Kompania më e madhe e listuar në vend është një gur i çmuar që rrezikon të bjerë nga kurora, shkruan The Economist
Në një vend që përpiqet të gjejë arsye për optimizëm, industria britanike e shkencave të jetës ofron një rreze shprese.
Industria, me vlerë 108 miliardë paund (145 miliardë dollarë), punëson mbi 300 mijë persona, shumë prej tyre në pozicione të paguara mirë, dhe Mbretëria e Bashkuar mbetet një fuqi e rëndësishme globale në këtë fushë.
Nuk është çudi që ministrat e përdorin shpesh si shembull. Kryeministri Sir Keir Starmer e ka quajtur sektorin “karburanti për ekonominë tonë në stanjacion”.
Por ky burim po rrezikon të shterojë. Prezantimi i Planit të Sektorit të Shkencave të Jetës nga qeveria laburiste, më 16 korrik, ishte i mbushur me tone optimiste për këtë industri “udhëheqëse botërore” që mund të çlirojë potencialin e rritjes.
Por një nga hapat e këtij plani zbulonte një shqetësim të qartë: synimin për të siguruar që kompanitë e shkencave të jetës “të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar”.
Mesazhi dukej se kishte në shënjestër veçanërisht AstraZeneca-n, kompaninë më të vlefshme të listuar në Britani.
Marrëdhënia gjithnjë e më e tensionuar e gjigantit farmaceutik me vendin e tij nxjerr në pah si avantazhet, ashtu edhe dobësitë e Mbretërisë së Bashkuar si qendër për industrinë e shkencave të jetës.
Drejtuesi ekzekutiv, Sir Pascal Soriot, një francez me shtetësi australiane, nuk e ka fshehur zhgënjimin me vendin.
Raportohet se ka zhvilluar bisedime private për ndryshimin e listimit kryesor të kompanisë në Nju Jork, çka mund t’i hapte dyert e një tregu investitorësh më të gjerë dhe më të larmishëm (Sir Pascal nuk komentoi për këtë artikull).
Më 29 korrik, në një konferencë për shtyp pas publikimit të rezultateve gjashtëmujore, ai e quajti AstraZeneca “një kompani shumë amerikane”. Për Mbretërinë e Bashkuar, tha ai, kompania kishte nevojë “të shohë mundësi dhe arsye për të investuar”.
Kjo është pjesërisht një taktikë negociuese për të siguruar kushte më të favorshme nga qeveria britanike, përfshirë çmimet që NHS paguan për barnat.
Por rreziku i një largimi është i vërtetë.
Njoftimi i 21 korrikut se AstraZeneca do të investojë 50 miliardë dollarë në SHBA deri në vitin 2030, me shumë gjasë në pritje të tarifave të vendosura nga Donald Trump, si dhe deklarata e Sir Pascal se kjo pasqyron “besimin tek inovacioni amerikan në biofarmaceutikë” kanë rritur ankthin në Londër.
Vendimi fillestar për t’u listuar në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1999, pas bashkimit të Astra-s suedeze me Zeneca Group britanik, ishte një votëbesim për klimën e favorshme që ofronte vendi për kërkimin dhe zhvillimin (R&D).
Që kur mori drejtimin në vitin 2012, Sir Pascal e nxori AstraZeneca-n nga stanjacioni, duke shmangur pagesat e larta për aksionerët (blerjet e aksioneve u pezulluan nga 2013 deri në 2021) dhe duke e kanalizuar kapitalin drejt kërkimit shkencor.
Në vitin 2014, kur rivali amerikan Pfizer bëri një ofertë për blerjen e saj, ministrat britanikë ndërhynë për ta mbrojtur në bazë të interesit publik.
Në vitin 2020, gara për vaksinën kundër COVID-19 e forcoi statusin e saj si pasuri kombëtare. Vaksina, e zhvilluar me Universitetin e Oksfordit, u bë simbol i aftësive shkencore britanike dhe e bëri kompaninë të njohur gjerësisht. Që atëherë, çmimi i aksioneve është rritur me gati 50%.
Por marrëdhënia me Britaninë është ftohur. Në vitin 2021, Sir Pascal zgjodhi Irlandën në vend të Anglisë për një fabrikë të re me vlerë 320 milionë paundë, duke fajësuar taksat “dekurajuese” britanike.
Në nëntor 2024, organi britanik për miratimin e barnave, NICE, refuzoi ilaçin për kancer gjiri Enhertu, për shkak të çmimit të lartë, megjithëse ishte i disponueshëm në 25 vende të tjera të Europës, përfshirë Skocinë.
Disa muaj më pas, AstraZeneca anuloi zgjerimin prej 450 milionë paund të fabrikës së vaksinave në Liverpool, pasi ministrat kërcënuan të ulnin subvencionet nga 90 në 40 milionë paund, duke përmendur reduktimin e angazhimeve për R&D.
Sir Pascal refuzoi edhe ofertën e fundit 78 milionë paund, duke e quajtur projektin “të paqëndrueshëm”, vetëm pak orë pasi ministrja e Financave, Rachel Reeves, e kishte cilësuar kompaninë si një nga “asetet e mëdha” të Britanisë.

Astronomi financiare
Në një masë të madhe, kjo është thjesht çështje pazaresh. Gjatë negociatave për fabrikën në Liverpool, kompania raportohet se ngriti edhe çështje të tjera, përfshirë ankesat për mekanizmin e çmimeve të NHS dhe vendimin e NICE për refuzimin e ilaçit për kancer gjiri.
Një tjetër pikë përplasjesh janë taksat “clawback”, një lloj rimbursimi i detyruar.
Më herët këtë vit, Shoqata e Industrisë Farmaceutike Britanike (ABPI) i shkroi ministrit të Shëndetësisë, Wes Streeting, duke u ankuar se anëtarët e saj ishin të detyruar të rimbursonin pothuajse një të katërtën e shitjeve totale, katër herë më shumë se mesatarja në Francë.
Por këto tensione nxjerrin në pah edhe dobësitë e Britanisë për të tërhequr dhe për të mbajtur gjigantët farmaceutikë. Pjesa e saj në R&D farmaceutike globale ka rënë ndjeshëm.
Numri i provave klinike të fazës III (më afër përdorimit si trajtim) ra me 40% mes viteve 2017 dhe 2021, duke e zbritur Britaninë nga vendi i katërt në të dhjetin. Ka pasur rimëkëmbje të lehtë, por vendi renditet i teti, pas Spanjës (e treta) dhe Italisë (e shtata).
Një sondazh i ABPI tregoi se në vitin 2022, 30% e anëtarëve e shihnin Mbretërinë e Bashkuar si një nga tre vendet më të mira për zhvillimin e barnave të reja; këtë vit vetëm 13% mendonin kështu.
Që nga viti 2010, Britania ka zbritur nga pozicioni si eksportuesi i pestë më i madh i produkteve farmaceutike, në të nëntin.
Megjithatë, potenciali i saj mbetet i madh. Avantazhet përfshijnë talent shkencor të nivelit botëror dhe kërkime novatore. Akademikët britanikë gjenerojnë mbi një të dhjetën e citimeve globale në shkencat mjekësore, një nivel i tejkaluar vetëm nga SHBA dhe Kina.
Një tjetër aset është baza e të dhënave të pacientëve të NHS, e pazëvendësueshme për kërkime. Sir Pascal e vlerësoi Britaninë për “shkencën e jashtëzakonshme” dhe “njerëzit e talentuar”.
Një mënyrë për ta bërë vendin më tërheqës do të ishte reforma e procesit të miratimit të barnave, të cilin industria farmaceutike e urren.
Që të vlerësohet me kosto efektive, një ilaç duhet të sigurojë të paktën një vit shtesë jete të shëndetshme (të matur me treguesin QALY) me një kosto jo më të lartë se 30,000 paund, sipas pragut të vendosur nga agjencia britanike NICE.
Por Thesari e vlerëson një QALY me 70,000 paund, duke ushqyer akuzat se rregullatori nënvlerëson barnat e reja.
Heqja e barrierave për provat klinike do të ndihmonte, sipas Huseyin Naci nga London School of Economics, i cili shton se më shumë investime mund të arrihen me rritje të financimeve publike për R&D dhe forcim të partneriteteve publike-private.
Ndërkohë, AstraZeneca po afrohet gjithnjë e më shumë me SHBA-në, ku ka më shumë të punësuar se kudo tjetër. Kompania parashikon që ky treg do të zërë gjysmën e të ardhurave deri në vitin 2030 (nga 44% sot).
Përveç angazhimeve të mëdha financiare, ajo është ribashkuar së fundmi me lobin më të madh farmaceutik në SHBA, Pharmaceutical Research and Manufacturers of America.
SHBA prej kohësh akuzon Europën se përfiton pa paguar nga shpenzimet farmaceutike amerikane. Donald Trump po ushtron presion për uljen e çmimeve në SHBA dhe rritjen e tyre në Europë.
Marrëveshja tregtare SHBA – Britani parashikon që Londra të “përmirësojë mjedisin për kompanitë farmaceutike që operojnë në Mbretërinë e Bashkuar” në këmbim të tarifave preferenciale.
Por pranimi i çmimeve më të larta ose ulja e rabateve do të shtonte presionin mbi NHS. Alternativa ka gjithashtu kosto: ABPI llogarit se ruajtja e normave aktuale të rabateve do të shkaktonte humbje 11 miliardë paund në R&D deri në vitin 2033.
AstraZeneca tashmë ka ndërmarrë angazhime të mëdha jashtë Britanisë: 1.5 miliardë dollarë për një fabrikë për prodhimin e ilaçeve kundër kancerit në Singapor, 570 milionë dollarë për 700 vende pune shkencore në Kanada, 1.5 miliardë dollarë për një qendër R&D në Spanjë dhe 2.5 miliardë dollarë për një tjetër në Pekin, e dyta në Kinë.
Në Britani ka planifikuar vetëm 200 milionë paund për një qendër konferencash në Kembrixh. Rifitimi i besimit dhe pranisë së AstraZeneca-s nuk do të jetë një proces i lehtë apo i lirë.
The post Prishja e marrëdhënieve të AstraZeneca-s me Mbretërinë e Bashkuar appeared first on Revista Monitor.









