Raiffeisen Research parashikon që kursi mesatar i këmbimit Euro-Lek për vitin 2025 do të bjerë më tej krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas analizës së fundit të njësisë së kërkimeve të grupit vienez mbi tregjet e këmbimit valutor, për këtë vit parashikohet që kursi i këmbimit Euro-Lek të shënojë një vlerë mesatare prej 98.4 lekësh. Një vlerë e tillë do të përfaqësonte një rënie të mëtejshme me 2.3% nga niveli mesatar prej 100.7 lekësh i vitit 2024.
Ndërkohë, sipas Raiffeisen Research, balanca e rreziqeve për shmangie nga vlerat e parashikuara është në kahun e një forcimi të mëtejshëm të Lekut ndaj monedhës europiane.
Për pesë muajt e parë të vitit, kursi mesatar i këmbimit të Euros ishte 98.8 lekë, në rënie të ndjeshme nga niveli prej 102.7 lekësh i shënuar për të njëjtën periudhë të nëj viti më parë.
Në maj të këtij vitit, euro u këmbye mesatarisht me 98.2 lekë, ndërsa në tremujorin e mëparshëm kishte qëndruar në intervalin mes 99 dhe 99.2 lekëve. Gjatë majit, monedha vendase u vlerësua me 2% krahasuar me një vit më parë. Madje, më datë 6 maj, kursi i këmbimit të Euros preku një minimum të ri historik, në vlerën e 97.99 lekëve.
Megjithatë, mbiçmimi vjetor i Lekut për majin u ngadalësua ndjeshëm nga niveli prej 9.5% i shënuar një vit më parë. Sipas Raiffeisen Research, kjo tendencë tregon një ecuri më të ekuilibruar të kursit të këmbimit.
Nga ana tjetër, vlen të theksohet se vlerat e kursit të këmbimit të Euros që nga mesi i vitit të kaluar nuka kanë qenë produkt i pastër i tregut të lirë, por janë ndikuar ndjeshëm edhe nga ndërhyrjet e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë, për të shmangur forcimin e mëtejshëm të Lekut. Banka Qendrore bleu afërsisht 933 milionë euro në tregun e brendshëm valutor në 2024, në vlerën më të lartë historike. Sasia e valutës së blerë është rritur me 249% krahasuar me një vit më parë.
Me valën e re të forcimit të Lekut që u shfaq në muajin mars, Banka e Shqipërisë rifillloi përsëri ndërhyrjet në tregun valutor, megjithëse vlera e blerjeve të Euros nuk bëhet publike.
Tregu valutor duket se edhe këtë vit po shfaq tendenca të mbiçmimit të monedhës vendase, që janë më të forta me afrimin e sezonit veror. Duke qenë se tashmë sezoni turistik është më i shtrirë në kohë, edhe efektet e tij në kursin e këmbimit janë shumë më pak të përqendruara në periudhën korrik-gusht.
Një tjetër burim i rëndësishëm i valutës në vitet e fundit janë bërë investimet e huaja në pasuritë e paluajtshme. Këto investime kanë kryesuar strukturën e investimeve të huaja direkte në tre vitet e fundit. Të dhënat nga tregu dëshmojnë se tregu i pasurive të paluajtshme vazhdon të shfaqë kërkesë të kënaqshme, ku blerësit jorezidentë luajnë një rol të rëndësishëm veçanërisht në zonat bregdetare.
Nga ana tjetër, politika fiskale shtrënguese, me suficite të mëdha, e viteve të fundit tenton të shtrëngojë ofertën e Lekut me kalimin e muajve, duke shtuar presionin për mbiçmimin e monedhës vendase. Deri në fund të 4-mujorit, buxheti ishte përsëri në suficit të dukshëm, në vlerën e 38 miliardë lekëve, por me një rënie prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./ E.Shehu
The post Raiffeisen Research: Kursi mesatar i këmbimit Euro-Lek do të bjerë sërish në 2025 appeared first on Revista Monitor.










