Nis pastrimi i akseve kombëtare nga materialet e bizneseve anës rrugës

0

Të gjitha bizneset që ushtrojnë aktivitet pranë rrugëve kombëtare kanë afat deri më 31 korrik për të larguar vullnetarisht çdo material të vendosur brenda 20 metrave nga aksi rrugor, distancë e përcaktuar nga ligji si zonë sigurie. Kreu i qeverisë njofton se bizneset kanë afat vetëm një javë.

Ky urdhër nuk përfshin objektet me leje ndërtimi, por përfshin materialet në oborret e përparme, si dhe gardhet që shkelin projektin rrugor, të cilat do të duhet të tërhiqen sipas planit që do t’u dorëzohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Pas afatit të përcaktuar, çdo shkelje do të ndëshkohet me masa të rënda, në përputhje me ligjin në fuqi.

“Bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 m nga aksi i rrugës, që është edhe distanca ligjore e sigurisë – përjashtuar objektet e ndërtuara me leje, po jo materialet në oborret e tyre të përparme, gardhet e të cilëve po ashtu do të duhet të tërhiqen në maksimumin e mundshëm, sipas projektit që do t’u dorëzohet më tutje nga ARRSH.

Mbajtja buzë rrugëve e rraqeve si këto në foto apo të tjera, nga materialet ndërtimore tek inertet dhe makinat e vjetra e me radhë, përtej afatit të paralajmëruar do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore sipas parashikimeve ligjore në fuqi.

Tanimë Shqipëria po troket në derën e Bashkimit Europian dhe kjo fazë kalimtare e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit e të mjedisit në tërësi, po edhe të sigurisë së qarkullimit në rrugët kombëtare në veçanti, duhet të konsiderohet e mbyllur.

Nga të gjithë dhe me mirëkuptimin më të madh kombëtar, për Shqipërinë 2030 në BE”, shkruan kryeministri Rama.

 

Çfarë parashikon ligji për distancat midis ndërtimeve anës rrugës?

Vendimi “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, të ndryshuar”, parashikon:

Neni 34, pika 5. Për ndërtimet gjatë rrugëve, çdo dalje konsol do të quhet faqe ndërtimi dhe duhet të respektojë distancat nga trupi i rrugës. Nuk kërkohet të respektojnë distancat e këtij neni elementet arkitektonike të fasadave, të cilat nuk përbëjnë sipërfaqe të shfrytëzueshme dhe nuk dalin nga fasada më shumë se 0.5 metër.

Neni 35

Distancat e lejuara midis ndërtimit dhe kufirit të pronës

Me përjashtim të rastit kur parashikohet ndryshe në planin e përgjithshëm vendor, distanca minimale e lejuar e ndërtimit nga kufiri i pronës përcaktohet si gjatësia e vijës pingule nga faqja e strukturës së ndërtimit me kufirin e pronës dhe është e barabartë me numrin e kateve mbi tokë të ndërtimit plus 1m (d= nr.k +1m)  ku: d – distanca minimale e ndërtimit nga kufiri i pronës dhe nr.k – numri i kateve.”.

Neni 36

Distancat e lejuara midis ndërtimit dhe trupit të rrugës

1.Distanca minimale e një ndërtimi nga trupi i rrugës matet nga plani më i afërt i faqes së ndërtimit me kufirin e rrugës.

2.Distancat e lejuara të ndërtimit, në raport me trupin e rrugës, përcaktohen nga autoritetet përkatëse të planifikimit në PPV dhe/ose PDV, duke marrë në konsideratë nevojat e zgjerimit të infrastrukturave rrugore, në përpjestim me zhvillimet e reja.

3.Nëse nuk përcaktohet ndryshe në PDV, distancat minimale të faqeve të strukturave nga kufiri i trupit të rrugës apo kufiri i pronës parcelë me trupin e rrugës, brenda zonave të sistemit urban ekzistues ose ato që urbanizohen, përcaktohen në bazë të gjendjes faktike të trupit të rrugës, por, në çdo rast, jo më pak se përcaktimi ligjor në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme për trupin e rrugës dhe, nëse nuk përcaktohet ndryshe në ligjin nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, janë:

a) për gjerësi rruge, me ose pa trotuare, më të vogël se 7 (shtatë) metra, distanca minimale është 2.5 (dy pikë pesë) metra;

b) për gjerësi rruge, përfshirë trotuaret, 7 (shtatë) deri në                                              15 (pesëmbëdhjetë) metra, distanca minimale është 3 (tre) metra;

c)  për gjerësi rruge, përfshirë trotuaret, më të madhe se                                                15 (pesëmbëdhjetë) metra, distanca minimale është 4 (katër) metra.

4.Për zhvillime që mund të prekin rrugët e kategorisë “A”, autostrada, të kategorisë “B”, rrugë interurbane kryesore, dhe të kategorisë “C”, rrugë interurbane dytësore, zbatohen përcaktimet e rregullores në zbatim të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.

 

The post Nis pastrimi i akseve kombëtare nga materialet e bizneseve anës rrugës appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

one × 1 =