Flet Eneida Thomaj, CEO e PayLink
Në një kohë kur ruajtja dhe përpunimi i të dhënave sensitive po bëhen elemente kyçe të infrastrukturës dixhitale globale, Shqipëria po paraqitet si një vend me potencial të madh për zhvillimin e qendrave të të dhënave (data centers).
Në këtë kontekst, Eneida Thomaj, CEO e kompanisë PayLink, një nga aktorët kryesorë në sektorin e pagesave dixhitale në Shqipëri dhe Kosovë, ndan vizionin e saj për pozicionimin strategjik të vendit në këtë industri.
Zonja Thomaj argumenton se me politikat dhe investimet e duhura, Shqipëria mund të bëhet një qendër rajonale konkurruese për ruajtjen dhe menaxhimin e të dhënave në Ballkan dhe më gjerë.
Në çfarë sektori për ruajtjen dhe zhvillimin e të dhënave operon kompania juaj? Cili është fokusi i veprimtarisë së saj në biznesin e data center?
Kompania PayLink operon në fushën e pagesave me kartë, është një procesor pagesash për disa banka të nivelit të dytë dhe qendër personalizimi të kartave të pagesave për VISA dhe MasterCard në Shqipëri dhe Kosovë.
Skemat ndërkombëtare të pagesave kanë standardet e tyre ndërkombëtare për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave të pagesave që menaxhohet nga PCI Council (Payment Card Industry Council) i cili është një entitet i formuar nga skemat ndërkombëtare të pagesave VISA, Mastercard, American Express, Discovery Financial Services, JCB International dhe rishtazi i është bashkuar kësaj nisme dhe China Unionpay.
PayLink është një kompani e certifikuar nga VISA dhe Mastercard për aktivitetin që kryen dhe data center i kompanisë konform standardeve PCI DSS (Payment Card Industry Data Security Standard) për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave të transaksioneve, PCI CPP (Payment Card Industry Card Production and Provisionin) për përpunimin e të dhënave të kartave që personalizohen dhe PCI 3DS (Payment Card Industry 3 Secure Domain) për procesimin e transaksioneve online nëpërmjet sistemeve “VISA Secure” dhe “Mastercard Secure Code”. PayLink gjithashtu është në përputhje me ligjin “Për sigurinë kibernetike” 25/2024 dhe gjithashtu është një kompani e certifikuar me standardin ISO 27001.
Çfarë i nevojitet Shqipërisë për të shfrytëzuar pozicionin e saj strategjik në Ballkan, me qëllim krijimin e qendrës së të dhënave për vendet fqinje?
Mendoj se Shqipëria tashmë i plotëson kriteret për të qenë një qendër për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave jo vetëm për vendet fqinje, por edhe Komunitetin Europian.
Institucionet shtetërore kanë luajtur rol të rëndësishëm në forcimin dhe përafrimin e legjislacionit kombëtar me atë të Komunitetit Europian, kanë rritur ndjeshëm kërkesat për masat teknike dhe organizative për institucionet dhe kompanitë private dhe gjithashtu ka një qasje proaktive për sigurinë kibernetike dhe ruajtjen e të dhënave.
A mendoni se Shqipëria ka potencialet infrastrukturore dhe logjistikën e duhur për krijimin e një qendre të dhënash për kompani ndërkombëtare? P.sh., Dublini në Irlandë shërben si hub, për Europën Perëndimore, apo Frankfurti për Europën, ku shumë kompani teknologjike ruajnë dhe menaxhojnë të dhënat për të gjithë Europën. Sa potencial ka vendi për krijimin e një hub-i rajonal të dhënash?
Mendoj se Shqipëria i ka potencialet infrastrukturore dhe logjistikën e duhur për krijimin e qendrave të të dhënave për kompani ndërkombëtare.
Konkretisht, vendi disponon infrastrukturë solide telekomunikuese me kabllo nënujore që e lidhin me Italinë dhe Greqinë dhe kapacitete të mjaftueshme energjie.
Pozicioni gjeografik i Shqipërisë përbën avantazh në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe pjesë të Europës Juglindore, një treg me mbi 20 milionë banorë. Investimet e fundit në Portin e Durrësit dhe Aeroportin e Tiranës përmirësojnë logjistikën.
Megjithatë, sfida kryesore mbetet mungesa e specialistëve të kualifikuar dhe nevoja për investime shtesë në infrastrukturën e sigurisë fizike.
Çfarë rekomandoni, cilat janë avantazhet fiskale që duhet të ofrojë Shqipëria apo stimuj fiskalë për investitorët në data center?
Investimet që kërkohen në kompani dhe data center janë të mëdha.
Për të tërhequr investitorë seriozë, Shqipëria duhet të ofrojë një paketë stimujsh konkretë, të cilët me krijimin e “Durana Tech Park”, si parku i parë teknologjik dhe shkencor në Shqipëri, nxisin konkurrueshmerinë rajonale dhe globale dhe ofron avantazhe krahasuese të Shqipërisë dhe lehtësi fiskale.
Këto masa janë të nevojshme, sepse periudha e kthimit të investimit në këtë sektor është më e ngadaltë krahasuar me sektorë të tjerë.
Po për kualifikimin e fuqisë punëtore që në proceset akademike, çfarë orientimi duhet të ketë në hartimin e kurrikulave, apo edhe për krijimin e institucioneve arsimore që përgatisin të rinj për krijimin apo menaxhimin e qendrës së të dhënave?
Edhe në fushën akademike, Shqipëria ka bërë hapa pozitivë. Kandidatët për punë që vijnë pranë kompanisë sonë, kanë baza të mira për sistemet informatike apo programim, çka tregon një rritje të nivelit profesional në Shqipëri.
Megjithatë, për të krijuar një forcë pune të kualifikuar për data center, nevojiten hapa konkretë si krijimi i specializimeve të reja në Cloud Computing, Data Center Management, Cybersecurity Operations.
Partneritete mes universiteteve dhe kompanive teknologjike për praktika pune, qendra trajnimi për certifikime ndërkombëtare (AWS, Microsoft Azure, VMware, Cisco) dhe gjithashtu program bursash për studime magjistrature në vendet me traditë në këtë fushë.
Aktualisht, Shqipëria prodhon një numër të lartë të diplomuarish në IT çdo vit, por për një hub rajonal të dhënash do të na duhen edhe më shumë specialistë.
Po për përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave sensitive, cilat janë sfidat dhe avantazhet e Shqipërisë për krijimin e një data center?
Sfidat për përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave janë të mëdha. Kemi të bëjmë me një paradoks interesant: nga njëra anë kemi një shoqëri që gjithnjë e më tepër konsumon të dhëna nga çdo pajisje, nga ana tjetër, rritje të kërkesave për privatësi.
Shqipëria mund t’i adresojë këto sfida nëpërmjet investimit në teknologji të avancuara si “zero-trust architecture” dhe enkriptim end-to-end, zhvillimit të qendrave të specializuara për industri të ndryshme (financiare, shëndetësore, qeveritare), krijimit të një modeli hibrid që kombinon cloud publik dhe privat.
Avantazhi ynë është se po fillojmë me infrastrukturë të re, të papërdorur, dhe mund të implementojmë standardet më të fundit pa pasur nevojë të modifikojmë sisteme të vjetra.
A është i favorshëm legjislacioni për ruajtjen dhe zhvillimin e të dhënave sensitive?
Legjislacioni shqiptar është në përputhje të plotë me GDPR-në europiane dhe Direktivën NIS2. Ligji “Për sigurinë kibernetike” 25/2024 parashikon masa të forta për mbrojtjen e të dhënave, ndërsa ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale” është harmonizuar plotësisht me standardet e BE-së.
Avantazhet legjislative përfshijnë:
- Njohjen e plotë ndërkombëtare të sistemit tonë juridik
- Procedura të qarta për licencim dhe certifikim
- Mbrojtje të fortë të investimeve të huaja
- Marrëveshje dypalëshe për shmangien e tatimit të dyfishtë
Megjithatë, rekomandoj krijimin e një ligji specifik për data center që të ofrojë edhe me shumë siguri juridike për investitorët.
Si përfundim, Shqipëria i ka të gjitha elementet për t’u bërë një hub rajonal i të dhënave: pozicion strategjik, energji të lirë dhe të pastër, legjislacion të harmonizuar me BE-në, dhe kosto operative të ulëta.
Ajo që na mungon është një strategji kombëtare e koordinuar dhe investime të targetuara në infrastrukturë dhe kapacitete njerëzore. Me politikat e duhura, Shqipëria mund të tërheqë investime në këtë sektor brenda 5 viteve.
Eneida Thomaj
“Shqipëria i ka të gjitha elementet për t’u bërë një hub rajonal i të dhënave: pozicion strategjik, energji të lirë dhe të pastër, legjislacion të harmonizuar me BE-në dhe kosto operative të ulëta. Ajo që na mungon është një strategji kombëtare e koordinuar dhe investime të targetuara në infrastrukturë dhe kapacitete njerëzore. Me politikat e duhura, mund të tërheqim investime të konsiderueshme në këtë sektor brenda 5 viteve.”
The post “Shqipëria ka potencialin për t’u bërë një hub rajonal i të dhënave” appeared first on Revista Monitor.











