OECD raporton rënie të mprehtë të emigracionit për arsye pune drejt vendeve të pasura

0

Lëvizjet për arsye familjare dhe humanitare vazhduan të rriten në vitin 2024

Emigracioni për arsye pune drejt vendeve të pasura ra me më shumë se një të pestën vitin e kaluar, teksa tregjet e punës u dobësuan dhe vende si Mbretëria e Bashkuar shtrënguan rregullat e vizave, sipas një studimi të ri të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

OECD tha se emigracioni i përhershëm për arsye pune drejt vendeve anëtare, i cili kishte qenë në rritje të qëndrueshme pas pandemisë, ra me 21 % midis viteve 2023 dhe 2024, duke zbritur në 934 mijë, edhe përpara se rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë të pengonte hyrjet në SHBA.

Rënia ishte pjesërisht pasojë e kufizimeve të reja të politikave, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, ku emigracioni neto ra me më shumë se 40 % krahasuar me vitin 2023. Por edhe pa ndryshime të tilla të politikave, emigracioni për punë ra në shumicën e vendeve anëtare të BE-së, duke zbritur nën nivelet e vitit 2019 në vende si Gjermania dhe Holanda, të cilat kishin pasur hyrje historikisht të larta.

Kjo pasqyronte një situatë ekonomike “më pak të favorshme”, si dhe praninë e shumë refugjatëve ukrainas që kishin “ndihmuar në uljen e presionit” në sektorët me mungesa kronike të fuqisë punëtore, tha Jean-Christophe Dumont, drejtori i divizionit të emigracionit ndërkombëtar në OECD.

OECD raportoi gjithashtu një rënie të ndjeshme prej 13 % midis 2023 dhe 2024 në numrin e studentëve të rinj ndërkombëtarë. Kjo erdhi pas shtrëngimit të rregullave të vizave në të katër vendet kryesore pritëse anglishtfolëse: SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Australinë, si reagim ndaj shqetësimeve për mashtrime me viza dhe ndikimin e studentëve në tregjet vendore të banesave.

Emigracioni drejt vendeve të OECD për arsye familjare dhe humanitare vazhdoi të rritej në vitin 2024, ku i fundit u nxit nga një valë kërkesash për azil në SHBA gjatë muajve të fundit të administratës së Joe Biden, si dhe nga rritja e ndjeshme e mbërritjeve me gomone në Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo bëri që, në përgjithësi, emigracioni i përhershëm drejt ekonomive të zhvilluara të binte vetëm me 4 % nga niveli rekord i vitit 2023, ndërsa totali prej 6.2 milionë emigrantësh të rinj mbeti 15 % mbi nivelin para pandemisë të vitit 2019.

Ndërkohë, emigracioni i përkohshëm për punë u stabilizua në 2.3 milionë, 26 % mbi nivelin e vitit 2019 dhe 51 % më i lartë se në vitin 2015.

Dumont tha se, pavarësisht masave kufizuese të administratës Trump, në përgjithësi emigracioni drejt vendeve të OECD pritet të bjerë vetëm në mënyrë modeste në vitin 2025, duke mbetur në nivele historikisht të larta.

Duke pasur parasysh sfondin më të dobët ekonomik gjatë vitit të fundit, ishte e habitshme që emigrantët po e përballonin ende mjaft mirë tregun e punës, shtoi ai. Norma e punësimit midis emigrantëve është dukshëm e lartë në Mbretërinë e Bashkuar: në 76 %, ajo është më e madhe se ajo e popullsisë vendase.

Sipas Dumont, kjo lidhet pjesërisht me faktin që rrugët e vizave janë përqendruar te punët me nivel universitar, por edhe sepse emigrantët me kualifikime më të ulëta po “plotësojnë boshllëqet” në sektorët ku qytetarët britanikë nuk duan të punojnë. / FT

The post OECD raporton rënie të mprehtë të emigracionit për arsye pune drejt vendeve të pasura appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

nineteen − 11 =