Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi sot drejtuesin e ri të Autoritetit Portual të Durrësit, Liburn Aliu, ish-ministër i Infrastrukturës në qeverinë e Albin Kurtit në Kosovë.
Aliu ka marrë zyrtarisht detyrën dhe gjatë prezantimit e cilësoi Portin e Durrësit si një nyje strategjike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe gjithë rajonin.
Ai njoftoi se në garën për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit, e cila ka përfshirë pesë konsorciume ndërkombëtare, fituesi do të shpallet më 31 janar 2026. Punimet pritet të nisin gjatë vitit të ardhshëm dhe të përfundojnë më 2029, duke krijuar atë që do të jetë porti më i madh në Ballkanin Perëndimor.
“Pesë kompani të huaja, konsorciume kanë garuar dhe në 31 janar ne do të kemi fituesin e garës për ndërtimin e portit të Durrësit, i dalë nga një garë ndërkombëtare, e cila është udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Royal Haskoning. Sigurisht me pjesëmarrjen e të gjithë atyre departamenteve nga Autoriteti Portual i Durrësit që ligjërisht duhet të ishin pjesë e këtij procesi.
Në 31 janar, ne do të kemi një fitues, një konsorcium fitues që më pas duhet vazhduar me negocimin e kontratës dhe me synimin e madh për të nisur kantierin e ndërtimit të portit të ri në Porto Romano, brenda këtij viti, pra vitit që do të vijë 2026-ës dhe sipas të gjithë llogaritjeve dhe sipas dokumentacionit, për tre vite ky port duhet të jetë i dorëzuar dhe operativ. Pra, Shqipëria në 2029 duhet të ketë të dorëzuar një port në zonën e Porto Romanos, porti më i madh në Ballkanin Perëndimor, i cili do t’i shërbejë Maqedonisë së Veriut edhe Kosovës gjithashtu.
Në këtë optikë, sigurisht që porti i Durrësit për ne ka qenë një prioritet, sigurisht që kemi kërkuar gjithmonë që të drejtohej nga profesionistë, të cilët jo vetëm njohin transportin, por nga ana tjetër, me aftësi negociuese me trupa ndërkombëtare, pasi porti i ri i Durrësit parashikohet dhe është në vullnetin politik të Qeverisë Shqiptare që të jetë edhe një bazë e NATO-s. Një bazë e NATO-s e vendosur në zemër të Mesdheut dhe padyshim në Shqipëri, si aleati më besnik i kësaj force të jashtëzakonshme, bashkësie të jashtëzakonshme.
Për këtë arsye dhe për të gjitha arsyet e tjera të zhvillimit ekonomik të vendit, pasi porti i Durrësit, ai i riu që do jetë në Porto Romano, do të vazhdojë të jetë motori ekonomik i Shqipërisë, një motor ekonomik i cili nuk prodhon vetëm punësim, por prodhon një ekonomi zinxhir dhe për këtë arsye sigurisht drejtimi duhet të jetë gjithmonë në duar të mira, profesionale dhe mbi të gjitha në duar që garantojnë transparencën”.
The post Prezantohet drejtori i ri i APD, Aliu: Fituesi për portin e ri do shpallet më 31 janar appeared first on Revista Monitor.










