Rrjeti i kanalizimeve në disa zona të qytetit të Durrësit pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjeve të reja, me synimin për të zgjidhur një sërë problematikash të shfaqura ndër vite, si dhe për t’u përshtatur me zgjerimin urban të qytetit.
Në një procedurë të hapur të shpallur këtë të premte, me një fond limit prej rreth 1.3 milionë eurosh, janë publikuar edhe detajet e projektit.
“Zona ku do të kryhet ky investim ndodhet në pjesën verilindore të qytetit, pranë Tregut të Madh Industrial, dhe përfshin rrugët ‘Dalip Peza’, ‘Ahmet Dakli’, duke vazhduar përgjatë rrugëve ‘Glaukia’, ‘Malo Xheneti’, ‘Ksanthipi Syko’, dhe përfundon pranë Stacionit të Pompave të UN nr. 7, që ndodhet në rrugën ‘Hysen Kërtusha’,” thuhet në dokument.
I njëjti dokument thekson se sistemi i kanalizimeve të qytetit të Durrësit është një sistem i veçantë, për shkak se lëvizja e ujërave realizohet me ngritje mekanike nëpërmjet stacioneve të pompimit.
Kjo zgjidhje është e detyruar pasi pjerrësia e tubacioneve është e pamjaftueshme për rrjedhjen natyrale të ujit drejt kolektorëve kryesorë. Stacionet e pompave janë vendosur në mënyrë të tillë që të sigurojnë një shfrytëzim sa më efikas të rrjetit të kanalizimeve.
Sipas raportit të ndikimit në mjedis, në këtë zonë – ashtu si në të gjithë lagjet e qytetit – ujërat e ndotura dhe ato të bardha derdhen në të njëjtin kolektor.
Kjo ndodh sepse sistemi i kanalizimeve është i përbërë dhe shumë i vjetër, çka vështirëson funksionimin normal të kolektorëve, të cilët punojnë me kapacitet të reduktuar dhe shpesh shkaktojnë dalje të ujërave në sipërfaqe.
“Ujërat e ndotura të kësaj zone mblidhen me rrjedhje të lirë në Stacionin kryesor të Pompimit nr. 7/1, i ndërtuar në vitin 2019 me investimet e Bankës Botërore.
Në këtë stacion derdhen edhe të gjitha ujërat e pjesës veriore dhe perëndimore të qytetit,” thuhet në raport. Ndikimi i projektit lidhet me një zonë ku jetojnë rreth 5 mijë banorë rezidentë dhe qarkullojnë rreth 1 mijë persona në ditë.
The post Rehabilitimi i kanalizimeve në Durrës, 1.3 milionë euro për ndërhyrjet appeared first on Revista Monitor.








