Një aksion policor kundër kontrabandës me mallra është zhvilluar të enjten në 22 lokacione të katër komunave veriore të Kosovës, ku janë arrestuar 10 persona dhe janë konfiskuar më shumë se 20 automjete. Vlera fillestare e mallrave të dyshuara për kontrabandë llogaritet mbi 200 mijë euro.
Operacioni u realizua në koordinim me Administratën Tatimore dhe Doganën e Kosovës, ndërsa veprimet u zhvilluan nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, ka treguar se hetimi kishte nisur gjashtë muaj më parë, mbi bazën e informatave të siguruara nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI).
Sipas tij, pas konsultimeve me prokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe marrjes së urdhrit për zhvillimin e hetimeve, puna për rastin kishte filluar në prill të këtij viti.
Pas gjashtë muajsh hetime, autoritetet ndërmorën aksionin dhe kryen bastisje në 22 adresa. Nëntë prej tyre ndodheshin në Mitrovicën e Veriut, pesë në Zveçan, pesë në Zubin Potok dhe tri në Leposaviq.
Elshani ka bërë të ditur se në stacionin policor janë dërguar 10 persona, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në rast. Pas intervistimit të tyre, prokurori pritet të vendosë për hapat e mëtejshëm ligjorë.
Për shkak të sasisë së madhe të mallrave të gjetura, kontrollet kanë vazhduar edhe në disa prej lokacioneve të bastisura.
Gjatë aksionit janë sekuestruar më shumë se 20 mjete motorike, mes tyre vetura, xhipa dhe dy kamionë. Sipas vlerësimit fillestar të autoriteteve, vlera totale e mallrave të dyshuara për kontrabandë i kalon 200 mijë eurove. Mjetet janë konfiskuar me urdhër të prokurorit, ndërsa më vonë do të përcaktohet mënyra e veprimit ndaj tyre.
Në mesin e artikujve të sekuestruar janë tekstile, barna, produkte ushqimore dhe mallra të tjera.
Hetuesit dyshojnë se mallrat silleshin nga Serbia përmes pikës kufitare të Bërnjakut dhe më pas dërgoheshin drejt Mitrovicës. Aty, sipas dyshimeve, sigurohej dokumentacioni që krijonte përshtypjen se mallrat ishin blerë në Mitrovicë.
Më pas, këto mallra dyshohet se transportoheshin për t’u shitur në Prishtinë. Elshani ka shpjeguar se në këtë skemë, një kamion që vinte nga Serbia kalonte përmes urës së Bërnjakut, mbi pikën kufitare me të njëjtin emër, vazhdonte drejt Mitrovicës dhe pajisej me dokumente që paraqisnin mallin si të blerë në këtë qytet.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka konfirmuar se rasti po trajtohet nga organet e drejtësisë në procedurë të rregullt.
The post Operacioni kundër kontrabandës në veri: 10 të arrestuar dhe mbi 20 automjete të sekuestruara appeared first on Albeu.com.









