Në fund të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë njoftoi licencimin e operatorëve të parë të e-money për shërbimet e open banking. Dy operatorët e parë kanë filluar ofrimin e shërbimit për klientët, por ende me një numër të kufizuar bankash.
Një nga pritshmëritë kryesore të institucioneve të parasë elektronike ishte koncepti i open banking, që qëndron në themel të shërbimeve të reja të inicimit të pagesës dhe informimit mbi llogaritë.
Shërbimet e reja mund të ofrojnë potenciale të reja biznesi për institucionet e parasë elektronike, për t’i bërë ato më konkurruese në raport me bankat tregtare.
Megjithëse kanë kaluar pesë vjet nga miratimi i ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave”, shërbimet e bazuara në open banking ofrohen me një numër të kufizuar bankash.
Dy prej institucioneve të parasë elektronike, Easypay dhe Union Financiar Tiranë kanë kryer testimet e para të suksesshme.
Administratori i Union Financiar Tiranë, Elton Çollaku, thotë se open banking është një realitet dhe UFT është angazhuar maksimalisht me të gjitha bankat e nivelit të dytë për t’i bërë pjesë të skemës së përdorimit në UPay.
“Integrimet janë përfunduar me pjesën më të madhe të bankave të nivelit të dytë dhe po vijojmë finalizimin e integrimit edhe me bankat e tjera, që për momentin kanë kufizime në zgjidhjet e tyre teknike.
Ne kemi zhvilluar produkte të reja të cilat mbështeten në infrastrukturën e Open Banking për t’u ofruar klientëve një përvojë ‘Pay by Bank’ me zero kosto.
Gjithashtu, me përfundimin e procesit të integrimeve, ne do të ofrojmë një eksperiencë ‘multi-bank’ për të gjithë përdoruesit e UPay, duke përfshirë kontrollin e llogarive dhe inicimin e pagesave. Kjo do të përmirësojë ndjeshëm përvojën e përdoruesit dhe do të rrisë transparencën në menaxhimin e financave personale”, thotë z. Çollaku.
Linda Shomo, drejtore e përgjithshme e Easypay, shprehet se deri tani ky institucion ka arritur integrimin me 10 banka në Shqipëri.
“Deri tani, ne kemi ndërtuar infrastrukturën, kemi bërë teste për integrimin e API. Mbi bazën e kësaj infrastrukture komunikimi që është ndërtuar tani, kemi mundësi të shtojmë shërbime dhe të bëjmë biznes. Megjithatë, deri tani, jemi në këtë fazë, si nga bankat, si nga ne. Tani çështja është që këtë investim ta kthejmë në biznes dhe në të ardhura.
Megjithatë, ka pasur probleme për të kaluar nga faza e testimit në daljen ‘live’ me ofrimin e shërbimit. Mendonim se kjo do të bëhej më shpejt, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Kjo është një çështje komplekse, sepse nuk kërkon vetëm përgatitjen e infrastrukturës teknologjike, por koordinimin procedural dhe burokratik në të gjitha hallkat e tjera të punës brenda bankave, duke përfshirë operacionet, përputhshmërinë, etj. Me sa duket, këto hallka nuk kanë qenë gati për të kaluar ‘live’.
Pra, aktualisht ne jemi ‘live’ vetëm në produksion, kemi bërë transaksionet e para, por jo në fazën e ofrimit të shërbimit për klientët. Mendoj se kjo është një çështje që kërkon edhe një rol të vazhdueshëm të rregullatorit, në mënyrë që të gjitha palët të zbatojnë detyrimet ligjore”, thotë znj. Shomo.
Ndërkohë, Banka e Shqipërisë shprehet për “Monitor” se ka pasur komunikime të vazhdueshme me përfaqësues të bankave dhe të institucioneve të pagesave dhe institucioneve të parasë elektronike (ofruesit e palëve të treta (TPP)), me qëllim diskutimin e problematikave të ndeshura dhe gjetjen e zgjidhjeve përkatëse, si dhe mbi masat konkrete të marra për vënien në funksionim dhe operacionalizimin e Open Banking.
“Prej disa muajsh, dy subjekte kanë marrë miratimin e Bankës së Shqipërisë për të ofruar shërbimin e inicimit të pagesës (shërbimin nr. 7) dhe shërbimin e informimit të llogarisë (shërbimin nr. 8), ndërsa janë në shqyrtim për të marrë miratimin aplikimet e 6 subjekteve të tjera. Aktualisht shumica e bankave kanë dalë live dhe kanë kryer transaksionet e para me TPP e miratuara, ndërsa mirëpresin aktorë të tjerë të interesuar për të ofruar këto lloj shërbimesh.
Banka e Shqipërisë do të vijojë të ndjekë me prioritet zhvillimet dhe ecurinë e funksionimit të Open Banking, ndërkohë që inkurajon subjektet e interesuara që të aplikojnë për miratimin e shërbimeve të mësipërme. Subjektet që e kanë marrë këtë miratim, i inkurajojmë të komunikojnë me klientët e tyre për t’i njohur me këto shërbime dhe përfitimet që marrin nga përdorimi i tyre”, – shprehet Banka e Shqipërisë.
Veprimet me open banking… më shumë se 15 hapa
Për institucionet e parasë elektronike, një problem tjetër madhor i lidhur me open banking është mungesa e standardizimit të API (Application Programming Interface, protokollet që rregullojnë shkëmbimin e të dhënave mes sistemeve të ndryshme) mes bankave.
Akil Rajdho, drejtor i përgjithshëm i RPay, mendon se kjo e ka ngadalësuar implementimin e open banking dhe mund të bëjë që institucionet e e-money të mos kenë interes për t’u integruar me bankat që kanë numër më të vogël klientësh.
“Problemi kryesor me open banking në Shqipëri, për mendimin tim, është që secila bankë ka ofruesit e vet të shërbimit të API. Nëse unë dua të integrohem me të gjitha bankat, duhet të bëj zhvillime të veçanta për secilën.
Ne e kemi bërë për katër banka dhe po fusim të pestën, por sigurisht që kjo nuk është zgjidhja optimale. Kjo do të bëjë që bankat e vogla dhe me pak klientë të ngelen mbrapa në këtë proces, sepse logjikisht institucionet fintech do të përpiqen të integrohen me ato banka që kanë më shumë klientë.
Kjo do të kufizojë aksesin në shërbimet e open banking për klientët e bankave më të vogla.
Zgjidhja më e mirë do të kishte qenë një standardizim i API. Ne po punojmë për një zgjidhje të tillë, në formën e një agregatori, që do ta ofrojmë si shërbim edhe për palë të treta që mund të jenë të interesuara”, – thotë z. Rajdho.
Linda Shomo nga Easypay shton se zgjidhjet e ndryshme teknike që përdorin banka të ndryshme reflektohen edhe në vështirësimin e përvojës së përdoruesit.
“Nuk duhet harruar se open banking po bëhet për t’ua lehtësuar jetën klientëve, jo për t’ua bërë më të vështirë. Nëse në Europë, një transaksion bëhet me 4-5 klikime në total, këtu te ne kërkon 15, 20, 25 klikime.
Pra, nëse shërbimet me open banking bëhen shumë të gjata dhe të vështira, atëherë kjo si risi nuk ka më kuptim, sepse nuk i sjell lehtësinë e pritshme klientit.
Një nga arsyet kryesore pse ndodh kjo është sepse nuk ka API standarde, secila nga bankat përdor API-n e vet. Kjo krijon diferenca mes bankave në kryerjen e një transaksioni. Ndaj mendoj se sfida e radhës do të jetë standardizimi i API-ve”, thotë ajo.
BSH: Ligji është neutral për teknologjinë, bankat preferuan zgjidhje individuale
Megjithëse për institucionet fintech, mungesa e API të standardizuar është një nga problemet kryesore teknike dhe operacionale, Banka e Shqipërisë gjykon se kjo është një çështje e tejkaluar tashmë.
Në një prononcim për “Monitor”, Banka e Shqipërisë shprehet se është diskutuar me bankat dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave, që në fazën pas miratimit (por para hyrjes në fuqi) të rregullores “Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit”, mbi mundësinë e krijimit të një API të përbashkët në nivel sistemi, por bankat preferuan zgjidhje dhe zgjedhje individuale të këtyre ndërfaqeve.
“Vlen të theksohet se si Ligji ‘Për shërbimet e pagesave’ që ka përafruar Direktivën PSD2, edhe rregullorja ‘Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit’ që ka përafruar rregulloren përkatëse të BE-së, janë teknologjikisht neutrale.
Por, pavarësisht se API që bankat përdorin nuk janë të njëjta, rregullorja ‘Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit’ kërkon që bankat të sigurojnë që ndërfaqet e tyre të ndjekin standardet e komunikimit të aplikueshme në Bashkimin Europian”, – shprehet Banka e Shqipërisë.
Një problem tjetër, sipas institucioneve fintech, është se deri tani, aksesi në llogari ofrohet vetëm për individët, por jo për bizneset. Një kufizim i tillë nuk është i parashikuar në ligj, por në diskutimet mes palëve është thënë se bankave u duhet kohë për ta testuar shërbimin fillimisht me individët.
Lidhur me këtë problem, Banka e Shqipërisë shprehet se shërbimet Open Banking janë të reja në tregun e pagesave dhe promovimi i tyre kërkon kohë dhe përpjekje nga ofruesit e këtyre shërbimeve, shumica e bankave kanë krijuar API për të ofruar shërbimet e Open Banking fillimisht për individët dhe për t’u shtrirë më tej edhe te bizneset, në varësi edhe të kërkesës për këto shërbime.
Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, disa banka e kanë zhvilluar API për të ofruar shërbimet Open Banking si për individët, ashtu edhe për bizneset.
Banka e Shqipërisë shprehet se do të vijojë të ndjekë ecurinë e funksionimit të Open Banking dhe të komunikojë me subjektet për adresimin e ndonjë pengese apo vështirësie të hasur për përdorimin e këtyre shërbimeve.
Lexoni më shumë:
The post Open banking është bërë “telenovelë” appeared first on Revista Monitor.










