Të dhënat e dobëta të gushtit rrisin rrezikun që ekonomia më e madhe e Eurozonës të rikthehet në recesion teknik
Prodhimi industrial i Gjermanisë ra në nivelet e vitit 2005 gjatë muajit gusht, pasi prodhimi në industrinë shumë të rëndësishme të automobilave të vendit u tkurr me 18.5 për qind krahasuar me muajin e kaluar.
Të dhënat e dobëta vijnë ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz pritet të takohet të enjten në Berlin me drejtuesit e prodhuesve të makinave, për të diskutuar vështirësitë e sektorit që po has probleme serioze. Merz ka premtuar të ringjallë ekonominë më të madhe të Eurozonës, por deri më tani nuk ka pasur rezultate.
Në total, prodhimi industrial ra me 4.3 për qind në gusht krahasuar me muajin e kaluar, sipas të dhënave të rregulluara sezonalisht. Ekonomistët kishin parashikuar një rënie më të vogël prej 1 për qind, sipas një sondazhi të Reuters.
Duke përjashtuar goditjet e shkurtra dhe të përkohshme gjatë krizës globale financiare dhe në kulmin e pandemisë së Covid-19, të dhënat tregojnë se prodhimi industrial në Gjermani ndodhet në nivelin më të dobët që nga viti 2005 dhe është pothuajse 20 për qind nën kulmin e tij para pandemisë. Prodhimi i automjeteve, përveç kohës gjatë atyre dy krizave, është në nivelin më të ulët që nga viti 2000.
Sipas zyrës gjermane të statistikave, “rënia e fortë” në prodhimin e makinave u shkaktua pjesërisht nga kohëzgjatja më e vonshme këtë vit e mbylljeve vjetore për pushime në fabrikat e makinave, si edhe nga ndryshimet e linjave të prodhimit.
Megjithatë, një paralajmërim për ulje fitimesh nga BMW të martën në mbrëmje ishte kujtesa më e fundit për sfidat strukturore me të cilat po përballet industria, e cila po lufton me kalimin drejt automjeteve elektrike, shitjet e dobëta në Kinë, konkurrencën e fortë nga rivalët kinezë dhe tarifat doganore amerikane për importet.
Ekonomia e Gjermanisë ka mbetur në stagnacion për më shumë se tre vjet.
Rënia e fortë e prodhimit industrial në gusht pason një tremujor të dytë zhgënjyes, gjatë të cilit ekonomia më e madhe e Europës u tkurr me 0.3 për qind, pasi sektori i prodhimit të orientuar drejt eksporteve u godit nga tensionet tregtare globale.
“Të dhënat e sotme janë një tjetër tregues se ekonomia gjermane pothuajse nuk është rritur fare në tremujorin e tretë,” tha ekonomisti i Commerzbank, Ralph Solveen.
Pavarësisht të dhënave të zymta të së mërkurës, Shoqata e Bankave Gjermane parashikoi që ekonomia e vendit mund të kapërcejë dobësinë e zgjatur në vitin 2026.
Sipas shoqatës, rritja e madhe e shpenzimeve publike me borxh për mbrojtjen dhe infrastrukturën, e nisur nga Merz, mund të çojë në një rritje të PBB-së me 1.4 për qind vitin e ardhshëm, pas një rritjeje modeste prej vetëm 0.2 për qind në vitin 2025.
“Më në fund po shohim një bazë solide për rritjeje të ndjeshme ekonomike vitin e ardhshëm,” tha drejtuesi i shoqatës, Heiner Herkenhoff. / FT
The post Prodhimi industrial i Gjermanisë bie në nivelet e 2005, sektori i automobilave pëson kolaps appeared first on Revista Monitor.










