Plani i BQE-së për euron dixhitale has rezistencë nga bankat dhe ligjvënësit e BE-së

0

Plani i Bankës Qendrore Europiane për të vënë në qarkullim euron dixhitale deri në vitin 2029 ka hasur kundërshtim të fortë nga ligjvënësit e BE-së dhe industria bankare europiane.

Para një seance kyçe në Parlamentin Europian për projektin të mërkurën, 14 banka, përfshirë Deutsche Bank, BNP Paribas dhe ING, paralajmëruan se euroja dixhitale mund të rrezikojë sistemet e pagesave të sektorit privat.

Këto 14 banka janë bashkuar për të krijuar një alternativë të sektorit privat ndaj kompanive amerikane të pagesave si Mastercard, Visa dhe PayPal. Shërbimi i tyre, i quajtur Wero, u vu në përdorim vitin e kaluar.

“Dizajni aktual i euros dixhitale për përdorim me pakicë mbulon kryesisht të njëjtat raste përdorimi si zgjidhjet private, pa ofruar ndonjë vlerë të qartë shtesë për konsumatorët”, thanë bankat përpara seancës së së mërkurës.

Fernando Navarrete, eurodeputet konservator nga Spanja, i caktuar nga Parlamenti Europian për të vlerësuar projektin e euros dixhitale, ka argumentuar gjithashtu për një version të projektit të reduktuar ndjeshëm.

BQE-ja filloi vlerësimin e parasë dixhitale të bankës qendrore në vitin 2020. Javën e kaluar, Këshilli Drejtues i saj vendosi zyrtarisht të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të qenë në gjendje të emetojë eurot e para dixhitale “gjatë vitit 2029”, me një fazë pilot të planifikuar për vitin 2027. Legjislacioni që mbështet projektin u propozua nga Komisioni Europian në vitin 2023.

Ligjet aktuale i japin BQE-së të drejtën të emetojë vetëm para fizike, jo tokenë dixhitalë, prandaj projekti mund të ecë përpara vetëm nëse qeveritë e BE-së dhe Parlamenti Europian e miratojnë.

Rënia dramatike e përdorimit të parasë cash dhe dominimi i ofruesve amerikanë të pagesave krijon nevojën për euron dixhitale për të mbrojtur “lirinë, autonominë dhe sigurinë tonë”, deklaroi në shtator anëtari i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone. Pjesa e pagesave me para fizike në dyqane ra nga 72 % në 52 % në pesë vitet deri në 2024.

Euroja dixhitale ka marrë shtysë edhe nga zhvillimi i shpejtë i “stablecoin”-eve të mbështetura nga SHBA-ja, të cilat shumë europianë i shohin si kërcënim për rolin e euros.

Një muaj më parë, 20 ministrat e financave të vendeve të Eurozonës mbështetën planet e BQE-së për euron dixhitale, duke përshëndetur “përparimin e fundit të arritur në avancimin e projektit” dhe duke u bërë thirrje ligjvënësve në Bruksel të miratojnë shpejt ndryshimet ligjore të nevojshme.

Navarrete argumentoi në një raport të publikuar javën e kaluar se euroja dixhitale duhet të përdoret vetëm në vend të monedhave dhe kartëmonedhave për pagesa pa lidhje interneti apo mobile, por jo si mjet dixhital për pagesa në kohë reale në transaksione të tjera, përfshirë online, siç e parashikon BQE-ja.

Në raportin e tij, Navarrete paralajmëron se funksionalitetet online mund të krijojnë “një ekosistem paralel pagesash që pengon zgjidhjet private të shtrihen në të gjitha vendet e BE-së”.

Sipas tij, versioni online i euros dixhitale duhet të vihet në përdorim vetëm nëse dështojnë rivalët e sektorit privat europian ndaj ofruesve amerikanë të pagesave.

Navarrete tha se sektori privat ishte “më afër se kurrë më parë” krijimit të një sistemi konkurrues pagesash, duke shtuar se “një qasje e përgjegjshme politike duhet të jetë krijimi i kuadrit që maksimizon gjasat që kjo të ndodhë”, duke qenë njëkohësisht “gati për një opsion rezervë”.

Nuk është e qartë nëse qëndrimet e Navarrete-s ndahen nga shumica e Parlamentit, pasi socialdemokratët, liberalët dhe të gjelbërit, si edhe disa anëtarë të grupit të tij konservator, e mbështesin euron dixhitale.

Vlerësimi i tij u mirëprit të martën nga Komiteti i Industrisë Bankare të Gjermanisë, grupi më i lartë lobues i sektorit bankar në vend, i cili e quajti planin aktual “shumë kompleks” dhe “shumë të kushtueshëm”, duke paralajmëruar se ofron “pak përfitime të prekshme për konsumatorët”.

Në një studim të porositur nga bankat europiane, PwC vlerësoi se vënia në qarkullim e euros dixhitale mund t’i kushtojë sektorit financiar deri në 30 miliardë euro. BQE-ja e hodhi poshtë këtë vlerësim, duke e llogaritur koston në pak më pak se 6 miliardë euro.

“Njëzet e pesë vjet pas nisjes së përdorimit të euros, ende nuk ekziston një zgjidhje e vetme, konkurruese pan-europiane për pagesat”, tha një zyrtar i lartë i një banke qendrore, duke shtuar se edhe krijimi me sukses i një rivali të sektorit privat ndaj Visa-s dhe Mastercard-it nuk do të ishte zgjidhje e përhershme, pasi pronësia e tij mund të ndryshojë.

“Edhe Visa Europe dikur ishte europiane, por në fund u shit,” shtoi zyrtari i bankës qendrore. / FT

The post Plani i BQE-së për euron dixhitale has rezistencë nga bankat dhe ligjvënësit e BE-së appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

eighteen − twelve =