Pse punonjësit europianë duhet të ndërrojnë punë

0

Tregu i punës në kontinent nuk i përshtatet një epoke trazirash, shkruan The Economist

 

Të gjithë bien dakord se Europa po mbetet pas SHBA-së dhe Kinës, dhe të gjithë bien dakord se duhet bërë diçka.

Pyetja është se çfarë. Rreth një vit më parë, Mario Draghi, një nga figurat politike më me peshë të Bashkimit Europian, paraqiti një agjendë të guximshme, duke u bërë thirrje politikëbërësve të zgjerojnë tregun e përbashkët përmes uljes së barrierave të tregtisë së brendshme dhe unifikimit të tregjeve të kapitalit.

Sipas Këshillit Europian për Inovacion Politik, një institut kërkimor, vetëm 10% e propozimeve të tij janë zbatuar. “Qeveritë nuk e kanë kuptuar ende seriozitetin e momentit”, paralajmëroi ai vetë.

Por a po humbasin si Draghi, ashtu edhe politikanët pasivë të Europës një mundësi të artë? Kërkime të reja nga ekonomistë europianë tregojnë se reforma të nënvlerësuara të tregut të punës mund të vijnë në ndihmë.

Këto janë shpërfillur nga politikëbërësit, gjë e kuptueshme duke parë të shkuarën: për dekada me radhë, Europa u përball me papunësi të lartë, që arriti kulmin në vitin 2013 me gati 12%.

Sot është ulur nën 6%, falë politikave që e bënë më të lehtë punësimin dhe shkarkimin nga puna, zvogëluan interesin për përfitimet e papunësisë, si dhe kërkesës më të fortë dhe plakjes së popullsisë.

Meqë papunësia është, në pjesën më të madhe, një problem i kaluar, sfida e sotme për politikanët është nxitja e rritjes ekonomike dhe inovacionit.

Tregjet e punës funksionojnë më mirë kur punëtorët përshtaten me punët që përputhen me aftësitë e tyre, një proces që shpesh nënkupton ndërrimin e vendit të punës.

Kur punëtorët lëvizin nga një kompani në tjetrën, ata mësojnë dhe shpërndajnë aftësi të reja, duke ndihmuar përhapjen e ideve në të gjithë ekonominë.

Po ashtu, u japin mundësi firmave më produktive të zgjerojnë më shpejt aktivitetin e tyre, duke rritur pagat. Problemi është se në Europë punëtorët nuk ndryshojnë vendet e punës.

Një në katër europianë ka mbi dy dekada në të njëjtin vend pune, krahasuar me vetëm një në dhjetë amerikanë (shih grafikun).

Studime nga Niklas Engbom i Universitetit të Nju Jorkut, mbi të dhëna të detajuara suedeze, tregojnë se punëtorët më të moshuar kanë më pak gjasa të ndërrojnë punëdhënës, çka nënkupton se problemi do të thellohet me plakjen e kontinentit.

Qëndrimet e gjata në një vend pune dikur kishin kuptim. Në një ekonomi të qëndrueshme, të mbrojtur nga tronditjet, bizneset përfitonin nga punëtorë të specializuar e shumë të kualifikuar dhe ishin të gatshme të investonin për t’i trajnuar.

Praktikat e tregut të punës që përshtateshin me një ekonomi të tillë — si kostot e larta të shkarkimit, përfitimet e lidhura me vjetërsinë dhe kontratat kolektive — janë tipike europiane.

Por ato nuk i përshtaten ekonomisë që politikëbërësit duan të ndërtojnë sot, as një epoke tarifash dhe konkurrencës gjithnjë e më të ashpër kineze. Banka Europiane e Investimeve, që investon në emër të BE-së, ka 70 miliardë euro për të shpenzuar në inovacion deri më 2027.

Qeveritë e BE-së tashmë mund të anashkalojnë rregullat e ndihmës shtetërore kur bëhet fjalë për nxitjen e risive teknologjike.

 

Mbrojtje krijuese

Mbrojtësit e status quo-së argumentojnë se ndryshimet e brendshme brenda kompanive dhe inovacioni mund të jenë të mjaftueshme për të përballuar sfidat e sotme.

Nëse Inteligjenca Artificiale e bën jofitimprurës trajnimin e punëtorëve të rinj për bizneset amerikane, lidhja e gjatë e punëtorëve me kompanitë europiane mund ta bëjë ende të vlefshëm një investim të tillë në kontinent. Por rreziku më i madh mund të vijë nga e kundërta.

“Ekziston një varësi nga rruga e ndjekur. Firmat hezitojnë të ndryshojnë teknologjinë që përdorin dhe përqendrohen te përmirësimet graduale”, thotë Antonin Bergeaud i HEC Paris.

“Sa më shumë ta lidhësh punëtorin me kompaninë, aq më shumë e shpërblen këtë sjellje”.

 

 

Si mund të inkurajojnë politikëbërësit një treg pune më të ndryshueshëm? Një opsion është të sigurojnë që përfitimet si pensionet dhe shpërblimet e largimit nga puna të jenë të transferueshme dhe të palidhura me kohëzgjatjen e punësimit.

Një tjetër është të zhbëhen marrëveshjet kolektive mes sindikatave dhe punëdhënësve që caktojnë pagat sipas vjetërsisë.

Një opsion i tretë është që përfitimet e papunësisë të jepen edhe për ata që japin dorëheqjen vetë nga puna, jo vetëm për të pushuarit.

Për të nxitur ndërrimin e punës, subvencionet që nxisin kompanitë të mbajnë punëtorë “rezervë”, si skemat e lejes së subvencionuar (furlough), duhet të kufizohen vetëm për periudha krizash.

Mund të ketë edhe një rrugë më të lehtë. Simon Jäger i Universitetit Princeton dhe bashkautorët e tij gjetën, duke analizuar një anketë gjermane, se punëtorët që mund të fitonin 10% më shumë po të ndërronin punë, prisnin një rritje mesatare vetëm prej 1%.

Ndoshta, pra, edhe një fushatë informuese do të ndihmonte. “Duhet të ketë politika aktive të tregut të punës edhe për të punësuarit”, – thotë me ironi Benjamin Schoefer i Universitetit të Kalifornisë, Berkeley.

Mungesa e lëvizshmërisë në punë dhe e kompanive inovative në Europë nuk lidhet vetëm me tregun e punës. Politikat e strehimit që e rrisin koston e zhvendosjes i mbajnë punëtorët të mbërthyer në rajone më pak produktive.

Ndërmarrjet e reja kanë nevojë për financim nga tregjet e kapitalit, përveç punëtorëve.

Ka pra plot mënyra për ta bërë tregun e punës europian më dinamik. Punëtorët e kontinentit mund të humbasin disa përfitime që lidhen me vjetërsinë, por përballë kanë një fitim më të madh: pagat më të larta.

 

 

 

The post Pse punonjësit europianë duhet të ndërrojnë punë appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

15 − thirteen =