Përdorimi i teknologjisë për përsosjen e njeriut

0

Ëndrrat për përmirësimin e racës njerëzore nuk janë më fantazi. Por industria e “përmirësimit të njeriut” pengohet ende nga rregullat e vjetra, shkruan The Economist

 

Pasi zbuloi kërpudhat halucinogjene, Christian Angermayer kuptoi se kishte një mision për të ndihmuar racën njerëzore të përmirësohej.

Pasi hyri në “portën e Zotit” falë përdorimit të drogave psikedelike, miliarderi gjerman donte të orientonte pjesën tjetër të njerëzimit në të njëjtin drejtim.

Në ditët e sotme, fondi i tij i investimeve, jo vetëm që mbështet financiarisht përdorimin e barnave të tilla si një trajtim për problemet e shëndetit mendor, por gjithashtu “po bën hapa të mëdhenj në përmirësimin e njeriut në përgjithësi”, çka do të thotë se po punon në trajtime për t’i bërë njerëzit më të fortë, më të zgjuar dhe jetëgjatë.

Miliarderi gjithashtu ka dhuruar 101 milionë dollarë për zbulimet shkencore që ngadalësojnë plakjen dhe do të krijojë një konkurs të quajtur “Lojëra të Përparuara”, ku atletët mund të fitojnë 1 milion dollarë për thyerjen e rekordeve botërore, duke përdorur doping.

Shumë njerëzve këto gjëra mund t’i duken donkishoteske, por zoti Angermayer nuk është i vetmi që beson në to.

Përmirësimi i shëndetit të njeriut nëpërmjet pajisjeve të ndryshme teknologjike, nga ato që vëzhgojnë shëndetin, e deri tek implantet nervore që synojnë të ndreqin paralizën, tashmë janë pjesë e një industrie me vlerë 125 miliardë dollarëshe, e cila po rritet me më shumë se 10% në vit.

Firmat që kërkojnë të rrisin jetëgjatësinë e njeriut, që është vetëm një nga shtyllat e planit, tërhoqën një kapital sipërmarrës me vlerë pothuajse 5 miliardë dollarë në gjysmën e parë të vitit të kaluar. Njerëz të njohur të teknologjisë, si Peter Thiel, bashkëthemelues i firmës PayPal, dhe Sam Altman, drejtuesi i kompanisë OpenAI, po derdhin para në idenë se trupi i njeriut mund të përsoset.

Investitorët nuk shtyhen vetëm nga vizioni i një të ardhmeje ku plakja parandalohet dhe rekordet olimpike të forcës, shpejtësisë ose qëndrueshmërisë janë të zakonshme.

Ata gjithashtu janë optimistë sepse besojnë se administrata e tanishme amerikane është e hapur ndaj kësaj nisme dhe mund të ndihmojë. Muajin e kaluar, Donald Trump Jr, djali i madh i presidentit amerikan, mori pjesë në një konferencë me zotërinjtë Angermayer dhe Thiel.

Ai tha se konkurrenca mishëron “ekselencën, risinë dhe mbizotërimin amerikan në skenën botërore”. A mundet që ndërthurja e investitorëve entuziastë dhe nxitja zyrtare, të hapin rrugën për trajtime që ripërcaktojnë kapacitetin e mendjes dhe trupit të njeriut?

 

E rëndomtë apo e shfrenuar?

Njerëzit gjithmonë kanë kërkuar të kapërcejnë kufijtë biologjikë. Veshjet dhe syzet, pajisjet kardiake për kontrollin e ritmit të zemrës dhe kirurgjia plastike, janë të gjitha forma përmirësimi.

Sidoqoftë, ideja për ta bërë njerëzimin më të mirë, tingëllon e fryrë. Elon Musk ka thënë se dëshiron t’u japë njerëzve “superfuqi”. Përveç kompanisë së njohur Tesla, ai ka themeluar një kompani të implanteve të trurit të quajtur Neuralink.

Miliarderi 47-vjeçar Bryan Johnson po ndjek një regjim të rreptë shëndetësor që ai thotë se mund ta lejojë të jetojë përgjithmonë. Pretendime të tilla nuk marrin parasysh pasiguritë e shumta shkencore, pengesat rregullatore dhe telashet morale.

Gjithsesi, përpjekjet për të rritur jetëgjatësinë e njeriut, në përgjithësi, duket se përfshijnë tre grupe të mëdha: suplementet ushqimore, terapitë gjenetike dhe implantet nervore.

Suplementet janë një industri më vete, me shitje vjetore prej 485 miliardë dollarësh. Përveç kësaj, disa medikamente me recetë po përdoren në mënyra që prodhuesit e tyre nuk i këshillojnë. Ekstraktet bimore si xhensen, xhinko dhe “krifa e luanit” (një lloj kërpudhe), merren për të bërë mendjen më të mprehtë.

Përdoret edhe Adderall, një drogë që nxit gjallërinë e mendjes, e cila përmban amfetaminë, një lëndë e përdorur shpesh nga studentët e lodhur nga mungesa e gjumit që duan të mbajnë trurin të kthjellët.

Nikotinamidi mononukleotid, spermidina, kreatin fosfati dhe testosteroni për meshkujt, përdoren të gjitha për të vonuar plakjen ose për të përmirësuar aftësitë mendore ose fizike.

 

Njeriu si kavie laboratori

Zakonisht ka një lloj teorie shkencore pas këtyre trajtimeve, por jo prova mjaftueshëm të forta. Kimikati në fjalë mund të ketë dhënë rezultate të mira në kërkimet mbi kafshët (shpesh minj), por mund të mos jetë vënë në provë te njerëzit.

Ose mund të ndihmojë në trajtimin e problemeve të posaçme te njerëzit, por nuk është vlerësuar për qëllimin e shëndetit të përgjithshëm dhe jetëgjatësisë.

Marrim për shembull testosteronin, që u jepet burrave për të rritur energjinë dhe dëshirën seksuale dhe për të ulur ankthin. Por ai jepet për ata meshkuj, trupat e të cilëve nuk e prodhojnë dot vetë mjaftueshëm këtë hormon.

Ndërsa Robert Kennedy, sekretari i ri i Shëndetësisë në Amerikë, e merr testosteronin, jo për të ndrequr ndonjë mangësi, por si pjesë e një “protokolli kundër plakjes”.

Në provat klinike, ky hormon nuk është matur për këtë qëllim, kështu që është e vështirë të thuhet nëse do të ketë efektet që pret zoti Kennedy, apo edhe nëse përdorimi i tij në këtë mënyrë mund të jetë i rrezikshëm ose i dëmshëm.

Mungesa e të dhënave për efektin e këtyre suplementeve në shëndetin e përgjithshëm nuk është e rastësishme. Hulumtimet mjekësore më së shumti përqendrohen në ndreqjen e mangësive ose problemeve, dhe jo në përmirësimin e aftësive të njerëzve që tashmë janë të shëndetshëm.

Rregullatorët kanë zhvilluar sisteme për të zbuluar nëse ilaçet parandalojnë ose lehtësojnë sëmundjet e njohura, por këto sisteme zakonisht nuk janë të përshtatshme për të vlerësuar nëse një trajtim ka një efekt pozitiv te njerëzit e shëndetshëm.

Prova të tilla nuk janë kryer sepse nuk shihen si urgjente, prandaj nuk dihet mirë si duhet të baraspeshohen rreziqet me përfitimet. Për më tepër, për substancat që gjenden në natyrë, nuk mund të merret dot patentë, kështu që kompanitë nuk kanë shumë arsye që të investojnë para në kërkime shkencore mbi efektet e tyre.

Kjo ka bërë që njerëz si miliarderi Bryan Johnson t’i kryejnë vetë kërkimet. Ai e përshkruan veten si një “atlet risie” dhe shpenzon 2 milionë dollarë në vit në një regjim shëndeti që mbikëqyret nga një ekip shkencëtarësh.

Çdo ditë, ai zgjohet në orën 5:00 të mëngjesit, merr 100 pilula (një përzierje suplementesh dhe ilaçesh me recetë), bën ushtrime fizike për një orë ose më shumë dhe ndjek një dietë vegane me kalori të kontrolluara. Ai nuk ha pas orës 11:00 të mëngjesit dhe shkon në shtrat në orën 20:30.

Fle i vetëm në dhomë, për një pushim më të mirë.

Por kjo është thjesht rutina ditore e zotit Johnson. Kohët e fundit, ai tha se zëvendësoi të gjithë plazmën e trupit (pjesën e lëngshme të gjakut), me një tretësirë proteine të quajtur albuminë.

Ai ka marrë një transfuzion gjaku nga i biri, pasi një provë me minjtë kishte treguar se kjo mund të ketë një efekt gjenerues për trupin. Johnson ka si qëllim të minimizojë treguesit biologjikë të plakjes, edhe pse nuk është përcaktuar tamam shkencërisht se cilët janë këta tregues.

Për shembull, ai thotë se i kushton vëmendje sasisë dhe kohëzgjatjes së ereksioneve gjatë natës, gjë që nuk është një matje e pranuar gjerësisht nga shkenca.

Charles Brenner, biokimist në një qendër amerikane kërkimore mjekësore me emër “City of Hope”, ka thënë se “polifarmacia” e zotit Johnson ka gjasa të jetë e dëmshme dhe i hodhi poshtë pretendimet e tij për pavdekësi, duke i quajtur një “iluzion”.

Pa provat e duhura klinike të trajtimeve të ndryshme është e pamundur të gjykohet me siguri.

Prandaj, të pasionuarit e rritjes së jetëgjatësisë janë të ngazëllyer për një studim të ri të quajtur TAME, që është prova e parë klinike posaçërisht për plakjen, që u miratua nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA).

 

 

TAME do të vërë në provë nëse metformina, një ilaç për kurimin e diabetit, mund të zgjasë edhe jetëgjatësinë e njeriut.

Duke qenë se nuk do të ishte praktike që prova të kryhej për mbi 80 ose 90 vjet, TAME do të merret me matjen e sëmundjeve të lidhura me moshën, si kanceri dhe demenca, për një periudhë më të shkurtër, duke i përfshirë ato si tregues për jetëgjatësinë.

Me kalimin e kohës, FDA mund të pranojë matje të tjera si tregues të plakjes, megjithëse u deshën vite vetëm për t’u pajtuar me formatin e TAME.

Një lloj tjetër trajtimi që ka fituar mbështetje nga të pasionuarit e jetëgjatësisë është terapia gjenetike, ku materiali i ri gjenetik futet në trup për të ndryshuar mënyrën si funksionon trupi.

George Church, një gjenetist në Universitetin e Harvardit, thotë se njerëzit po arrijnë majat e përmirësimeve fizike dhe mendore që mund të arrihen përmes dietës dhe stërvitjes.

Përfitimet e mëtejshme, sipas tij, do të kërkojnë teknologji të përparuara, si ndryshimi i gjeneve. Sidoqoftë, përmirësimet në rekorde të ndryshme olimpike janë ngadalësuar në vitet e fundit (shih grafikun). Shkas për këtë mund të jenë kufijtë biologjikë të trupit, ose kontrollet më të rrepta kundër drogave doping.

Trajtime të tjera me interes janë terapitë gjenetike që arrijnë qëllime të ndryshme mjekësore, si rritja e prodhimit të qelizave të kuqe të gjakut për anemikët, ose forcimi i muskujve për njerëzit e dobët.

Agjencitë e dopingut janë të shqetësuara se atletët do të përdorin trajtime të tilla, të cilat janë të vështira për t’u zbuluar. Thuhet se në vitin 2006, një trajner gjerman u përpoq të bënte një terapi gjenetike eksperimentale të quajtur Repoxygen, megjithëse nuk dihet nëse e bëri.

Dr. Church është bashkëthemelues i një firme të quajtur Rejuvenate Bio, e cila synon të përdorë terapinë gjenetike për të trajtuar sëmundjet e lidhura me moshën.

Në një studim vitin e kaluar në revistën shkencore Cellular Reprogramming, u raportua se te minjtë ishin futur disa gjene që nxisnin prodhimin e proteinave të quajtura Yamanaka që i bëjnë qelizat më të reja.

Kafshët jetuan shumë më gjatë se normalja dhe u pakësuan efektet negative të ADN-së, të lidhura me moshën. Firma synon ta përsërisë këtë efekt tek njerëzit.

Publikisht, vetëm një përmirësim gjenetik është i disponueshëm në klinikë. Një firmë e quajtur Minicircle ka zhvilluar një metodë për futjen e gjeneve të reja në trup duke përdorur disa sythe të ADN-së bakteriale, të quajtura plazmide. Ajo ka përdorur këtë teknikë për të nxitur trupin të prodhojë më shumë folistatinë, një hormon që ndikon në rritjen e muskujve.

Si zakonisht, shumica e hulumtimit u krye tek minjtë. Miliarderi Johnson bëri terapinë me folistatinë të firmës Minicircle vitin e kaluar, në një klinikë në ishullin Roatán, në brigjet e Hondurasit. Synimi ishte të vonohej fillimi i plakjes dhe të zgjateshin skajet e kromozomeve, që mund të jenë një tregues i jetëgjatësisë.

Vendndodhja e klinikës në qytetin gjysmë autonom Próspera nuk është e rastësishme. Qyteti është pjesë e një zone të veçantë ekonomike me rregullore më pak të rrepta se pjesa tjetër e Hondurasit.

Për shembull, aty lejohet kryerja e procedurave mjekësore që mund të mos lejohen në juridiksione të tjera. Firma private që drejton qytetin ka mbështetjen e emrave të njohur si zoti Altman, zoti Thiel dhe zoti Marc Andreessen, një sipërmarrës i njohur.

Altman edhe ka investuar në firmën Minicircle. Por qeveria e Hondurasit po përpiqet të anulojë statusin e veçantë të qytetit Prospera.

Një tjetër trajtim që ka fituar mbështetje për jetëgjatësinë është lidhja tru-kompjuter (BCI). Këto pajisje mund të mbledhin dhe të marrin sinjale nga truri ose t’i dërgojnë atij sinjale.

Ato mund të jenë kufje ose implante invazive, që futen në tru. Edhe pse janë një teknologji e re, tashmë janë përdorur për të arritur rezultate çuditërisht të mira.

Shkencëtarët zbuluan veprimtarinë në zonën e trurit që përpunon të dhënat pamore, duke gjetur më pas se çfarë lloj imazhesh po shikojnë njerëzit, dhe madje në disa raste mund edhe t’i rindërtojnë ato imazhe.

Një implant i krijuar nga firma e zotit Musk, Neuralink ka bërë të mundur që një paraplegjik të përdorë një kompjuter me mendimet e tij.

Musk thotë se së shpejti do të jetë e mundur që implantet e trurit të lejojnë pacientët me aftësi të kufizuara që të lëvizin edhe gjymtyrët artificiale. Kompania Neuralink po zhvillon edhe një implant për të rikthyer shikimin e të verbërve, megjithëse nuk ka filluar ende provat njerëzore.

Në planin afatgjatë, Musk dëshiron jo vetëm të kapërcejë aftësitë e kufizuara, por të rrisë fuqitë mendore të pacientëve. Ai shpreson të përdorë sistemin BCI për të lidhur trurin e njeriut me inteligjencën artificiale, duke rritur shumë kapacitetin e arsyetimit dhe njohuritë.

Investitorët duken entuziastë për këtë vizion. Kompania private Neuralink ka siguruar disa raunde financimi, duke përfshirë një në vitin 2023 nga zoti Thiel. Zotërinjtë Angermayer dhe Thiel kanë investuar gjithashtu në një tjetër firmë, Blackrock Neurotech. Një kompani e tretë me emrin Synchron, ka si mbështetës financiarë Jeff Bezos, themeluesin e Amazon dhe Bill Gates, themeluesin e Microsoft.

Ndërkohë, disa pajisje BCI tashmë janë në treg. Njëra, e krijuar nga firma Flow Neuroscience, përdor elektroda të ngjitura në lëkurën e kokës, për të dërguar një ngarkesë të vogël elektrike në zona të veçanta të trurit.

Ajo po vihet në provë nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë, për të trajtuar depresionin. Pajisje të tjera synojnë të trajtojnë çrregullime të ndryshme neurologjike ose psikologjike në një mënyrë të ngjashme.

 

Efekti

Por, përveç trajtimit të sëmundjeve të njohura, pajisjet BCI synojnë të përmirësojnë edhe gjëra të tjera. Disa i ndihmojnë përdoruesit të jenë më të qetë, më të përqendruar dhe të kenë kujtesë më të fortë.

Një tjetër pajisje mendohet se mund të rrisë vigjilencën. Ka shpresa që pajisjet BCI të këtij lloji mund ta ndihmojnë njeriun me shpërqendrimin ose lodhjen dhe të rrisin rendimentin e punonjësve në punë.

Vendi ku pajisjet BCI po zhvillohen me më shumë dëshirë, është Kina. Aty janë bërë prova të shumta me majmunët dhe njerëzit.

Shkencëtarët kinezë kohët e fundit pretenduan se kishin zhvilluar pajisjen e parë BCI të dyanshme dhe jo-invazive, duke lejuar që një dron dhe një pilot të komunikojnë me njëri-tjetrin. Qeveria ka nxjerrë edhe rregullore të ndryshme për të përshpejtuar miratimin e pajisjeve BCI.

Por këto pajisje ngrenë shumë çështje etike dhe ligjore. Nëse teknologjia bëhet mjaftueshëm e sofistikuar, do të fillojnë shqetësimet për privatësinë dhe kontrollin e mendjes së njeriut. Ligjet rregullatore duhet të jenë të kujdesshme.

Por disa sipërmarrës shpresojnë që autoritetet amerikane të tregohen më tolerante.

Zoti Kennedy është shkëputur nga ortodoksia mjekësore dhe ka përqafuar terapi të paprovuara që ai pretendon se ndihmojnë në rritjen e jetëgjatësisë. Ai është ankuar në të kaluarën se agjencia FDA po i pengon kërkimet për terapitë me qeliza staminale.

Presidenti Trump ka emëruar Jim O’Neill, një entuziast i jetëgjatësisë, si një nga zëvendësit e zotit Kennedy. Ai gjithashtu ka qortuar FDA-në se tregohet tepër e kujdesshme në licencimin e trajtimeve eksperimentale.

 

Revolucioni

Aron D’Souza, kreu i Lojërave të Përparuara, mendon se administrata e re amerikane do të nxisë “një revolucion teknologjik”.

“Ka lëvizje të mëdha”, thotë ai. “FDA është një organizatë e shkëlqyer, por ka shumë gjëra dhe elemente jashtë fushëveprimit të rregullave të tanishme, sepse ajo nuk është krijuar për këtë grup rregullash”.

Ai thotë se administrata Trump tashmë po shqyrton lehtësimin e rregulloreve për përdorimin e steroideve anabolike, gjë që do të mirëpritej nga sportistët bodybuilder.

Zoti Angermayer gjithashtu këmbëngul se autoritetet amerikane duhet të kuptojnë se duhet “ndryshuar korniza” për zhvillimin e ilaçeve të reja, veçanërisht atyre që synojnë jetëgjatësinë, për të lejuar hapësirë më të madhe për përmirësim. Kjo nga ana tjetër, do të nxiste investimet në kërkime dhe do të përshpejtonte zhvillimin e terapive të reja.

Sado emocionuese të jenë këto ide për të pasionuarit e rritjes së jetëgjatësisë, publiku i gjerë mund të mos jetë aq entuziast.

Një studim i kryer në vitin 2018, zbuloi se shumica dërrmuese e amerikanëve, ishin dakord me trajtime që mund të risjellin funksionet normale fizike te njerëzit që u mungonin ose i kishin humbur ato aftësi, si të verbrit dhe paraplegjikët.

Por vetëm një pakicë pajtohej me idenë e përmirësimit të aftësive njerëzore përtej kufijve tipikë. Është e vështirë të thuhet nëse kjo pasqyron vetëm një frikë nga e panjohura, e cila do të shkrihet ndërsa përfitimet bëhen të qarta, apo nëse është një shqetësim më i thellë për cytjen e natyrës.

Edhe teknologjitë e tjera të mëdha, si telefonat celularë, janë pritur fillimisht me skepticizëm dhe më pas janë përqafuar botërisht ndërsa përfitimet e tyre janë bërë të dukshme.

 

Pa të meta!

Përkrahësit e këtyre risive janë optimistë në çdo rast. D’Souza ishte ndër pjesëmarrësit në një konferencë të fundit në Britani, ku rritja e aftësive fizike dhe mendore njerëzore përmes teknologjisë, u shpall si një e drejtë morale.

Ai thotë se: “Ne kemi aftësinë për të kapërcyer dobësinë e biologjisë tonë dhe të bëhemi diçka më shumë. Mund të ripërcaktojmë se çfarë është plakja”.

Ai dëshiron që konkursi i Lojërave të Përparuara që ai krijoi, të jetë një spektakël popullor dhe të marrë shumë vëmendje.

Kjo mund të ndihmojë në normalizimin dhe popullarizimin e idesë së zhvillimit njerëzor nëpërmjet risive.

“Unë besoj në mbinjerëzimin”, thotë ai. Ne të tjerët do të vendosim në të ardhmen nëse besojmë apo jo./ Përktheu: Lira Muça

 

The post Përdorimi i teknologjisë për përsosjen e njeriut appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

twelve − 4 =