Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës ka bërë të ditur se është zbuluar prania e bakterit salmonela në një ngarkesë me mish pule të importuar nga Rumania.
Një ngarkesë e mishit të pulës e importuar nga Rumania ka rezultuar e kontaminuar me bakterin Salmonela spp., ka njoftuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV).
Sipas AUV-së, rasti është identifikuar pas një njoftimi nga Sistemi i Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqim (RASFF) dhe gjatë kontrollit të kryer në Prizren, ku është importuar produkti “MDM pulë”.
“Gjatë inspektimeve është konstatuar prania e bakterit Salmonela spp. në një sasi prej 27.7 kilogramë mish pule, e cila ka ardhur nga Rumania”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Autoritetet veterinaro-ushqimore kanë vepruar menjëherë pas konstatimit të rastit duke asgjësuar të gjithë llotin e kontaminuar, në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore.
“Sasia e importit nga lloti që ka rezultuar pozitiv është asgjësuar në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore. AUV vazhdon të monitorojë me kujdes të shtuar situatën dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me bizneset që merren me importin e mishit, për identifikimin dhe parandalimin e rasteve të ngjashme”.
AUV ka bërë të ditur se publiku do të informohet në kohë reale për çdo zhvillim të ri që lidhet me këtë çështje, duke siguruar se mbetet e angazhuar në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
The post Në Kosovë arrin mish i infektuar nga Rumania, AUV konstaton praninë e bakterit “Salmonela” appeared first on Revista Monitor.








