Rritja e kreditimit është në linjë me zhvillimet strukturore të ekonomisë

0

Intervistë me Dritan Mustafa, drejtor i përgjithshëm i Tirana Bank

 

Rritja e kreditimit gjatë vitit 2024, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në segmentin e korporatave, është në linjë me zhvillimet strukturore që po përjeton ekonomia shqiptare.

Dritan Mustafa, drejtor i përgjithshëm i Tirana Bank, thotë për “Monitor” se për katër apo pesë vite me radhë, roli i turizmit, ndërtimit dhe investimeve në infrastrukturë është rritur ndjeshëm, duke krijuar kërkesë të shtuar për financim afatgjatë nga sektori bankar.

Sipas tij, kjo rritje, ndonëse e mirëpritur, kërkon një vëmendje të shtuar ndaj përqendrimeve dhe menaxhimit të ekspozimeve të mëdha.

Financimet në sektorin e pasurive të paluajtshme, sipas z. Mustafa, janë të orientuara drejt projekteve të qëndrueshme, me logjikë ekonomike afatgjatë dhe që kontribuojnë në zhvillimin urban apo turistik të vendit.

Ekspozimet në segmentin korporativ përqendrohen në klientë me bilance solide dhe plane biznesi të mirëstrukturuara, në sektorë si energjia e rinovueshme, tregtia, logjistika, etj.

 

Si e vlerësoni ecurinë e aktivitetit të Tirana Bank gjatë vitit të kaluar dhe cilat ishin, në këndvështrimin tuaj, zhvillimet më të rëndësishme për sektorin bankar në përgjithësi?

Jam i kënaqur të ndaj me ju se viti 2024 ka qenë një vit rekordesh për Tirana Bank, i cili shënoi arritje të rëndësishme financiare, por edhe konsolidimin e mëtejshëm të rolit tonë si një nga institucionet me rritjen më të shpejtë në sistemin bankar shqiptar.

Krahasuar me një vit më parë, totali i aseteve u rrit me 30%, duke arritur në 1.63 miliardë euro, ndërsa portofoli i kredisë u zgjerua me 41%, duke kapur vlerën e 800 milionë eurove.

Zgjerimi i ndjeshëm tregon angazhimin tonë për të mbështetur ekonominë lokale, duke financuar sektorë strategjikë si tregtia, infrastruktura, energjia e rinovueshme, turizmi dhe agrobiznesi.

Njëkohësisht, depozitat e klientëve u rritën me 22%, konfirmim i besimit të lartë që klientët kanë ndaj Bankës sonë.

Një nga arritjet më domethënëse ishte përshpejtimi i transformimit dixhital. Me prezantimin e platformës TiStart, mundësuam hapjen e llogarive të reja të individëve në mënyrë plotësisht online, duke vendosur një standard të ri në përvojën bankare në Shqipëri.

Po ashtu, optimizuam proceset e kreditimit dhe hodhëm në treg kartën ekskluzive Mastercard World Elite, një tjetër dëshmi e përkushtimit tonë për inovacion dhe orientim ndaj klientit.

Viti 2024 shënoi gjithashtu një fazë të re pjekurie për sistemin bankar shqiptar.

Rritja e ndërgjegjësimit për nevojën e dixhitalizimit, konsolidimi i mëtejshëm i sektorit, si dhe investimet në sigurinë kibernetike dhe përmirësimin e përvojës së klientit ishin zhvillime kyçe që ndikuan pozitivisht në të gjithë sektorin.

Në përmbledhje, 2024 ishte një vit që e forcoi më tej pozicionin e Tirana Bank si një nga institucionet financiare më të rëndësishme dhe dinamike në vend.

Ne jemi të bindur se falë strategjisë sonë të zgjerimit të aktivitetit, inovacionit të vazhdueshëm dhe ekipit tonë të përkushtuar, do të vijojmë të luajmë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit bankar dhe të ekonomisë shqiptare në tërësi.

 

Gjatë vitit 2024, u regjistrua një rritje e shpejtë e kreditimit, veçanërisht për financimin e pasurive të paluajtshme dhe në segmentin e biznesit të madh, ndërsa Banka e Shqipërisë vendosi të aplikojë për herë të parë shtesën kundërciklike të kapitalit. Besoni se ka vend për shqetësim në lidhje me rritjen e ekspozimit të sektorit bankar në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe me shtimin e ekspozimeve të mëdha në segmentin e korporatave?

Rritja e kreditimit gjatë vitit 2024, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në segmentin e korporatave është në linjë me zhvillimet strukturore që po përjeton ekonomia shqiptare.

Për katër apo pesë vite me radhë, roli i turizmit, ndërtimit dhe investimeve në infrastrukturë është rritur ndjeshëm duke krijuar kërkesë të shtuar për financim afatgjatë nga sektori bankar.

Kjo rritje, ndonëse e mirëpritur, kërkon një vëmendje të shtuar ndaj përqendrimeve dhe menaxhimit të ekspozimeve të mëdha.

Aplikimi për herë të parë i shtesës kundërciklike të kapitalit nga Banka e Shqipërisë synon të ruajë balancën mes rritjes së kreditimit dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të sistemit financiar dhe ne si Tirana Bank jemi të përgatitur për të përmbushur këto kërkesa.

Vlerësimi dhe menaxhimi i riskut mbetet një prioritet thelbësor, ndaj edhe norma e kredive problematike në dhjetor 2024 ishte 3.1%, ndër më të ulëtat në sektorin bankar.

Financimet në sektorin e pasurive të paluajtshme janë të orientuara drejt projekteve të qëndrueshme, me logjikë ekonomike afatgjatë dhe që kontribuojnë në zhvillimin urban apo turistik të vendit.

Po kështu, ekspozimet në segmentin korporativ përqendrohen në klientë me bilance solide dhe plane biznesi të mirëstrukturuara, në sektorë si energjia e rinovueshme, tregtia, logjistika, etj.

Në përputhje me strategjinë tonë të zgjerimit të aktivitetit, rritja e qëndrueshme nuk nënkupton thjesht volum më të madh kredie, por cilësi më të lartë të vendimmarrjes dhe kujdes në menaxhimin e riskut.

Tirana Bank mbetet e angazhuar për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit, ndërkohë që ruajmë integritetin financiar të institucionit dhe sigurinë e depozituesve tanë, duke respektuar dhe duke përmbushur njëkohësisht të gjitha kërkesat rregullatore të vendosura nga Banka e Shqipërisë.

 

Kredia

Rritja e kreditimit gjatë vitit 2024, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në segmentin e korporatave, është në linjë me zhvillimet strukturore që po përjeton ekonomia shqiptare. Për katër apo pesë vite me radhë, roli i turizmit, ndërtimit dhe investimeve në infrastrukturë është rritur ndjeshëm duke krijuar kërkesë të shtuar për financim afatgjatë nga sektori bankar. Kjo rritje, ndonëse e mirëpritur, kërkon një vëmendje të shtuar ndaj përqendrimeve dhe menaxhimit të ekspozimeve të mëdha.

 

Cilat mendoni se do të jenë çështjet dhe sfidat kryesore për sektorin bankar për vitin 2025?

Viti 2025 do të jetë një vit me zhvillime të rëndësishme për sektorin bankar, si në drejtim të mundësive të reja për rritje, ashtu edhe të sfidave që lidhen me një mjedis gjithnjë e më kompleks dhe të ndërlidhur.

Një nga çështjet më të rëndësishme do të jetë thellimi i transformimit dixhital, jo vetëm në ofrimin e shërbimeve ndaj klientëve, por edhe në proceset e brendshme të bankave, në analizën e të dhënave dhe në vendimmarrjen e bazuar në Inteligjencë Artificiale.

Kjo do të kërkojë jo vetëm investime teknologjike, por edhe zhvillimin e vazhdueshëm të burimeve njerëzore dhe aftësive të reja në ekipe.

Siguria kibernetike do të vazhdojë të mbetet përparësi, duke marrë parasysh rritjen e ekspozimit për shkak të dixhitalizimit dhe kërcënimeve gjithnjë e më të sofistikuara.

Bankat do të duhet të forcojnë arkitekturën e tyre të mbrojtjes dhe të punojnë në bashkëpunim të ngushtë me rregullatorët dhe aktorët e tjerë të sistemit financiar.

Në aspektin ekonomik, mbikëqyrja më e fortë rregullatore, përfshirë instrumente apo rregulla të reja për ekspozimet e mëdha, do të kërkojë që bankat të jenë edhe më të kujdesshme në menaxhimin e balancave, likuiditetit dhe riskut të kreditit.

Normat e vazhdueshme të larta ose të paqëndrueshme të interesit mund të reduktojnë huamarrjen dhe të rrisin rrezikun e mospagesës së kredisë. Gjithashtu, menaxhimi i marzheve neto të interesit bëhet më kompleks dhe sfidues.

Kjo e bën edhe më të rëndësishëm diversifikimin e të ardhurave dhe forcimin e efikasitetit operacional.

Rëndësia e qëndrueshmërisë dhe financimit të gjelbër do të vijojë të rritet. Bankat do të luajnë një rol kyç në financimin e tranzicionit të gjelbër dhe në përafrimin me praktikat ESG, si pjesë e angazhimit të tyre për zhvillim të qëndrueshëm.

Në Tirana Bank, ne besojmë se për të përballuar me sukses këto sfida, duhet të jemi të qëndrueshëm në vizionin tonë, fleksibël në zbatim dhe të orientuar gjithnjë drejt klientit.

 

Lexoni më shumë:

Sektori bankar, a ka rrezik nga euforia?

 

The post Rritja e kreditimit është në linjë me zhvillimet strukturore të ekonomisë appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

7 + seven =