Projektligji për uljen e taksave dhe rritjen e shpenzimeve i presidentit Donald Trump, i cili u miratua të enjten nga Kongresi, shmang përkohësisht rrezikun e paaftësisë paguese të borxhit (debt default) nga ana e qeverisë amerikane, por përkeqëson edhe më tej problemet afatgjata të borxhit të SHBA-së.
Ligjvënësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve miratuan projektligjin, që do të zgjasë vlefshmërinë e uljes së taksave të miratuara në vitin 2017 nga administrata Trump, do të autorizojë më shumë shpenzime për sigurinë kufitare dhe për ushtrinë, do të bëjë shkurtimet e thella në programet Medicare dhe Medicaid, si dhe do t’i shtojë triliona dollarë borxhit të qeverisë. Pritet që Trump ta nënshkruajë ligjin në mënyrë që të hyjë në fuqi.
Si pjesë e paketës fiskale, ligjvënësit rritën kufirin e borxhit të qeverisë amerikane – aktualisht në 36.1 trilionë dollarë – me edhe 5 trilionë dollarë, për të shmangur rrezikun e pamundësisë së shlyerjës që pritej të ndodhte gjatë verës.
Analistët kishin parashikuar se e ashtuquajtura “data X”, momenti kur Thesari i Shtetit nuk do të ishte më në gjendje të përmbushte detyrimet pa një rritje ose pezullim të kufirit të borxhit, mund të vinte në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit.
Megjithatë, në afat më të gjatë, ligji është parë kryesisht si një zhvillim negativ për tregun amerikan të bonove dhe për shëndetin fiskal të vendit. Analistët jopartiakë kanë vlerësuar se ai do t’i shtojë 3.4 trilionë dollarë borxhit kombëtar gjatë dhjetë viteve të ardhshme.
Kjo do të përkeqësonte shqetësimet lidhur me sasinë në rritje të bonove, që qeveria do të duhet të shesë dhe me rënien e kërkesës për bono të thesarit të SHBA, një faktor kyç që ka ndikuar në luhatjet e tregjeve financiare muajt e fundit.
“Ky ligj kontribuon në disa prej shqetësimeve strukturore rreth bonove të thesarit, veçanërisht për sa i përket: së pari, deficitit të vazhdueshëm buxhetor dhe niveleve të larta të borxhit; dhe së dyti, inflacionit,” u shpreh Mike Medeiros, strateg makroekonomik në Wellington Management.
Kompania BlackRock paralajmëroi se blerësit e huaj po tregonin gjithnjë e më shumë hezitim ndaj borxhit amerikan. Ekziston rreziku real që kërkesa për 500 miliardë dollarët në borxhe që SHBA emeton çdo javë të bjerë edhe më shumë, gjë që do të rriste ndjeshëm koston e huamarrjes.
“Prej kohësh kemi theksuar pozicionin e brishtë të borxhit të qeverisë amerikane dhe, nëse nuk merret në kontroll, e shohim borxhin si rrezikun më të madh për ‘statusin e veçantë’, që SHBA ka në tregjet financiare,” shkruajtën menaxherët e investimeve të BlackRock në një analizë.
Projektligji pritet të ulë të ardhurat nga taksat me 4.5 trilionë dollarë, të reduktojë shpenzimet me 1.2 trilionë dollarë dhe t’u heqë sigurimin shëndetësor federal rreth 10.9 milionë njerëzve gjatë dekadës së ardhshme, sipas vlerësimeve nga Zyra e Buxhetit të Kongresit.
Gjithashtu pritet të nxisë rritjen ekonomike, duke i lejuar bizneset të amortizojnë tërësisht blerjet e pajisjeve si dhe shpenzimet për kërkim dhe zhvillim, përveçse ofron edhe lehtësi të tjera fiskale.
Megjithatë, disa investitorë shprehin shqetësim se borxhi i akumuluar mund të frenojë ndikimin stimulues të projektligjit, të cilin Trump e përmend si “Projektligji i Madh dhe i Bukur” (“One Big Beautiful Bill”).
Campe Goodman, menaxher portofoli për të ardhura fikse në kompaninë Wellington Management, tha se priste që ligji të shtonte deri në 0.5% rritjen ekonomike gjatë vitit të ardhshëm, por theksoi se tregjet po tregohen shumë të shkujdesura ndaj rrezikut afatgjatë të kostove më të larta të huamarrjes.
“Ne besojmë se ky ligj do të përshpejtojë rritjen e fitimeve të korporatave, çka në fund do të nxisë vlerat e aksioneve,” u shpreh Ellen Hazen, kryestratege e tregut në kompaninë F.L. Putnam Investment Management. “Por kjo mund të çojë në norma interesi të larta për një periudhë të gjatë, duke i bërë investimet me të ardhura fikse më pak tërheqëse në planin afatgjatë,” shtoi ajo.
Normat e referencës për bonot 10-vjeçare të Thesarit u rritën të mërkurën pas disa ditësh rënie. Rritja iu atribua pjesërisht shqetësimeve fiskale që po tensionojnë investitorët. Kur çmimet e bonove bien, normat e interesit (yield) rriten.
Andrew Brenner, drejtues i investimeve ndërkombëtare me të ardhura fikse në National Alliance Capital Markets, tha se shitja masive e bonove ishte një sinjal se investitorë që ndëshkojnë politikat e dobëta duke e bërë shumë të kushtueshme huamarrjen për qeveritë (bond vigilantes), po rishfaqen në treg.
Lehtësim nga kufiri i borxhit
Duke rritur kufirin e huamarrjes së SHBA-së, projektligji eliminon rrezikun sado të vogël, por me pasoja të mëdha, të paaftësisë së shlyerjes së borxhit amerikan, që do të kishte pasoja katastrofike për tregjet globale.
Në javët e fundit, norma e interesit për disa bono thesari me maturim në gusht ishte rritur më shumë sesa ato të bonove afatshkurtra me maturim në të njëjtën periudhë, një shenjë se investitorët po bëheshin nervozë për afrimin e ‘datës X’.
“Mendoj se miratimi i ligjit zbut disa nga rreziqet që lidhen me kufirin e borxhit, ndaj ndoshta normat e interesit për bonot që maturohen në gusht mund të bien pak,” tha Vinny Bleau, drejtor i tregjeve të kapitalit me të ardhura fikse në Raymond James në Memphis.
Në përgjithësi, reagimi i tregut të bonove ndaj miratimit të ligjit ka qenë relativisht i qetë. Zgjerimi i deficitit ishte tashmë i reflektuar në çmimet e tregut, që prej kthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar, ndërsa vëmendja e investitorëve është zhvendosur së fundmi tek shqetësimet për rritjen ekonomike.
Në çdo rast, shumë pjesëmarrës të tregut pohuan se miratimi i ligjit nuk është faktori kryesor që po ndikon tregjet për momentin. Indeksi kryesor S&P 500 mbylli ditën e mërkurë në një nivel rekord, i mbështetur nga rritja e aksioneve teknologjike dhe përparimi në marrëveshjet tregtare të SHBA-së.
Ngadalësimi i të dhënave ekonomike në javët e fundit ka rritur gjithashtu pritshmëritë për ulje të normave të interesit nga Rezerva Federale gjatë këtij viti, gjë që ka ndikuar pozitivisht si në tregun e aksioneve ashtu edhe në atë të bonove. Megjithatë, një raport pozitiv për punësimin të enjten uli shpresat për një zbutje të menjëhershme të politikës monetare.
“Nuk do të jetë faktori vendimtar për ecurinë e tregjeve,” tha Robert Pavlik, menaxher portofoli në Dakota Wealth, në Fairfield, Connecticut. “Së pari janë fitimet dhe më pas vjen Rezerva Federale.” / Reuters
The post Projektligji i taksave i Trump shmang një krizë borxhi, por përkeqëson gjendjen financiare afatgjatë appeared first on Revista Monitor.








