Norma e papunësisë së përshtatur sipas sezonalitetit në Eurozonë ishte 6.3% në maj 2025, nga 6.2% në prill 2025 dhe në rënie krahasuar me 6.4% që ishte një vit më parë, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.
Në të njëjtën kohë, Eurostat konfirmoi se norma e papunësisë në Bashkimin Europian ishte 5.9% në maj 2025, një nivel i pandryshuar krahasuar me prillin, por në rënie nga 6.0% në maj të vitit 2024.
Duke parë shifrat, rreth 13.052 milionë persona ishin të papunë në të gjithë BE-në në maj 2025, nga të cilët 10.830 milionë ishin në Eurozonë.
Normat e papunësisë mbetën relativisht të qëndrueshme në ekonomitë kryesore të Eurozonës, me përjashtim të Italisë, e cila shënoi një rritje nga 6.1% në 6.5% në maj.
Numri i të papunëve në Eurozonë është ndër më të ulëtit, pasi kompanitë po përballen me mungesë të fuqisë punëtore. Kjo situatë po ushtron njëfarë presioni për rritje të pagave, edhe pse aktualisht pagat po zbresin nga nivelet e larta të shkaktuara nga inflacioni i viteve të fundit.
“Për fundin e vitit, presim që rritja e pagave të bjerë rreth nivelit 3% ose pak më poshtë. Me rritjen e produktivitetit, kjo do të thotë se presionet inflacioniste që vijnë nga tregu i punës, janë në fakt në rënie dhe pritet të harmonizohen me objektivin e inflacionit prej 2% të vendosur nga Banka Qendrore Europiane,” deklaroi Bert Colijn, kryeekonomist i ING për Holandën. “Pra, pavarësisht se tregu i punës mbetet i ngarkuar, presionet nga pagat ka të ngjarë të mos përbëjnë një rrezik të menjëhershëm për perspektivën inflacioniste të BQE-së,” shtoi ai.
Megjithëse normat e interesit dhe presionet e çmimeve kanë rënë gjatë vitit të fundit në Eurozonë, bizneset po përballen edhe me pasiguri shtesë për shkak të tarifave tregtare amerikane dhe tensioneve gjeopolitike.
Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur afatin e 9 korrikut për të arritur marrëveshje me partnerët tregtarë, përpara se të hyjnë sërish në fuqi tarifat e shpallura më 2 prill, pas një pezullimi 90-ditor. / Euronews
The post Papunësia në Eurozonë rritet lehtë mes pasigurive nga tarifat tregtare appeared first on Revista Monitor.









