Sistemi i pagesave dixhitale në Brazil ka marrë popullaritet të menjëhershëm. Platforma Pix ka gjallëruar sektorin bankar të Brazilit, por i jep Bankës Qendrore fuqi shqetësuese
Në nëntor 2020, në kulmin e pandemisë Covid-19, Banka Qendrore e Brazilit paraqiti sistemin e pagesave dixhitale Pix. Kjo mënyrë pagese shmangte kontaktin fizik, gjithashtu ishte e shpejtë, e lirë dhe e lehtë për t’u përdorur.
Platforma Pix u bë shpejt popullore. Për të dërguar para, përdoruesit kanë nevojë për numrin kombëtar të identifikimit të marrësit, numrin e celularit, ose një kod QR.
Deri në vitin 2024 (shih grafikun), Pix ishte bërë teknologjia më popullore e pagesave në Brazil, duke zëvendësuar paratë e gatshme dhe kartat e kreditit.
Numri i transaksioneve u rrit nga 9 miliardë në vitin 2021, në 63 miliardë në vitin 2024, duke zhvendosur 26 trilionë realë (4,5 trilionë dollarë). Asnjë shtet nuk e ka përhapur një sistem të tillë më shpejt se Brazili, shkruan The Economist.

Përdorimi i gjerë i një platforme pagese të lirë dhe pa kontakt ka nxitur konkurrencën në sektorin bankar të Brazilit. Gjithashtu po nxit risi të mëtejshme.
Pix është themeli mbi të cilin banka qendrore e Brazilit BCB po ndërton Drex, një version dixhital të monedhës Real, të cilin do ta hedhë në treg pasi të ketë përfunduar provat këtë vit. Në këtë rast, banka e Brazilit do të bëhej një nga pak bankat qendrore në botë që emetojnë një monedhë dixhitale.
Renato Gomes, një nga tetë drejtorët e Bankës BCB, thotë se platforma Pix po zëvendëson me shpejtësi pagesat me para në dorë. Tërheqjet e parave të gatshme në Brazil janë ulur me gati 40% që nga kulmi.
Sistemi Pix pritet të kapërcejë kartat e kreditit për t’u bërë metoda kryesore për të kryer blerje online këtë vit. Banka qendrore po shton komanda të ndryshme për të lehtësuar pagesat në një gamë gjithnjë e më të gjerë skenarësh.
Në shkurt, platforma Pix mundësoi pagesat pa kontakt duke përdorur celularët smartphone. Duke filluar nga qershori, përdoruesit do të mund të përdorin Pix për të kryer pagesa të njëhershme, si dhe pagesat për faturat e shërbimeve.
Kjo tregon se gjithnjë e më shumë para do të rrjedhin nëpër banka dhe llogaritë e shitësve me pakicë. Gomes thotë se përhapja e gjerë e platformës Pix mund të ketë rritur edhe produktivitetin në vend. Ndoshta kjo është arsyeja pse rritja e PBB-së së Brazilit ka tejkaluar pritshmëritë në tre vitet e fundit radhazi.
Platforma Pix ka ndihmuar edhe në shpërndarjen e bankave të Brazilit, të cilat dikur ishin shumë të përqendruara. Në vitin 2018, gjashtë prej tyre mbanin 82% të aseteve dhe 86% të kredive.
Falë platformës Pix, bankat më të vogla pa burime për të hapur degë ose për të mirëmbajtur bankomatet, tani mund të konkurrojnë. Ndoshta më e njohura është banka NuBank.
Në vitin 2019, kjo bankë dixhitale, e cila nuk i ngarkon tarifë përdoruesit për të hapur një llogari, kishte 17 milionë klientë në Brazil. Në vitin 2024, ajo tërhoqi 102 milionë (plus 12 milionë shtesë në Meksikë dhe Kolumbi), duke u bërë banka dixhitale më e madhe në botë, jashtë Kinës.
Platforma Pix është falas për konsumatorët dhe e lirë për tregtarët, me tarifa mesatare 0,22%. Tarifat që bankat u ngarkojnë tregtarëve për përpunimin e pagesave me kartë janë rreth dhjetë herë më të shtrenjta.
Konkurrenca po i detyron ato t’i ulin tarifat për të tërhequr klientët. Shumë shitës me pakicë bëjnë ulje për blerësit që paguajnë me sistemin Pix dhe jo me karta ose para të gatshme.
Bankat tradicionale nuk kanë përfituar shumë, pasi platforma Pix i ka detyruar të mbyllin degët e kushtueshme dhe të papërdorura. Pix kërkon që përdoruesit të kenë një llogari bankare.
Kjo nënkupton se do të ketë më shumë klientë të cilëve mund t’u shiten kredi dhe shërbime të tjera. Por pjesa më e madhe e kësaj rritjeje ka shkuar për banka si NuBank dhe të ngjashme.
Platforma Pix nuk ishte metoda e parë e pagesës së menjëhershme e paraqitur nga një bankë qendrore në një vend në zhvillim. E para ka qenë Ndërfaqja e Bashkuar e Pagesave të Indisë (UPI), e cila u paraqit në vitin 2016.
Më pas, platforma CoDi, që është versioni meksikan i Pix, u krijua në vitin 2019. Megjithatë Pix është përhapur shumë më shpejt se UPI ose CoDi. Shtetet e tjera po ndjekin shembullin e Brazilit.
Në shkurt, Kolumbia paraqiti një sistem pagesash, të zhvilluar në bashkëpunim me një nga kompanitë financiare-teknologjike që punonte në Pix.
Por ndryshe nga India, ku UPI drejtohet nga një organ i industrisë, platforma Pix menaxhohet tërësisht nga Banka BCB.
Megjithëse u këshillua me institucionet financiare gjatë krijimit të platformës, Banka BCB e drejton e vetme infrastrukturën e Pix dhe kontrollon bazën e koduar të të dhënave, që ruan të gjitha transaksionet. Pothuajse të gjitha bankat e mëdha në Brazil filluan të përdornin Pix kur u hodh në treg.
Shumë pushtet
Ky përqendrim i pushtetit në një Bankë Qendrore është i pazakontë dhe është kritikuar. “Tani ne jetojmë në një demokraci, por përfytyroni sikur kjo të ekzistonte nën një autokraci dhe të gjitha të dhënat tuaja të ishin në dispozicion të qeverisë”, thotë kreu i një kompanie të njohur financiare-teknologjike.
Ai mendon se qytetarët në shtetet më të pasura nuk do ta lejonin qeverinë të kishte qasjen që gëzon Pix në të gjitha transaksionet financiare. Gjithashtu, nëse sistemi hakerohet ose prishet, pasojat do të ishin shumë më të mëdha se sa hakerimi i një banke të vetme.
Por brazilianët nuk janë të shqetësuar. Platforma Pix po bëhet globale dhe kanë filluar ta përdorin përpunuesit e pagesave në të gjithë Amerikën Latine.
Zyrtarët e Brazilit po bisedojnë me vendet ku ndodhen një numër i madh emigrantësh brazilianë për të lejuar dërgimin e remitancave nëpërmjet platformës Pix. Kjo mund të ulë fitimet e kompanive të transferimit të parave që ngarkojnë tarifa të larta.
Përhapja e platformës Pix gjithashtu e ka bërë më të lehtë që banka BCB të lëshojë edhe versionin dixhital të Realit, të quajtur Drex. Për ta bërë këtë, nevojitet një regjistër i përdoruesve dhe një regjistër qendror i transaksioneve financiare.
Pix i mundëson të dyja, pasi çdo përdorues duhet të ketë nga një numër identifikimi tatimor të regjistruar në llogarinë e tij bankare.
Pengesa më e madhe për qeverinë është se për shkak të popullaritetit të madh të platformës Pix, çdo lajm i keq që lidhet me të, do të shkaktojë probleme.
Në janar, agjencia federale tatimore e Brazilit njoftoi se do të kërkonte që të gjitha kompanitë që trajtojnë transaksionet e platformës Pix, duhet të zbulojnë ato me vlerë më shumë se 5,000 realë.
Grupet e krahut të djathtë e interpretuan gabimisht këtë sikur administrata e majtë e presidentit Luiz Inácio Lula da Silva po kërkonte të taksonte transfertat e Pix.
Kjo shkaktoi aq shumë zhurmë, sa që popullariteti i presidentit ra në nivelin më të ulët deri tani dhe qeveria e ktheu mbrapsht masën. Ky është një çmim i vogël për të paguar për mrekulli të tilla dixhitale.
The post Platforma Pix appeared first on Revista Monitor.









