Raporti i Auditit: Konsumatorët në Kosovë nuk gëzojnë mbrojtje të drejtë e efektive

0

Konsumatorët në Kosovë vazhdojnë të mbeten të pambrojtur. Ky është konstatimi i raportit më të ri të Zyrës Kombëtare të Auditimit e cila ka gjetur mangësi serioze në sistemin e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve gjatë periudhës 2022–2024.

Zyra Kombëtare e Auditimit ( ZKA) ka realizuar auditimin e performancës “Efektiviteti i Sistemit për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve në Kosovë” për periudhën 2022-2024 dhe ka vlerësuar trajtimin e ankesave, planifikimin dhe realizimin e inspektimeve, zbatimin e strategjive dhe programeve, ndërgjegjësimin publik dhe koordinimin ndërinstitucional.

Në njoftimin e ZKA-së thuhet se rezultatet e auditimit tregojnë se pavarësisht përpjekjeve institucionale, konsumatorët në Kosovë nuk gëzojnë mbrojtje reale, të drejtë dhe efektive, si dhe institucionet nuk arrijnë të garantojnë transparencë dhe përgjegjësi të plotë në këtë drejtim.

“Sistemi aktual për mbrojtjen e konsumatorëve nuk është i koordinuar mirë, dhe paraqet dobësi të theksuara pothuajse në secilën hallkë të tij. Procedurat për trajtimin e ankesave nuk janë të qasshme, të unifikuara dhe nuk monitorohen në mënyrë sistematike e të verifikueshme, duke pamundësuar sigurimin e një mbikëqyrjeje të besueshme dhe transparente për ecurinë dhe zgjidhjen e rasteve”.

ZKA njofton se inspektimet kryhen kryesisht pas ankesave individuale dhe jo në bazë të analizës së rrezikut.

“Strategjitë dhe planet për mbrojtje të konsumatorëve nuk përcjellën me veprime konkrete e të matshme, ndërsa fushatat për ndërgjegjësim janë të kufizuara dhe nuk arrijnë te të gjithë qytetarët. Koordinimi ndërmjet institucioneve është i dobët dhe mungon një sistem i integruar për ndarjen e të dhënave dhe ndjekjen e përbashkët të rasteve”.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se mangësitë e identifikuara në funksionimin e sistemit të mbrojtjes së konsumatorëve ndikojnë drejtpërdrejt në të drejtën e qytetarëve për produkte dhe shërbime të sigurta, informim të qartë dhe mekanizma efektivë për mbrojtje.

Për të rritur efektivitetin e trajtimit të ankesave, forcimin e inspektimeve, rritjen e ndërgjegjësimit dhe koordinimin ndërinstitucional për mbrojtjen e konsumatorëve, ZKA-ja ka dhënë 13 rekomandime.

Rekomandimet e mëposhtme sipas Auditorit synojnë përmirësimin e funksionimit të përgjithshëm të  sistemit për mbrojtjen e konsumatorëve në Kosovë, duke përfshirë trajtimin e ankesave,  inspektimet, informimin e qytetarëve, zbatimin e strategjive, dhe bashkëpunimin  ndërinstitucional.

Rekomandimet për Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve (DMK)

  1. Përmirësimi i menaxhimit të ankesave të konsumatorëve përmes ndërtimit të sistemeve digjitale funksionale.
  2. Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus të veçantë në trajtimin e tregtisë elektronike.
  3. Hartimi i një plani zbatimi me objektiva të matshëm për orientimin e aktiviteteve drejt rezultateve konkrete.
  4. Marrja e masave për ristrukturimin e brendshëm të departamentit dhe funksionalizimin e divizioneve ekzistuese, me ndarje të qartë të përgjegjësive.
  5. Rritja e ndërgjegjësimit publik dhe komunikimit me qytetarët përmes përdorimit efektiv të kanaleve digjitale dhe fushatave informuese, të shoqëruara me indikatorë për matjen e ndikimit.
  6. Forcimi i koordinimit dhe llogaridhënies ndërinstitucionale përmes dokumentimit sistematik dhe formalizimit të bashkëpunimit me IQMT.

Rekomandimet për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT)

  1. Përmirësimi i planifikimit dhe zbatimit strategjik të mbikëqyrjes së tregut, duke e bazuar në analiza të rrezikut dhe të dhënat nga ankesat.
  2. Hartimi i protokolleve të qarta për ndarjen e detyrave brenda ekipeve inspektuese dhe për monitorimin e masave pasuese.
  3. Forcimi i ndjekjes dhe vlerësimit të masave ndëshkuese, përmes mbledhjes sistematike të të dhënave dhe zbatimit të një politike progresive ndaj shkelësve të përsëritur.
  4. Sigurimi i funksionimit të qëndrueshëm dhe efikas të sistemit elektronik për menaxhimin e rasteve dhe publikimi i të dhënave mbi inspektimet dhe masat e marra.
  5. Rifunksionalizimi i sistemit RAPEX dhe mundësimi i qasjes së plotë të qytetarëve në listat e produkteve të rrezikshme të ndaluara në treg.
  6. Forcimi i koordinimit ndërinstitucional për ndërhyrje efektive në treg, sidomos për produktet e rrezikshme, kontrabandën dhe shitjet jashtë rregullave ligjore.
  7. Marrja e masave për identifikimin dhe trajtimin e operatorëve ekonomikë të paregjistruar, për të përmirësuar mbikëqyrjen e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

 

The post Raporti i Auditit: Konsumatorët në Kosovë nuk gëzojnë mbrojtje të drejtë e efektive appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

11 + 2 =