Paga mediane arriti në 63,456 lekë në tremujorin e dytë të vitit 2025, ose rreth 630 euro. Kjo do të thotë se gjysma e të gjithë të punësuarve në Shqipëri kanë marrë një pagë mujore bruto më të vogël ose të barabartë me këtë shumë, ndërsa gjysma tjetër ka marrë më shumë.
Paga mediane përfaqëson një nivel më të ulët se paga mesatare e cila në të njëjtën periudhe ishte mbi 83 mijë lekë bruto në muaj (rreth 830 euro). Më të dhëna zyrtare paga mediane ishte 24% më e ulët se paga mesatare në tremujorin e dytë të vitit aktual.
Paga mesatare dhe paga mediane janë dy mënyra të ndryshme për të treguar sa fitojnë punonjësit. Paga mesatare llogaritet duke mbledhur të gjitha pagat dhe duke i pjesëtuar me numrin e punonjësve dhe përfaqëson një mesatare aritmetike te të ardhurave.
Ndërsa paga mediane, rendit të gjitha pagat nga më e vogla tek më e madhja dhe merr pikën që ndodhet në mes. Kjo do të thotë se gjysma e njerëzve fitojnë më pak se ajo vlerë dhe gjysma tjetër fitojnë më shumë.
Për shkak se nuk ndikohet nga ekstremet, mediana tregon më qartë se, cila është paga tipike e një punonjësi të zakonshëm. Psh shembull nëse vetëm pak punonjës marrin paga shumë të larta, mesatarja mund të duket e madhe, por mediana mbetet e pandryshuar dhe tregon realitetin e shumicës.
Paga mediane është treguesi më i saktë për të matur pabarazinë në pagë të punonjësve. Shumë vende për të matur standardin e jetesës shpesh referohen tek paga mediane.
Mediana e pagave u rrit e 13.3 për qind ndërmjet tre mujorit të dytë 2024 dhe atij 2025. Në prill-qershor të vitit të kaluar 50 për qind e punonjësve morën me deri 56 mijë lekë në muaj.
Të dhënat e fundit mbi medianën e pagës mujore bruto tregojnë një dinamikë të fortë rritjeje gjatë viteve 2024 dhe 2025, duke shënuar një nga periudhat më të theksuara të rritjes së pagave në Shqipëri.
Në fillim të vitit 2024, paga mediane ishte rreth 55 mijë lekë, ndërsa deri në fund të vitit u ngjit në 58 mijë lekë, duke reflektuar një rritje të qëndrueshme 3-mujor pas 3-mujori. Krahasuar me vitet 2022–2023, kur rritjet vjetore luhateshin mes 4–7%, vitet 2024–2025 paraqiten si periudha më agresive në përmirësimin e pagave.
Ky zhvillim lidhet me politikat fiskale dhe rritjen e pagës minimale, ashtu edhe me presionin e tregut të punës, ku mungesa e fuqisë punëtore ka shtyrë kompanitë të ofrojnë paga më të larta, si dhe një politike për të rritur pagat drejt mesatares 900 euro në muaj në sektorin publik./ B.Hoxha
The post Paga mesatare 830 euro, por gjysma e të punësuarve në vend marrin më pak se 630 euro në muaj appeared first on Revista Monitor.











