Intervistë me Klodian Makashi, CEO i Morph Group
Problemi kryesor sot është mungesa e një sistemi të mirëfilltë kulturor, i cili duhet të nisë që në fëmijëri. Brezi i ri, sot 10-12-vjeçarët, pas 10-15 vjetësh do të jenë konsumatorë të rëndësishëm të industrisë së kulturës, duke e konsideruar pjesëmarrjen në shfaqje artistike dhe kulturore po aq të rëndësishme sa shpenzimet për veshje, elektronikë, udhëtime apo restorante. Ndërkohë, të rinjtë e sotëm, rreth 25 vjeç, nuk kanë krijuar këtë kulturë, jo për faj të tyre, por sepse nuk janë rritur me një infrastrukturë të zhvilluar për teatrin, kinemanë, koncertet apo shfaqjet kulturore.
Industria e eventeve dhe koncerteve në Shqipëri ka evoluar ndjeshëm vitet e fundit, por sfidat që lidhen me pjesëmarrjen e të rinjve, kostot e biletave dhe mungesën e infrastrukturës së përshtatshme mbeten ende të mëdha.
Pavarësisht interesit në rritje për eksperiencat kulturore dhe artistike, faktorë të ndryshëm ndikojnë në mënyrën se si audienca e re i përjeton këto aktivitete.
Klodian Makashi, CEO i Morph Group, një grup kompanish të specializuara në organizimin e eventeve kulturore dhe menaxhimin e shitjes së biletave, na thotë për disa nga trendet kryesore të pjesëmarrjes në evente, barrierat që pengojnë të rinjtë të marrin pjesë më shpesh dhe modelet e suksesshme që mund të zbatohen për të krijuar një treg më të qëndrueshëm të muzikës live dhe aktiviteteve kulturore.
Sa është përqindja e të rinjve që ndjekin aktivitetet kulturore dhe koncertet sipas grupmoshave?
Sipas statistikave të platformës më të madhe në Shqipëri për shitjen e biletave, “Vivere Ticketing”, ndarja e pjesëmarrësve sipas grupmoshave është:
18-25 vjeç: 31.36%
25-40 vjeç: 43.64%
Mbi 40 vjeç: 24.99%
Kjo ndarje tregon se grupmosha më aktive në ndjekjen e eventeve kulturore dhe koncerteve është ajo 25-40 vjeç, që përfaqëson 43.64% të audiencës totale.
Të rinjtë 18-25 vjeç përbëjnë 31.36%, një përqindje gjithashtu e rëndësishme, ndërsa grupmosha mbi 40 vjeç përfaqësojnë 24.99%, duke treguar një pjesëmarrje më të ulët, por ende domethënëse.
Ky raport sugjeron se shumica e audiencës është në moshë të re dhe të mesme, me potencial për të rritur më tej pjesëmarrjen e të rinjve nëpërmjet politikave të favorshme dhe strategjive të marketingut të përshtatura për ta.
Cilat janë pengesat kryesore që i mbajnë larg të rinjtë nga pjesëmarrja në këto aktivitete?
Pengesë kryesore mbeten kostot e biletave, të cilat reflektojnë shpenzimet e larta të organizimit të eventeve. Çmimet e artistëve ndërkombëtarë janë rritur ndjeshëm, duke arritur në qindra mijë apo edhe miliona euro.
Në tregje të konsoliduara, ku stadiumet mbushen me 50,000 pjesëmarrës dhe çmimi mesatar i një bilete është rreth 50 euro, të ardhurat nga biletat mund të arrijnë deri në 2.5 milionë euro.
Shto këtu të ardhurat nga konsumi mesatar në bare (10 euro për person) dhe sponsorët, dhe buxheti total mund të shkojë në mbi 3 milionë euro.
Me këto shifra, një artist si Billie Eilish, që mund të kushtojë 1.5 milionë euro dhe një kosto prodhimi prej 1 milion euro, bëhet i përballueshëm.
Në Shqipëri, një skenar i tillë është i pamundur për disa arsye:
Kultura e konsumit – Shumë njerëz preferojnë të shpenzojnë 100 euro për një darkë sesa për një biletë koncerti apo teatri.
Madhësia e tregut dhe fuqia blerëse – Edhe nëse stadiumet mbushen, çmimi i përballueshëm për një biletë është 15-20 euro, çka do të sillte të ardhura rreth 300-500 mijë euro. Me këtë buxhet, sjellja e artistëve të nivelit më të lartë është e pamundur.
Kjo krijon një rreth vicioz: të rinjtë dëshirojnë artistët më të mirë, por nuk kanë mundësi të paguajnë çmimet e nevojshme për t’i sjellë, ndërsa alternativat më të përballueshme nuk i tërheqin.
Megjithatë, kemi besim se me rritjen graduale të këtij tregu, do të krijohet një bazë prej 20,000-30,000 njerëzish të gatshëm të paguajnë 50-100 euro për një biletë koncerti, duke e bërë tregun më të qëndrueshëm.
Sa është çmimi mesatar i biletave për eventet më të ndjekura dhe a ka ndonjë ndikim në pjesëmarrje?
Çmimi mesatar i biletave për eventet më të mëdha jashtë Shqipërisë varion nga 150-200 euro, por gjithmonë varet nga artisti dhe eventi.
Sigurisht, ka raste kur biletat kushtojnë edhe 20-50 euro, por në shumicën e koncerteve kryesore, çmimet janë rritur ndjeshëm pas pandemisë.
Kjo rritje nuk është organike, por kryesisht e diktuar nga një garë mes artistëve për të rritur fitimet nga turnetë e tyre.
Shpesh, ata publikojnë me krenari të ardhurat e realizuara, duke krahasuar shifrat me kolegët e tyre. Këto fitime të larta po vijnë në kurriz të fansave, të cilët përballen me bileta shumë më të shtrenjta se disa vite më parë.
Si rezultat, edhe festivale të mëdha ndërkombëtare po ndiejnë efektin e kësaj rritjeje të çmimeve, pasi biletat nuk po shiten me të njëjtin ritëm si 4-5 vite më parë.
Publiku nuk është i gatshëm të paguajë çmime të pajustifikueshme – një biletë që dikur kushtonte 50 € dhe quhej e shtrenjtë, sot mund të arrijë deri në 300 €, ndërkohë që nuk ka pasur një rritje 5-6-fish të cilësisë së spektaklit.
Kjo nuk vlen vetëm për VIP-at, ku çmimet shkojnë nga 1,500-2,000 euro, madje deri në 20,000 euro për festivale si Tomorrowland apo Coachella.
Problemi kryesor është se edhe biletat standarde janë bërë të papërballueshme për shumë njerëz, duke ndikuar drejtpërdrejt në pjesëmarrjen e tyre.
Argëtimi, që dikur ishte një përvojë e arritshme, tani është kthyer në një luks.
A ka ndonjë model suksesi nga vendet e tjera që mund të funksionojë edhe në Shqipëri?
Një nga modelet më të suksesshme që mund të aplikohet në Shqipëri është subvencionimi i industrisë së kulturës nga shteti, nëpërmjet granteve apo sponsorizimeve. Ky nuk është një shpenzim i tepërt, por një investim strategjik, ashtu si ndërtimi i një shkolle apo një rruge.
Problemi kryesor sot është mungesa e një sistemi të mirëfilltë kulturor, i cili duhet të nisë që në fëmijëri.
Brezi i ri, sot 10-12-vjeçarët, pas 10-15 vjetësh do të jenë konsumatorë të rëndësishëm të industrisë së kulturës, duke e konsideruar pjesëmarrjen në shfaqje artistike dhe kulturore po aq të rëndësishme sa shpenzimet për veshje, elektronikë, udhëtime apo restorante.
Ndërkohë, të rinjtë e sotëm, rreth 25 vjeç, nuk kanë krijuar këtë kulturë, jo për faj të tyre, por sepse nuk janë rritur me një infrastrukturë të zhvilluar për teatrin, kinemanë, koncertet apo shfaqjet kulturore.
Modeli i Suedisë – Një shembull suksesi
Një shembull që tregon qartë si investimi në kulturë sjell zhvillim është Suedia. Ky vend është një nga eksportuesit më të mëdhenj të muzikës në botë.
Që nga koha e ABBA, e deri te producentë të nivelit botëror si Max Martin dhe artistë si Avicii, Suedia ka krijuar një industri të fuqishme muzikore.
Sot, Suedia është vendi i tretë në botë për eksportin e muzikës, dhe kjo nuk është rastësi. Suksesi i këtij ekosistemi muzikor vjen nga një mbështetje e vazhdueshme shtetërore dhe nga krijimi i një infrastrukture që favorizon inovacionin.
Kjo është arsyeja pse një ide si Spotify, e krijuar nga Daniel Ek, lindi pikërisht aty – në një mjedis ku muzika ishte pjesë e jetës dhe e industrisë së zhvilluar.
Nëse Shqipëria dëshiron të zhvillojë industrinë e kulturës, duhet të mësojë nga këto modele dhe të investojë seriozisht në krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm.
Në të kundërt, do të mbetemi në të njëjtin cikël, ku të rinjtë kërkojnë evente të nivelit të lartë, por pa pasur mundësi financiare për t’i përballuar, dhe organizatorët nuk arrijnë të sjellin artistë të mëdhenj për shkak të mungesës së mbështetjes dhe investimeve.
Si mund të ndihmojnë organizatorët dhe shteti për të rritur pjesëmarrjen e të rinjve?
- Mbështetje financiare nga shteti
Shteti duhet të subvencionojë industrinë e artit dhe kulturës në disa mënyra:
Fonde publike për organizatorët: Duke mbështetur organizatorët e eventeve me grante dhe fonde të posaçme.
Hapësira të reja kulturore: Krijimi i sallave dhe arenave të mbyllura për koncerte dhe evente të mëdha (10,000 – 15,000 persona), që mungojnë në Shqipëri, ose më konkretisht në Tiranë.
Shkolla dhe qendra kulturore: Investimi në edukimin kulturor të brezave të rinj për të krijuar një bazë të qëndrueshme të audiencës së ardhshme.
- Ulja e barrës fiskale për organizatorët
Në vend që të ndihmojë, shteti aktualisht rëndon industrinë me taksa të larta, duke përfshirë:
15% Tatim në Burim (TAB) për pagesat e artistëve
20% TVSH mbi biletat e shfaqjeve
Ky model çon në një rreth vicioz:
Biletat bëhen më të shtrenjta → Më pak të rinj mund t’i blejnë → Ulje e pjesëmarrjes → Vështirësi financiare për organizatorët → Më pak evente cilësore
Zgjidhja?
Heqja e Tatimit në Burim për artistët
TVSH zero ose e reduktuar për biletat e shfaqjeve kulturore
Krijimi i një “kulture bonusi” për të rinjtë, me karta vjetore që subvencionojnë pjesëmarrjen në evente kulturore (p.sh., një bonus kulturor prej 100 € në vit për të rinjtë).
- Përfitimet ekonomike dhe sociale
Sipas një studimi të thjeshtë, e gjithë industria e kulturës në Shqipëri gjeneron rreth 10 milionë euro në vit, nga të cilat shteti mbledh rreth 3.5 milionë euro nga TVSH dhe TAB.
Këto të ardhura janë të papërfillshme për buxhetin shtetëror, por jashtëzakonisht të rëndësishme për industrinë dhe organizatorët. Nëse këto 3.5 milionë euro do të qëndronin në industri, ato do të riktheheshin në qarkullim, duke rritur nivelin e eventeve dhe pjesëmarrjen e publikut.
Pra, shteti duhet ose të subvencionojë duke mbështetur të rinjtë dhe organizatorët, ose të mos marrë para nga një industri që mbijeton me vështirësi. Kjo është e vetmja mënyrë për të krijuar një ekosistem të qëndrueshëm kulturor, ashtu siç kanë bërë vendet e zhvilluara.
The post “Po rritet një brez që nuk konsumon kulturë” appeared first on Revista Monitor.








