Rekord shkurtimesh pune në tetor, IA dhe ulja e kostove godasin tregun e punës në SHBA

0

Kompanitë amerikane kanë njoftuar numrin më të madh të pushimeve nga puna për muajin tetor në më shumë se dy dekada, ndërsa inteligjenca artificiale po riformëson industritë dhe masat për uljen e kostove po përshpejtohen, sipas të dhënave të firmës së këshillimit për punësim Challenger, Gray & Christmas Inc.

Muajin e kaluar, kompanitë njoftuan 153,074 pushime nga puna, gati trefishi i numrit të regjistruar në të njëjtin muaj një vit më pare, të nxitura kryesisht nga sektori i teknologjisë dhe ai i magazinimit. Ky është numri më i lartë për muajin tetor që nga viti 2003, kur shfaqja e telefonave celularë solli një tronditje të ngjashme, tha Andy Challenger, shefi i të ardhurave të kompanisë.

“Disa industri po bëjnë ndryshime pas ‘bumit’ të punësimeve gjatë pandemisë, por kjo ndodh në një kohë kur adoptimi i inteligjencës artificiale, dobësimi i shpenzimeve të konsumatorëve dhe korporatave, si dhe rritja e kostove, po i shtyjnë kompanitë të shtrëngojnë rripat dhe të ngrijnë punësimet,” tha Challenger në raport.

“Ata që po pushohen tani e kanë më të vështirë të gjejnë shpejt role të reja, gjë që mund ta zbusë më tej tregun e punës.”

Shifrat janë të dobëta sido që të interpretohen. Numri i përgjithshëm i pushimeve nga puna që nga fillimi i vitit ka kaluar 1 milion, niveli më i lartë që nga pandemia. Në të njëjtën periudhë, punëdhënësit me bazë në SHBA kanë njoftuar më pak plane punësimi se në çdo vit tjetër që nga 2011. Planet sezonale të punësimit deri në tetor janë më të ulëtat që nga viti 2012, kur Challenger nisi t’iregjistrojë ato.

“Është e mundur që me uljet e normave të interesit dhe me një ecuri të fortë në nëntor, kompanitë të bëjnë një përpjekje të vonuar për të rekrutuar punonjës,” tha Challenger. “Por në këtë fazë, ne nuk presim një mjedis të fortë punësimi sezonal në vitin 2025.”

Njoftimet e shumta për shkurtime rrezikojnë të nxisin shqetësime mbi shëndetin e tregut të punës, pikërisht në një kohë kur amerikanët e sapopushuar nga puna po përballen me një mjedis punësimi më të dobët. Këto shifra gjithashtu mund të duken në kundërshtim me përshkrimin e fundit të kryetarit të Rezervës Federale, Jerome Powell, i cili e quajti situatën “një ftohje shumë graduale” të tregut të punës.

Raporti vendos një shifër mbi provat anekdotike për valën e pushimeve që po përhapet në ekonomi. Amazon.com Inc., Meta Platforms Inc., Target Corp. dhe Paramount Skydance Corp. ishin ndër kompanitë që bënë njoftime për pushime nga puna muajin e kaluar, ndërsa punësimet kanë qenë të vakëta në shumë sektorë.

Sipas të dhënave të publikuara të mërkurën nga ADP Research, numri i të punësuarve në kompanitë amerikane u rrit me 42,000 në tetor, pas dy muajsh radhazi me rënie, duke sinjalizuar njëfarë stabilizimi, por në përputhje me një dobësim të përgjithshëm të kërkesës për punë.

Ndërkohë, Revelio Labs pritet të publikojë një raport tjetër mbi tregun e punës gjatë ditës së enjte, ndërsa ekonomistët po mbështeten gjithnjë e më shumë në të dhënat e sektorit privat për shkak të pezullimit të funksionimit të agjencive qeveritare. / Bloomberg

The post Rekord shkurtimesh pune në tetor, IA dhe ulja e kostove godasin tregun e punës në SHBA appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

twelve + 15 =