Intervistë me Albert Dumani, Drejtori i Programacionit dhe Blerjeve në TV KLAN
Televizionet po përshtaten me audiencën duke tentuar të jenë kudo ku ajo ndodhet, në çdo pajisje dhe në çdo kohë.
Albert Dumani Drejtori i Programacionit dhe Blerjeve në TV KLAN, në një intervistë për “Monitor” nënvizon se po krijohet një “ekosistem” i plotë mediatik, ku televizioni dhe platformat dixhitale plotësojnë njëri-tjetrin duke e mbajtur audiencën të lidhur me logon e televizionit në çdo moment të ditës.
Si ka nisur ky sezon për TV Klan? Cilat janë programet e reja që keni sjellë apo do të sillni në vazhdim në ekran dhe ato që vijojnë prej sezoneve të mëparshme si një rikonfirmim i besnikërisë së audiencës?
Sezoni i ri në TV Klan nis si zakonisht javën e parë të shtatorit deri më 31 korrik të vitit pasardhës duke premtuar një programacion më cilësor, plot emocione dhe risi, në platformën më të madhe televizive të shqiptarëve.
Pothuajse të gjithë programet e strukturës kanë rinisur në sezonin e ri.
Disa nga programet e strukturës kanë nisur tashmë:
“Aldo Morning Show”, vjen për të 17-in vit çdo mëngjes në shtëpitë e shqiptarëve nga Aldon Lipe. Studio e tij “e xhamtë” shëtit nëpër rrugët e metropolit shqiptar me të ftuar të veçantë dhe muzikën më të mirë për ta nisur ditën sa më mbarë dhe me sa më shumë adrenalinë.
Dhe pas Aldos, zonja Vjollca dhe Katerina rikthejnë shijen e shtëpisë, me recetat e dashura dhe këshillat e dobishme në një studio të ngrohtë, tamam si në shtëpitë tona.
Programi “Rudina”, një show argëtues dhe informativ nga Rudina Magjistari, që shoqëron çdo pasdite familjet shqiptare si programi më i ndjekur në këtë fashë orare.
Të ftuar specialë nga fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore rrëfejnë çdo pasdite në TV Klan momente të veçanta nga jeta private, profesionale ose artistike. Viti 2025 shënon 16-vjetorin e emisionit të saj në këtë TV.
Dyshja e pakrahasueshme, Saimiri dhe Genti, në emisionin satiriko-investigativ më të ndjekur në vend, bashkë me ekipin e palodhur të gazetarëve, vijnë çdo mbrëmje në “Stop”, në serinë e scoop-eve të tyre që shpesh kanë tronditur shoqërinë shqiptare.
Ky është viti i 11-të i emisionit “Stop” në TV Klan. Emisioni “Opinion” nga Blendi Fevziu, që këtë vit shënon 29-vjetorin e tij, vazhdon të jetë emisioni me audiencë absolute nga e hëna në të enjten. Arena e politikës shqiptare që prej 31 gushtit 1997.
Komente, analiza, debate, intervista, personazhe, dëshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet më të fundit dhe më të rëndësishme në jetën politike dhe sociale të vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e të ftuarve në studio.
Ardit Gjebrea, tashmë prej 17 vitesh, vjen çdo të diel nga ora 13:20 – 19:20 me rubrikat hit si “Shihemi në gjyq” nga Eni Çobani, “Ka një mesazh për ty” dhe plot surpriza për këtë sezon të ri.
Në nëntor vjen në TV Klan edhe edicioni i 25-të i festivalit “Kënga Magjike”, ku teknologjia televizive dhe skenografia nga Gaetano Castelli sjellin gjithmonë për publikun shqiptar nivelet eurovizive.
Producentja Vera Grabocka, së bashku me prezantuesen Alketa Vejsiu, kanë sjellë gjithmonë nëpërmjet TV Klan spektakle të suksesshme. Nga 7 nëntori, për 25 javë do të fillojë për herë të parë në Shqipëri edicioni i parë i “X Factor Kids”, formati më i ri televiziv që prodhon yjet e ardhshëm të muzikës.
Skenografia do të realizohet si gjithnjë nga skenografi i mirënjohur italian Gaetano Castelli dhe ndriçimi nga drejtori i fotografisë i “X Factor Italia”, Marcello Jazzeti. Shikueshmëri absolute!
Një udhëtim i ri televiziv për të zbuluar yjet e ardhshëm të së nesërmes në muzikë! Ky është formati më i madh për fëmijë në të gjithë botën, i hapur për të gjithë talentet nga 7–12 vjeç.
Një miks emocionesh plot muzikë dhe argëtim për të gjithë familjen. Një talent-show i jashtëzakonshëm me emrat më të mirë të spektaklit shqiptar, me një juri profesioniste dhe performanca LIVE emocionuese!
Nuk mungojnë edhe këtë sezon emisionet javore, tashmë të provuara me suksesin e tyre në TV Klan. Aventurat e bukura të Alma Çupit në çdo cep të Shqipërisë me “Histori Shqiptare”.
Programi unik si reportazh javor që sjell histori suksesi, personazhe që bëjnë gjëra “të mëdha” pa bujë, njerëz që punojnë tokën e tyre dhe ruajnë traditën.
Ky program sjell modele të atyre njerëzve që zhvillojnë turizmin edhe në zonat më të largëta duke i bërë model për të gjithë ata që ndjekin këtë emision çdo të diel në mesditë, në sezonin e 9-të të tij.
Programi “Pro Business” nga Oljana Maloku vjen çdo të shtunë, ora 16:05, në sezonin e 6-të. Një program i dedikuar tërësisht për sipërmarrjet dhe çështjet ekonomike, me histori të bizneseve shqiptare, të diasporës dhe po ashtu histori të bizneseve ndërkombëtare të ndërthurura me realitetin ekonomik.
Adrenalinë me 4 rrota në programin “0 Kilometër” nga Edlira Baholli. Modelet më të fundit të makinave në tregun automotiv shqiptar vijnë çdo të shtunë, ora 11:11, në edicionin e dytë. Cilat janë makinat më të shitura dhe më të preferuara nga klientët shqiptarë?
Specifikat për çdo model nga autosallonet zyrtare në Shqipëri dhe në Kosovë, si dhe test-drive sa më “reality” për të kuptuar çdo funksion të makinës suaj të preferuar.
E diela në mbrëmje sjell show-n e muzikës shqiptare. Spektakli muzikor “Këngët e Shekullit” u rikthye një sezon më parë, pas rreth 20 vitesh, nga treshja e suksesshme Pandi Laço, Adi Hila dhe Bledi Laço.
Emocionet dhe momentet më të bukura të muzikës shqiptare! Një udhëtim magjepsës përmes notave e fjalëve të këngëve ikonë. Publiku shqiptar rijeton me ekranin jo vetëm kujtimet, por edhe një pjesë të historisë sonë të muzikës.
Spektakli më fantastik i këngës së vërtetë shqiptare! Edicioni i këtij sezoni, që nisi më 5 tetor, sjell perlat e muzikës shqiptare të ndara në dekada të ndryshme, me pjesëmarrjen e yjeve të skenës shqiptare, por edhe me të ftuar specialë ndërkombëtarë!
Të gjitha këngët realizohen LIVE, nga një formacion i plotë orkestral, në një studio gjigante me skenografi nga Gaetano Castelli, nën prezantimin e Marsela Çibukaj dhe Pandi Laço.
Kampionët e zemrave kuqezi nuk mund të mungojnë në ekranin kampion. Të gjitha ndeshjet e Kombëtares Shqiptare transmetohen tashmë ekskluzivisht në transmetimin tokësor. Që nga viti 2022, shqiptarët mund të shohin ndeshjet e Kombëtares së futbollit, pa asnjë pagesë.
Botërori 2026: Televizioni Kombëtar Klan ka blerë të drejtat ekskluzive të transmetimit të Kampionatit Botëror të Futbollit 2026. Të gjithë shqiptarët do të kenë mundësi të ndjekin falas në TV Klan ndeshjet e Botërorit 2026.
Pas EURO 2024, sjellim edhe ndeshjet e Kampionatit Botëror 2026. Të gjitha ndeshjet — 104 në total — që do të luhen në SHBA, Kanada dhe Meksikë do t’i ndiqni LIVE gjatë këtij sezoni televiziv, nga 11 qershor – 19 korrik 2026.
Si është ndarë programacioni i TV Klan këtë vit mes politikës, aktualitetit dhe argëtimit?
TV Klan është një televizion gjeneralist 4+, kështu që në grilën programore ka vend për çdo target-grup, ku secili të gjejë shijet e tij në atë që ofron televizioni.
Politika është “ushqimi” tradicional i shqiptarëve, të cilët edhe justifikohen për këtë zgjedhje në këto vite të stërzgjatura të tranzicionit të zhvillimit të shoqërisë shqiptare në të gjitha aspektet, dhe sepse jemi në rrugën disavjeçare për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane në Bashkimin Europian.
Kështu, politika zë vend në edicionet informative dhe në tema të caktuara të emisionit “Opinion”, sepse këtë ofron realiteti shqiptar.
Më pas, ka programe për aktualitetin dhe argëtim të shumtë. Meqë e nisëm me “pjatën e ushqimit”, në programacionin tonë, “antipasta” është politika dhe menyja vazhdon me “pjatat e tjera” të pasura me argëtim dhe aktualitet.
Me grilën tonë javore, ne nuk heqim dorë nga misioni që ekrani i televizorit duhet të jetë pjesëtari plus në familje, që të informon, të edukon dhe të argëton.
Cilat janë disa nga blerjet më të rëndësishme të këtij sezoni dhe pse i keni zgjedhur? Çfarë mund të na thoni për formatin, origjinën dhe audiencën që synojnë këto programe?
Si gjithmonë, do të vazhdojmë të sjellim për publikun shqiptar serialet ndërkombëtarë, me prodhimet më të fundit dhe më të suksesshme në çdo vend ku janë shfaqur. Prodhimet turke vazhdojnë të jenë numri 1, si serialet më të realizuara artistikisht dhe më të preferuara për publikun shqiptar.
Trendi i prodhimeve turke sa vjen dhe po shtrihet edhe në vende të tjera. Aktualisht, Turqia është numri 2 i eksportit më të madh të prodhimeve televizive pas SHBA-së.
Prodhimet turke po korrin sukses të jashtëzakonshëm në Itali, Spanjë, Argjentinë, Brazil, Suedi, Kroaci, Serbi, Bullgari, etj., pa anashkaluar suksesin e tyre të përhershëm në dekadën e fundit në Ballkan, Europën Juglindore, Lindjen e Mesme apo Amerikën e Jugut.
Këtë sezon kam kënaqësinë profesionale dhe personale të shfaqim për publikun shqiptar serialet absolutisht më të ndjekura dhe rrjedhimisht edhe më të kushtueshme, por dëshira për të qenë i pari dhe më i ndjekur në atë fashë orare mbizotëron mbi gjithçka.
Serialet premierë të këtij sezoni TV:
“Dashuria e Eshrefit” – Drama më e bujshme e vitit, që kombinon dashurinë, të kaluarën e errët dhe misterin familjar, në një rrëfim tërheqës, emocional dhe vizualisht mbresëlënës. Prodhim i vitit 2025/26, nga regjisori i “Ezel” dhe nga e njëjta kompani që prodhoi “Tokë e hidhur” dhe “Zemër e zezë”.
Një super serial, një fenomen televiziv me çiftin e aktorëve më të preferuar të momentit në të gjithë botën, Çağatay Ulusoy dhe Demet Özdemir.
“Lejla” – Jetë… Dashuri… Drejtësi… Me aktorët e suksesshëm: Cemre Baysel (“Kryeqyteti Abdulhamid”), Alperen Duymaz (“Çukur”, “Ironia e fatit”, “Stuhi dashurie”), Halil Ibrahim Ceyhan (“Amaneti”, “Rroba të palara”), Gonca Vuslateri (“Nënë”).
Serial fenomen në televizion dhe mediat sociale. Prodhim i vitit 2025 nga kompania “Ay Yapim”. Nga regjisorja e “Kuzey Guney”, “Dashuri e ndaluar”, “Kurti dhe Sura”, Hilal Saral, dhe skenaristi i “Sulejmani i madhërishëm” dhe “Sulltanesha Kosem”.
Seriali “Qyteti i largët”, aktualisht në transmetim në Turqi, do të fillojë premierë në TV Klan nga 21 nëntori.
Ky serial ka arritur rekordin më të lartë të shikueshmërisë në 15 vitet e fundit (2010–2025). Në episodin e tij të 21-të (prill 2025), ai ka regjistruar një rating prej 18,07 (48% share) në kategorinë “Total”, duke kaluar kështu rekordin e mëparshëm të mbajtur nga “Doktori i mrekullive” me 17,28.
Ky rezultat e bën “Qyteti i largët” (“Uzak Şehir”) serialin më të ndjekur në Turqi në 15 vitet e fundit, duke theksuar ndikimin e tij të madh në audiencë.
Nga kompania “Ay Yapim” dhe nga regjisori i “Familja” dhe “Diamante dhe dashuri”. Me aktoren e preferuar Sinem Ünsal (“Doktori i mrekullive”, “Bija ime”, “Dashuri bardhezi”).
Çdo mbrëmje, pas prime-time, do të transmetohet i plotë me të 10 sezonet e tij seriali hit “Lista e zezë”, thrilleri dramatik amerikan shumë i njohur, me një sukses të madh ndërkombëtar dhe tepër i klikuar në “Netflix”. Fitues dhe kandidat shumë herë në “Emmy Awards” si seriali më i mirë i vitit, me aktorin e famshëm James Spader.
Sa ndikim kanë prodhimet origjinale të TV Klan në krahasim me programet e blera? A keni një strategji të qartë për të forcuar përmbajtjen e brendshme dhe pse është e rëndësishme kjo për markën tuaj?
Prodhimet origjinale janë një nga prioritetet kryesore tonat dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si krijojmë marrëdhënien me publikun tonë.
Ato janë thelbi i identitetit tonë televiziv, sepse përmes tyre arrijmë të tregojmë historitë, emocionet dhe realitetet që i përkasin shikuesit shqiptar.
Natyrisht, programet e blera, si serialet apo formatet ndërkombëtare, mbeten një komponent shumë i rëndësishëm i programacionit tonë, pasi ofrojnë cilësi dhe diversitet për audiencën.
Por për ne është thelbësore të zhvillojmë gjithnjë e më shumë përmbajtje të brendshme, sepse ajo na jep pavarësi kreative, forcon logon tonë dhe rrit besnikërinë e publikut.
Strategjia jonë ka qenë e qartë në gjithë këto vite, duke investuar në krijimin e formateve origjinale shqiptare që tashmë janë markë në sajë të jetëgjatësisë së tyre në ekran, si dhe duke pasur bashkëpunime që na lejojnë të prodhojmë përmbajtje konkurruese edhe në nivel rajonal.
Kjo qasje na bën jo vetëm transmetues televiziv, por krijues të përmbajtjes cilësore që pasqyron identitetin kulturor dhe social të shqiptarëve.
Cilat janë disa nga trendet apo zhvillimet që vini re në prodhimet televizive në botë në lidhje me tematikat apo përmbajtjen, kohën e transmetimit, zhanreve?
Së pari, rritja e prodhimeve me histori të shkurtra, por intensive – miniseritë dhe formatet me pak episode po preferohen gjithnjë e më shumë, sepse publiku sot kërkon përmbajtje të fortë, të përqendruar dhe të konsumueshme shpejt.
Një trend që përdoret në platformat online si Netflix, Disney+, Amazon, etj.
Së dyti, ka një zhvendosje drejt tematikave realiste dhe dramatike, që prekin jetën e përditshme, marrëdhëniet njerëzore dhe realitetet sociale. Audienca kërkon autenticitet dhe lidhje personale me personazhet.
Ky është çelësi i suksesit të serialeve turke. Gjithashtu, kombinimi i dramës me elemente thrilleri apo misteri është bërë shumë popullor, një mënyrë për të mbajtur shikuesin të angazhuar deri në fund.
Zhanri më i preferuar në televizion dhe më i shitur vazhdojnë të mbeten serialet me mbi 75 episode dhe programet horizontale (e hënë – e shtunë), sepse e mbajnë të lidhur publikun çdo ditë në fasha të caktuara oraresh.
Në thelb, televizioni modern po shkon drejt përmbajtjes me cilësi të lartë, histori të vërteta dhe formate që e përfshijnë publikun emocionalisht.
Formatet e ndryshme TV janë drejt reality, talent show me talente njerëzish të thjeshtë, quiz-show me njerëz që shohin vetveten në ekran, talk-show me ndërthurje me personazhe të thjeshtë.
Serialet dramatike janë më të preferuara, sepse dhimbja lë “gjurmë” dhe kjo e bën publikun “njësh” me personazhin që vuan më shumë. Ne si televizion po fokusohemi gjithnjë e më shumë në prodhime “in house” që pasqyrojnë realitetin shqiptar me standarde ndërkombëtare.
Si po e kombinoni praninë në ekranin televiziv me platformat online për të mbajtur dhe për të rritur audiencën?
Sot audienca nuk është më vetëm përpara televizorit – ajo është kudo, në telefon, tablet apo kompjuter. Prandaj strategjia jonë është të bashkojmë ekranin klasik me platformat online, në mënyrë që përmbajtja jonë të jetë gjithmonë pranë shikuesit, kudo dhe kurdo.
Prandaj dhe një nga risitë e vitit 2022 e në vazhdim ka qenë aplikacioni “Klani im”.
Është zhvilluar një aplikacion që transmeton LIVE 24 orë të gjithë programin, si dhe një platformë OTT për më shumë se 26 kanale televizive shqiptare dhe 5 radio shqiptare.
Përveç transmetimit të njëkohshëm, në këtë aplikacion është dhe opsioni “catch up”: një program mund ta shohësh kurdo dhe kudo, sepse është i arkivuar aty për 7 ditë. Gjithçka që ne transmetojmë e ndajmë edhe në rrjetet tona sociale, për një prani aktive ku ndjekësit (publiku i TV) mund të komentojnë, ndaj edhe ndërveprojnë me programet tona.
Synimi është që çdo përmbajtje televizive të ketë një “jetë” të dytë digjitale; pra, një program që shfaqet në ekran, vazhdon të jetojë online në YouTube apo përmes klipesh, intervistash apo përmbajtjeje shtesë në web dhe rrjetet sociale.
Kështu po krijojmë një “ekosistem” të plotë mediatik, ku televizioni dhe platformat digjitale plotësojnë njëri-tjetrin, duke e mbajtur audiencën të lidhur me logon e televizionit në çdo moment të ditës.
Si kanë evoluar kostot e prodhimit këtë sezon? A ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes investimeve që bëni në përmbajtje dhe të ardhurave nga reklamat? Po kostot e blerjeve?
Kostot e prodhimit janë rritur ndjeshëm këtë sezon, ashtu si në gjithë tregun ndërkombëtar.
Kjo lidhet me çmimet më të larta të teknologjisë, pajisjeve dhe shërbimeve kreative, por edhe me kërkesën në rritje për cilësi më të lartë në prodhimet televizive.
Megjithatë, ne e shohim këtë si një investim strategjik, jo thjesht si kosto. Sepse sa më shumë investon në prodhime cilësore, aq më e fortë bëhet lidhja me audiencën dhe kjo reflektohet drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave nga reklamat.
Sponsorët duan të jenë pjesë e programeve që kanë ndikim, shikueshmëri dhe origjinalitet.
Rritja e cilësisë shton kostot, që do të thotë rritje e ofertës për sponsorizim dhe rrjedhimisht edhe më shumë të ardhura nga reklamat. Sa u përket kostove të blerjeve, edhe aty ka pasur rritje.
Tregu ndërkombëtar është bërë më përzgjedhës dhe çmimet për formatet apo serialet e njohura janë rritur.
Ne do të vazhdojmë të blejmë dhe të prodhojmë programet më cilësore, edhe pse ka më shumë kosto, sepse publiku shqiptar është tashmë selektiv dhe duhet të zgjedhë kanalin që i ofron më të mirën!
Lexoni edhe:
Televizioni, nga konkurrenca te bashkëjetesa me “online”
The post “Nga ekrani në çdo pajisje, si po përshtatemi me ritmin e audiencës” appeared first on Revista Monitor.










