Tiranë, 24 Prill 2025. Kandidatja e Koalicionit Euroatlantik për Qarkun e Tiranës, Taulanda Jupi, ishte e ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin Real Story të gazetarit Sokol Balla në ABC News, ku zhvilloi një debat të drejtpërdrejtë me gazetarin Sokol Balla mbi sfidat politike të ditës dhe arsyet që e shtynë të hyjë në këtë garë elektorale.
“Nuk jam në këtë garë për interesin tim personal, as për të kërkuar një vend pune në Kuvend. Vendin e punës e kam – jam pedagoge prej 25 vitesh. Kjo është një përpjekje për t’u dhënë qytetarëve të Tiranës një alternativë reale, përtej aksionerëve të tranzicionit 34-vjeçar, Edi Rama dhe Sali Berisha,” – deklaroi Jupi gjatë emisionit.
Ajo theksoi se nuk është nga ata njerëz që shohin në heshtje teksa Shqipëria zbrazet nga të rinjtë, por ndër ata që marrin përgjegjësi dhe përpiqen të sjellin ndryshimin.
E pyetur se si synon ta sjellë këtë ndryshim, Jupi u shpreh se, duke hyrë në këtë garë, ajo po ndërmerr pikërisht këtë hap. Ajo rikujtoi kontributin e saj të gjatë në reformimin e Partisë Demokratike dhe përballjen publike me Sali Berishën që nga 9 shtatori.
“Kur në 8-9 vite opozitë, unë kam bërë kaq shumë pa qenë në Kuvendin e Shqipërisë, a e imagjinoni dot se sa do të bëj kur të jem aty?” – u shpreh ajo.
Jupi nënvizoi se qëllimi i saj është të përfaqësojë qytetarët e Tiranës me dinjitet, ndershmëri dhe vullnet për t’i dhënë fund tranzicionit të zgjatur politik dhe moral në Shqipëri.








