Njeriu pas rritjes së popullaritetit të skemave të “pasaportave të arta”

0

Christian Kälin i Henley & Partners thotë se vendimi historik i gjykatës kundër shitjes së skemës së shtetësisë së BE-së nuk do ta ndalë trendin

 

Christian H. Kälin, avokat, studiues ligjor dhe sipërmarrës zviceran, është i njohur gjerësisht si një pionier në industrinë e emigracionit përmes investimit. Ai është kryetar i Henley & Partners, një firmë globale e specializuar në programet e shtetësisë dhe rezidencës përmes investimit në më shumë se dyzetë shtete.

Gjykata Europiane e Drejtësisë më parë këtë muaj rrëzoi programin e shtetësisë me investim të Maltës, i cili u lejonte njerëzve të merrnin një pasaportë malteze – dhe si rrjedhojë shtetësinë e BE-së – në këmbim të një investimi të vetëm prej 600,000 € dhe blerjes ose marrjes me qira të një prone. Gjykata Europiane e Drejtësisë tha se skema, e zhvilluar nga Henley, e kishte bërë “fitimin e shtetësisë një transaksion të thjeshtë tregtar”.

Ishte një goditje për Henley dhe të gjithë industrinë globale e emigracionit përmes investimit. Kompania ka meritat për rritjen e pasaportave me pagesë, megjithëse skemat janë përballur me akuza për lehtësimin e korrupsionit dhe rrjedhën e parave të pista.

Henley i ka mbrojtur skemat. Firma është akuzuar gjithashtu për manipulim politik në të paktën një vend, një pretendim që e ka kundërshtuar.

Në tetë vitet deri në fund të vitit 2023, Henley fitoi më shumë se 55 milionë euro përmes skemës së shtetësisë malteze, sipas shifrave të qeverisë së Maltës. Në Maltë dhe Shën Kits, biznesi mori një tarifë nga qeveria përkatëse për çdo aplikim të suksesshëm, përveç pagesave nga aplikantët.

Komisioni Europian, në të kundërt, shpreson që “skema të tilla së shpejti do të jenë një gjë e së kaluarës në Bashkimin Europian”, tha komisioneri i drejtësisë Michael McGrath.

Vendet për dekada kanë ofruar privilegje shtetësie ose rezidence, në këmbim të investimeve. Komisioni Europian dhe aktivistët e transparencës kanë kritikuar programe të tilla për hapjen e derës për korrupsion, evazion fiskal dhe pastrim parash – por ato janë bërë të njohura midis vendeve të varfra që kërkojnë fonde.

Industria e pasaportave me para në dorë filloi me mikroshtetet e Paqësorit dhe Karaibeve Lindore në vitet 1980, përfshirë Shën Kitsin, i cili prezantoi skemën e tij në vitin 1984, sipas Sarah Kunz, lektore e specializuar në studimet e emigracionit në Universitetin e Essex.

Kälin mbërriti më vonë, duke u bashkuar me Henley në vitin 1997 si konsulent. Ai e ndërtoi biznesin duke u shitur të pasurve pasaporta nga Karaibet.

Në vitin 2006, Henley fitoi një kontratë për të ripërtërirë skemën e shtetësisë me investim të Shën Kitsit dhe Nevis, të cilën Kälin e quajti “jofunksionale”.

Ndërsa industria e emigracionit përmes investimit mori një peshë të konsiderueshme, ajo tërhoqi institucione të mëdha financiare dhe konsulenca.

Henley është akuzuar se po përpiqet të ndërhyjë në politikë për të çuar përpara biznesin. Raporti i KE tha se Kälin “organizoi marrëveshje që investitorët të siguronin fondet për të paguar fushatat”. Në këmbim, “Henley & Partners do të fitonte të drejta ekskluzive për pasaportën e atij vendi, sipas një programi shtetësie përmes investimit”.

Kritikët thonë se investimet, kryesisht pagesa të njëhershme në fonde sovrane pasurie ose pasuri të paluajtshme, japin pak rritje ekonomike dhe pak përfitime për popullsinë lokale.

Pas skemave të Karaibeve, Henley iu drejtua Maltës, e cila tashmë kishte një program rezidence. Henley fitoi tenderin për ta ringritur atë. “Ne ndërtuam të gjithë sistemin që qeveria të drejtojë atë.” tha Kälin.

Sipas FT janë identifikuar 16 persona, që paguan dhe morën shtetësinë malteze pavarësisht se ishin individë të ekspozuar politikisht, ose që më vonë u shfaqën në listat e sanksioneve ose u dënuan për krime. Të ashtuquajturit persona të ekspozuar politikisht trajtohen nga rregullatorët si të tillë, që mbartin një rrezik të veçantë korrupsioni.

Pavarësisht kritikave, Henley ka pasur sukses të konsiderueshëm në marketingun e emigracionit përmes investimeve. Disa kompani të tjera janë shfaqur në këtë sektor, disa të udhëhequra nga ish-punonjës të Henley. / FT

The post Njeriu pas rritjes së popullaritetit të skemave të “pasaportave të arta” appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

nine − four =