Qendrat e të dhënave për trajnimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale mund të përmbajnë së shpejti miliona chip-a, të kushtojnë qindra miliarda dollarë dhe të kërkojnë energji të barabartë me rrjetin elektrik të një qyteti të madh, nëse vazhdojnë tendencat e aktuale.
Ky është përfundimi i një studimi të ri i kryer nga kërkuesit e Georgetown, Epoch AI dhe Rand, i cili ka analizuar trajektoren e rritjes së qendrave të të dhënave IA në të gjithë botën që nga viti 2019 deri në këtë vit.
Bashkautorët përpiluan dhe analizuan një sasi të dhënash në më shumë se 500 projekte të qendrave të të dhënave IA dhe zbuluan se, ndërkohë që aftësia e llogaritjes së qendrave të të dhënave po më shumë se dyfishohet çdo vit, e njëjta gjë vlen për kërkesat për energji dhe shpenzimet kapitale.
Rezultatet ilustrojnë sfidën për të ndërtuar infrastrukturat e nevojshme për të mbështetur zhvillimin e teknologjive IA në dekadën e ardhshme.
OpenAi, që së fundi ka deklaruar se rreth 10% e popullsisë në botë përdor platformën e saj ChatGPT, ka nënshkruar një marrëveshje me SoftBank dhe të tjerë, për të mbledhur më shumë se 500 miliardë dollarë për të krijuar një rrjet qendrash të dhënash për IA në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (dhe ndoshta edhe në ndonjë vend tjetër).
Të tjerë gjigantë të teknologjisë, duke përfshirë
Microsoft, Google e AWS, janë angazhuar bashkërisht për të shpenzuar qindra miliona dollarë vetëm këtë vit për të zgjeruar qendrat e tyre të të dhënave,
Sipas studimit të Georgetown, Epoch dhe Rand, kostot e hardware për qendrat e të dhënave IA si Colossus e xAI, i cili kushton rreth 7 miliardë dollarë, janë rritur me 1.9 herë çdo vit, nga viti 2019 deri më 2025, ndërsa kërkesa për energji është rritur me dy herë në vit në të njëjtën periudhë.
(Vlerësohet se Colossus konsumon 300 megavat energji, e barabartë me 250 mijë banesa).

Studimi zbuloi gjithashtu se në pesë vitet e fundit, qendrat e të dhënave janë bërë gjithnjë e më shumë eficiente nga pikëpamja energjetike, me një metrikë kyçe – aftësia e llogaritjes për vat – që është rritur me 1.34 herë çdo vit nga viti 2019 deri më 2025.
Megjithatë, këto përmirësime nuk do të jenë të mjaftueshme për të kompensuar kërkesën në rritje për energji. Brenda qershorit të vitit 2030, qendra kryesore e të dhënave të Inteligjencës Artificiale mund të ketë 2 milionë chip-a të Inteligjencës Artificiale, të kushtojë rreth 200 miliardë dollarë dhe të kërkojë 9 GW energji – afërsisht prodhimi i nëntë reaktorëve bërthamorë.
Nuk është diçka e re që kërkesa për energji e qendrave të të dhënave të Inteligjencës Artificiale do ta vërë në një provë të fortë rrjetin elektrik.
Sipas një analize të fundit të Wells Fargo, konsumi energjetik i qendrave të të dhënave parashikohet të rritet me 20% deri në vitin 2030.
Kjo mund t’i çojë burimet e energjisë së rinovueshme në kufijtë e tyre, që varen nga ndryshimi i motit, duke nxitur një rritje të burimeve të energjisë elektrike jo të rinovueshme, të dëmshme për mjedisin, si lëndët djegëse fosile.
Qendrat e të dhënave të Inteligjencës Artificiale përfaqësojnë edhe kërcënime të tjera për mjedisin, si konsumi i lartë i ujit, zënë pasuri të paluajtshme me vlerë, si dhe gërryejnë bazat tatimore të shteteve.
Një studim i Good Jobs First, një organizatë jofitimprurëse me seli në Uashington, vlerëson se të paktën 10 shtete humbasin më shumë se 100 milionë dollarë në vit të ardhura tatimore për shkak të lehtësimeve tepër bujare.
Sigurisht, mundet që këto parashikime të mos realizohen, ose që afatet të mos jenë korrekte.
The post Në 6 vjet, ndërtimi i qendrës kryesore të të dhënave për IA mund të kushtojë 200 miliardë dollarë appeared first on Revista Monitor.









