Intervistë me Herjola Spahiu, drejtore e përgjithshme e NOA
Institucionet financiare jobanka deri më sot kanë pasur peshën kryesore në kreditimin e fermerëve të vegjël në Shqipëri.
Herjola Spahiu, drejtore e përgjithshme e institucionet financiar NOA, thotë në një intervistë për “Monitor” se kreditimi i sektorit bujqësor mbështetet në modele të veçanta biznesi, që ka mundësuar mbështetjen e këtij sektori, pavarësisht sfidave që ky sektor shtron.
Sipas saj, qasja e institucioneve mikrofinaciare nuk e vlerëson riskun e kredisë duke pritur dokumentacion nga klienti, sepse për gjendjen e sektorit bujqësor në Shqipëri kjo është e pamundur.
Këto institucione kanë ndërtuar modele të brendshme të vlerësimit të riskut, në përputhje me tipologjinë e aktivitetit bujqësor.
Këto modele japin informacion që shkon përtej asaj që mund të ofrojnë pasqyrat financiare të një klienti, duke mundësuar vlerësimin e rreziqeve dhe financimin e fermerëve.
Ndërkohë, sipas saj, element i domosdoshëm i kreditimit të bujqësisë është prania e vazhdueshme në terren, për këshillimin e klientit dhe ndjekjen e vazhdueshme të ciklit të kredisë.
Cilat janë sfidat kryesore të kreditimit të bujqësisë për institucionet financiare?
Bujqësia mbetet një sektor i vështirë për t’u financuar, sidomos nga sektori bankar, për shumë arsye. E para dhe duhet ta pranojmë të gjithë, bujqësia ngelet ende një nga sektorët më informalë të ekonomisë shqiptare.
Pjesa më e madhe e fermerëve janë ende të paregjistruar dhe nuk kanë as histori kreditimi. Këto përbëjnë një vështirësi madhore për të krijuar një profil të rrezikut të klientit, për ta kredituar atë.
Një aspekt tjetër është sezonaliteti i të ardhurave. Bujqësia, për shkak të ciklit të prodhimit, ka luhatshmëri të të ardhurave, mund të ketë një apo dy sezone në vit kur fermeri arkëton para dhe ka mundësi të paguajë kreditë.
Kjo kërkon një përshtatje të produktit financiar me këtë cikël të të ardhurave.
Fragmentimi i tokave dhe mungesa e kolateraleve ngelet një problem i madh, sidomos kur bëhet fjalë për të financuar projekte të reja investimi, që kërkojnë shuma më të mëdha.
Në përgjithësi, kreditë për fermerët që kanë qëllim financimin e farërave apo inputeve bujqësore kanë shuma të vogla dhe jepen pa kolateral, si dhe me sezone të shkurtra.
Bujqësia është një nga ata sektorë ku rreziqet natyrore janë të mëdha, në varësi të fenomeneve atmosferike. Këta janë faktorë jashtë dëshirës dhe vullnetit të fermerit dhe e bëjnë të vështirë parashikimin e sezonit të prodhimit.
Për fat të keq, në Shqipëri mungojnë edhe siguracionet për produktet bujqësore. Kjo është një problematikë madhore që duhet adresuar, në mënyrë që kreditimi i bujqësisë të rritet më shumë, edhe nga sektori bankar.
Vitet e fundit kemi hasur një problematikë tjetër që lidhet me emigracionin.
Tendenca e brezave të rinj në zonat rurale është të mos ndjekin traditën familjare në menaxhimin e fermave, por të vendosen në zonat urbane ose të emigrojnë jashtë vendit.
Kjo ka ndikuar në uljen e numrit të njësive aktive bujqësore dhe në përgjithësi, në rënien e fuqisë punëtore në bujqësi.
Të mos harrojmë që bujqësia në Shqipëri ka një shkallë të ulët automatizimi dhe pjesa më e madhe e punëve kryhen manualisht, ndaj tkurrja dhe plakja e fuqisë punëtore ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e rendimentit të fermës dhe në mundësitë për ta menaxhuar.
Nga ana tjetër, edhe kostoja e procesit të kredidhënies në bujqësi dhe blegtori është shumë e lartë.
Kjo kërkon më shumë kohë dhe më shumë kosto logjistike dhe operacionale për një institucion financiar, jo vetëm për ta dhënë, por sidomos për ta monitoruar në vazhdimësi ecurinë e saj.
Si keni arritur t’i adresoni këto sfida dhe cila ka qenë qasja juaj në kreditimin e fermerëve dhe sipërmarrjeve bujqësore?
Është një model biznesi i ndërtuar në vite, që i ka fillesat në modelet e ngjashme ndërkombëtare.
Disa prej institucioneve mikrofinanciare, si NOA, janë krijuar nga institucione të huaja financiare me fokus kryesor financimin e zonave rurale.
Modelet janë të tilla që të jenë sa më fleksibël në përputhje me karakteristikat e sektorit. Ne kemi kredi që mund të kenë një apo dy këste gjithë vitin, në varësi të ciklit të shitjes së prodhimit dhe mbledhjes së të ardhurave.
Patjetër që çdo kredi për bujqësinë nuk mund të jepet nga zyra.
Stafi ynë bën një monitorim të vazhdueshëm në terren, jo vetëm në fazën e aplikimit të fermerit për kredi, por gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj dhe sidomos në momentin kur cikli i prodhimit është në pikun e tij, për të siguruar ecurinë e mirë të ciklit dhe shlyerjes së kredisë.
Kemi qenë shumë fleksibël në garancitë me pasuri të paluajtshme.
Ne kemi qenë shumë të pranishëm në financimin e nevojave për kapital qarkullues dhe në vlera atë vogla, që nuk kërkojnë mbulim me kolateral.
Nuk kemi qenë shumë të pranishëm në financimin e investimeve të tokave, magazinave, fabrikave, pikave të grumbullimit, sepse ato janë biznese që kanë mundësi të ofrojnë kolaterale dhe më shumë shërbehen nga sektori bankar.
Ndërsa fermeri i vogël është kryesisht i adresuar te ne.
Duke pasur kosto risku më të lartë, edhe marzhet tona me këto kredi janë më të larta. Nuk janë të krahasueshme me normat e sektorit bankar për ndërmarrjet më të mëdha të agrobiznesit.
Ç’është më e rëndësishmja, modeli ynë nuk e vlerëson riskun e kredisë duke pritur dokumentacion nga klienti, sepse për gjendjen e sektorit bujqësor në Shqipëri kjo është e pamundur.
Ne kemi ndërtuar modele të brendshme të vlerësimit të riskut. Mund të kemi mbi 35 karta të vlerësimit të riskut, në përputhje me tipologjinë e aktivitetit.
Ne bëjmë një vlerësim të brendshëm me matrica të mirëndërtuara, në bashkëpunim edhe me Universitetin Bujqësor, të cilat na japin edhe produktivitetin, edhe përfitueshmërinë që mund të ketë çdo fermë sipas aktivitetit të saj.
Këto modele na japin informacion që shkon përtej asaj që mund të ofrojnë pasqyrat financiare të një klienti.
Kjo na ka dhënë forcën kryesore për të zbutur sa më shumë rreziqet. Nga ana tjetër, siç e përmenda, prania e vazhdueshme në terren është element i domosdoshëm, duke filluar nga këshillimi i klientit.
Oficerët tanë janë gjithmonë pika kontakti për informacion dhe këshillim nga fermerët.
Çfarë përmasash ka aktualisht kreditimi i bujqësisë nga sektori financiar jobankar?
Ne grumbullojmë të dhëna për sektorin e bujqësisë edhe brenda shoqatës Mikrofinanca Shqiptare.
Kredia për bujqësinë dhënë nga anëtarët e kësaj shoqate, duke përfshirë institucione financiare jo banka, por edhe shoqëri kursim-krediti, është më shumë se 90 milionë euro, në fund të 2024-s.
Kjo shumë është më e madhe krahasuar me portofolin prej rreth 64 milionë eurosh të sektorit bankar.
Ndërkohë, kredia për bujqësinë paraqet edhe tregues të mirë të performancës, me një raport të kredive me probleme pranë nivelit të 3%?
Ky është një element shumë i rëndësishëm për ne, sepse kostoja e riskut mbahet mirë nën kontroll.
Fermerët e vegjël janë shumë të përgjegjshëm te rikthimi i kredisë, sepse e kanë kuptuar sa e rëndësishme është të ruash një marrëdhënie me institucionin financiar dhe të kesh një derë të hapur për financime të tjera në të ardhmen.
Në përgjithësi, edhe kur ka probleme, arrijmë të gjejmë zgjidhje në bashkëpunim me fermerin, nëpërmjet ristrukturimeve dhe kemi arritur të ruajmë marrëdhëniet me fermerin.
Për shembull, në rastin e fundit të sëmundjes së bagëtive të imëta, kemi pasur jo më shumë se 10 raste të klientëve të prekur nga situata, jo direkt për shkak të sëmundjes, por për shkak të masave për ndalimin e tregtimit.
Problematikat me riskun në bujqësi, në fakt, lidhen kryesisht me emigracionin.
Kryesisht sot kreditë me probleme në bujqësi lidhen me raste të largimit ose emigrimit të fermerëve.
Megjithatë, në përgjithësi fakti që kreditë janë në shuma të vogla dhe rreziku është i shpërndarë në shumë huamarrës ndihmon për ta mbajtur nën kontroll treguesin e kredive me probleme.
Sa mund të ndihmojnë programet mbështetëse (linja financimi, skema garancie, etj.) për rritjen e kreditimit të bujqësisë?
Nismat për lehtësimin e kreditimit të bujqësisë patjetër që janë shumë pozitive. Mendoj se është për t’u përshëndetur përpjekja për të ndërtuar skema garancie për biznesin e vogël, duke përfshirë edhe bujqësinë.
Ne nuk jemi pjesë e skemave të prezantuara kohët e fundit nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria, dhe i kemi vlerësuar ato në distancë.
Natyrisht, fakti që ato u adresohen vetëm klientëve të sektorit bankar i bën ato më pak gjithëpërfshirëse, sidomos për fermerët e vegjël dhe për ato arsye që përmenda më lart.
Ndaj mendoj se këto skema do t’u shërbejnë më shumë kompanive më të mëdha dhe më të strukturuara, sidomos duke qenë se ato shoqërohen me norma tavan interesi për financimet.
Sidoqoftë, mendoj se janë nisma pozitive, sepse ndihmojnë në ndërgjegjësimin e fermerëve për rëndësinë e formalizimit, që të përfitojnë prej këtyre skemave në të ardhmen.
Ne prej vitesh përpiqemi të japim stimuj për formalizimin, duke bërë edhe diferencim në çmim mes fermerëve të formalizuar dhe atyre të paformalizuar.
Mendoj se këto skema duhet të jenë më përfshirëse, duke përfshirë në to edhe institucionet financiare jobanka, si një hallkë me përvojën e duhur që mund të ndihmojë edhe në rritjen e formalizimit.
Për sa i përket vendosjes së normave maksimale të interesit, e thamë që bujqësia ka kosto të larta operacionale, ndaj është e vështirë që me atë normë interesi të mbulojë minimalisht kostot e institucionet financiar.
Ndaj, mendoj se duhen skema që mund të përfshijnë realisht fermerin e vogël, aty ku ka informalitet dhe kosto më të larta financimi.
Vendosja e një garancie nga qeveria e bën më të lehtë procesin, sepse kjo e ul disi riskun e financimit, por nuk i mbulon dot të gjitha kostot.
Unë do të shtoja dy gjëra në këto skema.
E para që, përtej garancisë, të shtohet edhe një produkt për sigurimin e fermerëve. Dhe e dyta, duhet patjetër edhe këshillimi dhe edukimi financiar për fermerin, sepse ata kanë shumë nevojë për një mbështetje të tillë.
Mund të sugjeroni masa apo ndërhyrje që do ta bënin bujqësinë një sektor më konkurrues dhe më të kreditueshëm nga sektori financiar?
Unë do të shtoja edhe sigurimin e zinxhirit të vlerës. Një nga problematikat e fermerëve ndër vite është luhatja e çmimeve.
Ndoshta krijimi i një forme ligjore ku fermerët të hyjnë në kontrata paraprake që në momentin kur ata fillojnë të prodhojnë diçka, me çmim të paracaktuar, do t’i mbronte ata nga pasiguria në momentin e shitjes së prodhimit.
Ekzistojnë shembuj të tillë në botë, ku formalizimi i zinxhirit të vlerës e ka ndihmuar shumë fermerin e vogël.
Ju përmendët produktet e sigurimit, si një element që do të ndihmonte rritjen e kreditimit të bujqësisë. A mund të kenë një rol institucionet financiare të kredidhënies në ofrimin e këtyre produkteve edhe në Shqipëri?
Mendoj se bashkëpunimi i institucioneve financiare me kompanitë e sigurimit mund të rezultojë shumë i frytshëm për të ndërtuar produkte sigurimi për sektorin e bujqësisë.
Ne kemi shembuj të mirë në Ballkan, siç është rasti i Maqedonisë së Veriut. Edhe në Shqipëri është tentuar disa herë, por ka pasur vetëm rezultate sporadike.
Thuhet shpesh që primi i sigurimit në bujqësi është i lartë, por nëse fermerit i shpjegohet rëndësia e sigurimit ai mund të jetë i gatshëm ta paguajë këtë prim si pjesë e kësteve të kredisë, siç ndodh sot me produkte të tjera sigurimi që kërkohen nga sektori bankar dhe financiar.
Rasti më tipik është sigurimi i pronës për kredinë.
Mendoj që duhet të ndërtohet një bashkëpunim i tillë edhe për kreditimin e bujqësisë.
The post “Receta” e mikrofinancës për kreditimin e bujqësisë appeared first on Revista Monitor.










