Putin dhe Modi diskutojnë tregtinë dhe paqen në samitin e Nju Delhit

0

Presidenti rus Vladimir Putin dhe Kryeministri indian Narendra Modi hapën bisedimet e tyre të samitit në Nju Delhi të premten, ndërsa India i rezervoi udhëheqësit rus një pritje zyrtare të nivelit më të lartë.

Gjatë takimit, Modi i përcolli Putinit se India mbështet përpjekjet ndërkombëtare për paqe në Ukrainë.

Vizita shënon udhëtimin e parë të Putinit në Indi pas katër vitesh dhe vjen në një moment kur Moska kërkon të thellojë tregtinë me një nga blerësit kryesorë të armëve dhe naftës ruse, ndërkohë që sanksionet perëndimore po ushtrojnë presion mbi marrëdhëniet e tyre tradicionale ekonomike dhe strategjike.

Vizita e Putinit në Indi zhvillohet në një moment kur Nju Delhi po negocion me Shtetet e Bashkuara një marrëveshje tregtare që synon të ulë tarifat ndëshkuese të vendosura nga administrata e Donald Trump, të cilat lidhen me blerjet e naftës ruse nga India.

Rusia ka qenë prej dekadash furnizuesi kryesor i armëve për Indinë dhe ka shprehur synimin për të rritur importet e mallrave indiane, me qëllim që tregtia dypalëshe të arrijë në 100 miliardë dollarë deri në vitin 2030. Aktualisht bilanci tregtar është thellësisht në favor të Moskës, për shkak të importeve të larta indiane të energjisë.

Pas pushtimit të Ukrainës, vendet europiane reduktuan varësinë nga energjia ruse, çka e shtyu Indinë të rrisë blerjet e naftës bruto ruse me çmime të ulëta. Por këtë vit, nën presionin e tarifave dhe sanksioneve amerikane, Nju Delhi ka frenuar ndjeshëm importet e saj nga Rusia.

Përpjekjet për paqen në Ukrainë

India nuk është neutrale — India ka një qëndrim, dhe ky qëndrim është paqja,” i tha Modi Putinit në hapje të bisedimeve. “Ne mbështesim çdo përpjekje për paqe dhe jemi krah për krah me çdo nismë që synon paqen.”

Putin, nga ana e tij, e falënderoi Modin për vëmendjen dhe angazhimin në zgjidhjen e konfliktit.

“Kishëm mundësinë — dhe këtë mundësi ma dhatë ju — të flisnim në detaje për atë që po ndodh në frontin ukrainas dhe për hapat që po ndërmarrim së bashku me disa partnerë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, drejt një zgjidhjeje të mundshme paqësore të krizës,” tha Putin.

Ai shtoi se ndërsa ekonomitë e të dy vendeve rriten, po hapen fusha të reja bashkëpunimi: “Po shfaqen mundësi të reja — teknologji të avancuara, projekte të përbashkëta në aviacion, hapësirë dhe inteligjencë artificiale. Ne kemi një marrëdhënie shumë të besuar në fushën e bashkëpunimit ushtarako-teknik dhe synojmë të ecim përpara në të gjitha këto drejtime.”

Putin mbërriti në Indi një ditë pasi zhvilloi bisedime me të dërguarit e lartë të presidentit Trump për një marrëveshje të mundshme paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por palët nuk arritën asnjë kompromis.

India ka hezituar ta dënojë Rusinë për luftën dhe ka bërë thirrje për paqe përmes dialogut dhe diplomacisë, ndërsa ka theksuar se marrëdhëniet e saj me Moskën po vihen padrejtësisht në shënjestër nga vendet perëndimore — të cilat, sipas Nju Delhit, kanë vijuar të bëjnë biznes me Rusinë kur kjo ka qenë në interesin e tyre.

“India përballet me një dilemë: duke ndërmarrë hapa për të forcuar marrëdhëniet me Moskën apo me Uashingtonin, Nju Delhi rrezikon të dëmtojë marrëdhëniet me tjetrin,” shkroi këtë javë Michael Kugelman, studiues i lartë në “Atlantic Council” në Uashington, në një analizë për revistën Foreign Policy./ Reuters

The post Putin dhe Modi diskutojnë tregtinë dhe paqen në samitin e Nju Delhit appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

19 − six =