Pas një rimëkëmbjeje të fortë ekonomike në vitin 2024, kur investimet e hoteleve në të gjithë Europën arritën në 20 miliardë euro, ato pritet të vazhdojnë trajektoren pozitive në vitin 2025, sipas hulumtimit të agjencisë CBRE.
Për sa u përket investimeve në hotelet në rajonin e Europës Juglindore, vitin e kaluar pati rritje modeste të kërkesës për këtë lloj pasurie të paluajtshme, veçanërisht në Serbi dhe Kroaci, thanë ekspertët e agjencisë CBRE për gazetën eKapija.
“Vëllimi i përgjithshëm i investimeve në Serbi vitin e kaluar tejkaloi shifrën 300 milionë euro, ku sektori i hotelerisë përbën pak më shumë se 30% të vëllimit të përgjithshëm të transaksioneve. Në Kroaci, ky sektor regjistroi rritje të fortë, veçanërisht në zonat bregdetare, si dhe interes nga investitorët ndërkombëtarë”, tha Jana Jovanović, shefe e Kërkimit të Tregut për rajonin e Europës Juglindore në agjencinë CBRE.
“Për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve turistike në rajonin tonë, veçanërisht në Serbi, infrastruktura mbetet çështje kyçe, pasi është thelbësore që turistët të arrijnë lehtësisht vendet e pushimit ku dëshirojnë të shkojnë. Po aq e rëndësishme është cilësia e ofertës, vëren Zoran Danilović, drejtor në Departamentin e Investimeve dhe Hoteleve për rajonin e Europës Juglindore, në agjencinë CBRE.
“Për zhvillimin e veprimtarive të larmishme, është thelbësore që të ketë prenotime jashtë sezonit të pikut. Kjo kërkon bashkëpunim midis operatorëve, autoriteteve lokale dhe organeve të tjera përgjegjëse për zhvillimin e turizmit. Bashkëpunimi midis hoteleve dhe operatorëve mund të nxisë më shumë vizitorë jashtë sezonit. Kjo ndihmon në uljen e ngarkesës, rritjen e çmimeve, rritjen e ekonomisë dhe të investimeve”, shpjegon Danilović, duke shtuar se biznesi i hotelerisë nuk është një sprint, por një maratonë që shkon paralelisht me zhvillimin e turizmit.
Ndërsa besimi i investitorëve po rritet, sektori europian i hotelerisë pritet të vazhdojë të zgjerohet në vitin 2025, i mbështetur nga yield-et tërheqëse, oferta e fortë, kërkesa në rritje dhe parashikime më optimiste, të cilat së bashku po nxisin flukset e kapitalit.
Ekspertët e agjencisë CBRE parashikojnë rritje prej 5% deri në 10% të investimeve në këtë sektor, gjatë vitit 2025, me kusht që të mos ketë trazira të paparashikueshme ekonomike. Konstatohet gjithashtu besim i qëndrueshëm i investitorëve në sektor, falë kushteve të mira të tregut, rritjes së kërkesës për udhëtime dhe interesit të vazhdueshëm, si nga investitorët institucionalë, ashtu edhe nga ata privatë.
Sipas hulumtimit të CBRE-së për synimet e investitorëve në sektorin europian të hotelerisë, mbi 90% e investitorëve në Europë kanë në plan të vazhdojnë ose të rrisin investimet në hotele në vitin 2025, duke reflektuar besimin e fortë në rritjen e sektorit. Krahasuar me sondazhin e vitit të kaluar, mendimi i investitorëve nuk ka ndryshuar shumë dhe përqindja e atyre që planifikojnë të rrisin investimet, ra nga 42% në 26% në vitin 2025, duke reflektuar pjesërisht faktin se shumë investitorë kanë bërë tashmë investime domethënëse në vitin 2024.
The post Rreth 100 milionë euro janë investuar në sektorin e hotelerisë vitin e kaluar në Serbi appeared first on Revista Monitor.







