Shqipëria dhe Sllovenia kanë nisur zyrtarisht negociatat për një marrëveshje në fushën e punësimit dhe sigurimeve shoqërore, pra që të përfitohet pension nga shqiptarët që jetojnë në Slloveni dhe për sllovenët që jetojnë këtu.
Delegacioni shqiptar drejtohej nga Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj. Olta Manjani, ndërsa pala sllovene nga Sekretari i Shtetit, z. Igor Feketija.
“Kjo Marrëveshje synon të krijojë një bazë të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në fushat e punësimit dhe sigurimeve shoqërore, duke garantuar që qytetarët të mos humbasin vitet e punës për pensionet e pleqërisë dhe të përfitojnë nga të drejtat e punësimit në të dy shtetet”, thotë Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Kjo është marrëveshja e 21-të që po negocion qeveria shqiptare me shtetet e huaja në fushën e mbrojtjes shoqërore.
Gjatë muajit të shkuar nisën negociatat edhe me Moldavinë në fushën e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve.
“Hapja e negociatave për një marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore merr një rëndësi të veçantë. Marrëveshja synon të sigurojë një gamë të gjerë përfitimesh për qytetarët shqiptarë, si: pensionin e pleqërisë, pensionin familjar dhe atë të invaliditetit”, shkruan në rrjetet sociale MEKI.
Ndërkohë më 1 korrik nis zbatimi i marrëveshjes së pensioneve me Italinë ku do të përfitojnë 500 mijë shqiptarë që jetojnë atje, të cilëve do tu jepet e drejta të bashkojnë vitet e punës që kanë në të dyja shtetet.








