelit të lartë.

Meliá ka reaguar duke investuar në programe zhvillimi për stafin, si brenda strukturave të veta, ashtu edhe në bashkëpunim me institucione lokale.

Mbajtja e stafit është gjithashtu thelbësore, ndaj fokusohemi në krijimin e një mjedisi pune mbështetës dhe të orientuar drejt karrierës, për të ulur qarkullimin dhe për të ndërtuar një bazë lokale të talenteve.

 

Nga këndvështrimi juaj, cilat janë përfitimet afatgjata që sjell rritja e turizmit premium ose luksoz për destinacione në zhvillim si Shqipëria?

Rritja e turizmit luksoz sjell një sërë përfitimesh afatgjata, nga krijimi i vendeve të punës dhe përmirësimi i infrastrukturës, deri te zhvillimi i praktikave të qëndrueshme të udhëtimit.

Ajo e rrit profilin e vendit dhe nxit shpenzime më të larta për çdo vizitor duke mbështetur ekonominë vendase.

Turizmi premium gjithashtu ka tendencën të tërheqë investitorë dhe të krijojë kërkesë për shërbime publike më cilësore, gjë që në fund përmirëson përvojën për të gjithë udhëtarët jo vetëm për ata në segmentin e luksit.

 

The post “Shqipëria, nga perlë e fshehur në zgjedhje e rafinuar” appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

1 + one =