Raporti i Deloitte nxit dyshime për përdorimin e inteligjencës artificiale

0

Një raport i rëndësishëm i përgatitur nga kompania Deloitte për qeverinë australiane është i mbushur me gabime në citime, duke ngjallur shqetësime se mund të jetë gjeneruar me ndihmën e inteligjencës artificiale. Por kompania këmbëngul se bëhet fjalë vetëm për pasaktësi në titujt dhe, në disa raste, në datat dhe botuesit e referencave.

Chris Rudge, akademik i Universitetit të Sidneit në fushën e mirëqenies sociale, zbuloi gabimet në një raport të Deloitte për Departamentin e Marrëdhënieve të Punës (DEWR), mbi sistemin informatik që përdoret për të automatizuar gjobat dhe pezullimet e përkohshme të pagesave të ndihmës sociale.

Citime për libra që nuk ekzistojnë

Raporti i datës 4 korrik, i publikuar javën e kaluar, citon dy vepra të studiueses Lisa Burton Crawford: një të titulluar “Shteti i së Drejtës dhe Drejtësia Administrative në Shtetin e Mirëqenies: Një studim mbi Centrelink” dhe tjetrën “Shteti i së Drejtës dhe Diskrecioni Administrativ”. Të dyja të ashtuquajturat botime pretendohej se ishin publikuar në vitin 2021 nga shtëpia botuese Federation Press.

Crawford deklaroi për Australian Financial Review se megjithëse ajo ka publikuar studime për çështje të ngjashme dhe disa prej tyre lidhen me temat që trajton raporti, “veprat e përmendura në raport në fakt nuk ekzistojnë dhe nuk ishte gjithmonë e qartë për mua se si kërkimet që kam botuar mbështesnin argumentet për të cilat isha cituar”. Ajo shtoi se “është shqetësuese të shoh që emri im është përdorur në këtë mënyrë” dhe kërkoi shpjegime nga Deloitte për mënyrën se si janë gjeneruar citimet.

Raporti përfshin gjithashtu një artikull të supozuar nga Carolyn Adams me titull “Zgjedhja, Përgjegjësia dhe Rregullimi i Sjelljes: Mësime nga Sistemi i Sigurimeve Shoqërore”, të publikuar thuhet në vitin 2012 nga UNSW Law Journal. Në realitet, asnjë artikull i tillë nuk gjendet as në prodhimin akademik të autores, as në atë numër të revistës. Përkundrazi, faqet e cituara përmbanin një artikull me titull “Nga Platoni te NATO: Ligji dhe Drejtësia Sociale në Kontekst Historik”.

Reagimi i Deloitte

Përmes një zëdhënëseje, Deloitte deklaroi se “qëndron pas punës sonë dhe gjetjeve të raportit”, por refuzoi të përgjigjej drejtpërdrejt nëse ishte përdorur AI për hartimin e tij. “Përmbajtja e çdo artikulli të cituar është e saktë,” tha zëdhënësja, duke shtuar se “në finalizimin e shënimeve poshtëfaqe, disa tituj nuk përputheshin plotësisht me burimet përkatëse. Kjo është komunikuar me klientin dhe referencat po korrigjohen.”

Lista e re e burimeve për Crawford përfshinte kapituj si “Ligje për Makina dhe Ligje të Gjeneruara nga Makina” dhe “Pushteti Ekzekutiv në Epokën e Statuteve”, të botuara në vepra të redaktuara në vitet 2020–2021. Ndërsa për Adams, artikulli i ri i cituar kishte një vit, revistë dhe titull krejt tjetër: “Një Zyrë, Tre Kampionë? Integrimi Strukturor në Zyrën e Komisionerit Australian për Informacionin” nga Australian Journal of Administrative Law, botuar në vitin 2014.

Dyshimet e akademikëve

Rudge theksoi se reputacioni i akademikëve ndërtohet mbi përpjekje të mëdha për të krijuar kërkime me cilësi të lartë, por në këtë rast “emrat e tyre janë përdorur në mënyrë të gabuar”. Ai u shpreh se përdorimi i AI është një hipotezë e fortë, “sepse nuk ka shumë shpjegime të tjera. Nuk mund të gabosh titujt në këtë mënyrë thjesht duke i shtypur gabim.”

Sipas tij, këto gabime “janë të natyrës thelbësore, jo thjesht formale”. Argumentet që raporti i atribuon autorëve, sipas Rudge, “nuk janë thënë kurrë prej tyre”.

Gabime edhe në citime të tjera

Raporti i Deloitte citonte gabimisht edhe një artikull të akademikut Terry Carney, me titull të supozuar “Automatizimi i Përputhshmërisë dhe Drejtësia Administrative në Shtetin Australian të Mirëqenies”. Titulli i saktë ishte “Automatizimi dhe Kushtëzimi: Drejt një Sigurimi Shoqëror “Virtual”?”. Carney tha se kishte qenë i angazhuar nga Deloitte në një fazë të vonë të raportit dhe se megjithëse titulli ishte shtrembëruar, “përmbajtja e asaj që citohej ishte e saktë”.

Raporti i Deloitte arriti në përfundimin se “nuk ka prova të mjaftueshme për të treguar se kuadri i përputhshmërisë së synuar dhe sistemi informatik mbi të cilin mbështetet janë tërësisht të harmonizuara me legjislacionin përkatës”. Ky konstatim pason një raport të ashpër të Avokatit të Popullit në Australi, i cili zbuloi se qindra pezullime të pagesave të ndihmës sociale ishin të paligjshme.

Hetim nga autoritetet

Rudge u shpreh se duke qenë se Deloitte “po këshillon mbi një çështje kaq serioze që prek qindra mijëra persona në mbarë vendin, pritej një shkallë shumë më e lartë kujdesi”.
“Ky raport ka për qëllim të japë garanci për integritetin e sistemit, por vetë raporti duket se nuk ka integritet. Kjo është shumë shqetësuese,” tha ai.

Një zëdhënës i DEWR deklaroi se departamenti “është në kontakt me Deloitte si autor i raportit të pavarur dhe po heton pretendimet”. Për pyetjet mbi hartimin e raportit, shtoi ai, “duhet të drejtoheni te Deloitte/ Financial Review

The post Raporti i Deloitte nxit dyshime për përdorimin e inteligjencës artificiale appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

1 × three =