Konsumi i karburanteve është përmirësuar dukshëm në 2024-n, i ndikuar nga dy faktorë.
Së pari, numri i mjeteve në qarkullim është rritur ndjeshëm. Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor tregojnë se numri i mjeteve aktive në qarkullim, në fund të vitit 2024, arriti në gati 960 mijë, nga 676 mijë në vitin 2020.
Vetëm në 2024-n u regjistruan një numër rekord prej gati 100 mijë mjetesh, pas “zbulimit” të një tregu të ri blerjeje, atij të Koresë së Jugut, që ishte origjina e importeve për 19% të mjeteve të regjistruara për herë të parë.
Së dyti, ecuria pozitive e turizmit është një tjetër faktor që ka rritur qarkullimin e mjeteve dhe kërkesën për karburant, duke nxitur dhe zhvillimin e tregut të makinave me qira.
Burimi: INSTAT
Për të dytin vit radhazi, në 2024-n, importi i karburanteve ishte me rritje, pas tkurrjes me 9% që shënuan në vitin 2022, si rrjedhojë e rënies së konsumit nga çmimet e larta. Në 2024-n, importet arritën në 657 mijë tonë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, me një rritje prej 7% me bazë vjetore.
Konsumi u rimëkëmb nga ulja e çmimeve, teksa u nxit më tej edhe nga ardhja e një numri të lartë turistësh në vend.
Burimi: Ministria e Financave
Në vitin 2024, qarkullimi vjetor i 21 shoqërive më të mëdha të tregtimit me shumicë e pakicë të hidrokarbureve ishte 279 miliardë lekë, me rritje prej 9.1% me bazë vjetore, pas tkurrjes prej 15% vitin e mëparshëm.
Ndryshe nga 2023-shi, kur çmimet ishin në rënie, në 2024-n ato qëndruan më stabël dhe rritja e të ardhurave është si rrjedhojë e përmirësimit të konsumit.
Në një pjesë të madhe, xhiroja e kompanive rritet fiktivisht duke kaluar nga një subjekt në tjetrin, për pasojë të tregtimit me dy nivele (me shumicë e me pakicë) në mënyrën se si është i strukturuar tregtimi i karburanteve në Shqipëri sot.
Tre sipërmarrje në fushën e tregtimit me shumicë të hidrokarbureve renditen ndër 10 më të mëdhatë e “Monitor 200” në vitin 2024, nga katër në 2023.
“Kastrati Energy Trade”, (ish-“Kastrati Group”) që kryen tregtimin me shumicë të hidrokarbureve, është pozicionuar prej vitesh si operatori më i madh në tregtimin e naftës.
Në vitin 2024, “Kastrati Energy Trade” raportoi një qarkullim prej 77.6 miliardë lekësh (+9.4%), rreth dy herë më të lartë se konkurrenti i dytë në listë.
“GEGA OIL GROUP” qarkulloi 35.4 miliardë lekë (-2.8%). Sipas raportit të aktivitetit, gjatë vitit 2024, shoqëria “GEGA OIL GROUP SHA” ka shitur Diesel në sasinë 317 milionë litra, benzinë në sasinë 40 milionë litra, Jet Al në sasinë 367 mijë litra.
Sasia totale e karburanteve në litra tregtuar për vitin 2024 është 357 milionë litra, ose 10.5 milionë litra më shumë. Për Diesel, 53% e shitjeve janë kryer në tregun e brendshëm, ndërsa për benzinën, tregu vendas zuri 87% të shitjeve (pjesa tjetër është eksport ose zonë e lirë).
Për vitin 2024, në shoqërinë “GEGA OIL GROUP SHA” kanë qenë mesatarisht 51 të punësuar në muaj. Paga mesatare bruto mujore për një të punësuar për vitin 2024 ishte 108 mijë lekë.
“Europetrol Durrës Albania” raportoi të ardhura prej 28.2 miliardë lekësh (+27.7%).
“Kastrati Energy”, që kryen tregtimin me pakicë të shoqërisë sha “Kastrati Energy Trade”, deklaroi të ardhura prej 18.3 miliardë lekësh (-8.7%). Sipas raportit të aktivitetit, shoqëria ka shtuar ndjeshëm numrin e punonjësve në 2024-n, nga 629 në 813, ndërkohë që numri i pikave u ul në 84, nga 87 në vitin 2023.
Në vend të pestë është “Bolv Oil”, me të ardhura 15 miliardë lekë, me rritje prej 17.2% në raport me një vit më parë. Sipas raportit vjetor, 91% e të ardhurave janë nga shitja e karburanteve dhe pjesa tjetër nga investimet e qiratë. “Olsi” sh.p.k., operatori tjetër i grupit, që tregton karburante me pakicë, shënoi rritje me 6.6%, në 6.8 miliardë lekë.
“Eroil”, operatori i gjashtë më i madh pas “Bolv Oil”, raportoi të ardhura prej 11.7 miliardë lekësh, me rritje prej 21.4%.
“Europetrol Export”, në pronësi të “Europetrol Group sha”, raportoi më se dyfishim të të ardhurave në vitin 2024, në gati 10 miliardë lekë. Shoqëria ka si aktivitet tregtinë me shumicë të naftës brut dhe nënprodukteve të veta, si dhe import dhe eksport.
“Tenet”, me aktivitet në transportin dhe tregtimin me shumicë të naftës e gazit, shënoi të ardhura 9.8 miliardë lekë, me rritje prej 34%. Kompania është 50% në pronësi të “Kastrati Energy Trade” dhe 50% nga “Vitriol”.
Sipas raportit vjetor, faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e të ardhurave janë njohja e kërkesave të tregut të brendshëm dhe të jashtëm, rritja e performancës së shoqërisë, që sjell shtimin e volumit të shitjeve, si dhe politikave menaxheriale të kompanisë.
“Skënderi G”, tregtuesi me pakicë i “Europetrol”, qarkulloi rreth 9 miliardë lekë, sipas të dhënave paraprake nga tatimet.
Renditja vijon me “Nosta Oil”, me të ardhura prej rreth 6 miliardë lekësh.
“Al.Global Oil”, me të njëjtën pronësi si “Europetrol Durrës Albania”, që bleu rafinerinë e bitumit të ARMO-s disa vite më parë, ka raportuar të ardhura 4.2 miliardë lekë, me rënie prej 15.8%, nga aktiviteti i shitjes së bitumit.
Ndryshe nga pesha në qarkullimin vjetor, sipërmarrjet e tregtimit të karburanteve kanë pak ndikim në ekonomi, si në drejtim të punonjësve, ashtu edhe vlerës së shtuar. Kontributi më i madh është në pagesën e TVSH-së, ndërsa norma e fitimit e deklaruar është shumë e ulët, mesatarisht 1-2%.
Në tregtimin e gazit, shoqëria më e madhe është “AV International Group”, që raportoi të ardhura prej 15.7 miliardë lekësh në vitin 2024, me tkurrje 2% me bazë vjetore.
Burimi: Ministria e Financave
Prodhuesi shtetëror i naftës
“Albpetrol”, shoqëria me kapital shtetëror që realizon operacione hidrokarbure, nëpërmjet shfrytëzimit dhe zhvillimit të zonave ekzistuese naftëmbajtëse dhe ato gazmbajtëse të vendit, kërkimeve të reja dhe zhvillimit të blloqeve në administrim, si dhe shfrytëzim të rërave bituminoze, ka raportuar të ardhura prej 11.9 miliardë lekësh, nga të gjitha aktivitetet e saj, me një rënie të lehtë prej 0.7% me bazë vjetore.
Sipas raportit të aktivitetit, shoqëria ushtron veprimtari në vendburimet e naftës në zonat Kuçovë, Patos, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul, Amonicë-Gorisht dhe Karbunarë.
Për vendburimet e gazit, në zonën Cakran-Mollaj, Kuçovë dhe vendburimi i rërës bituminoze Kasnic-Fier.
Të ardhurat sigurohen nga aktiviteti prodhues i vetë shoqërisë dhe nga zbatimi i marrëveshjeve hidrokarbure, të cilat i japin kompanisë shtetërore një pjesë të prodhimit.
Prodhimi i naftës gjithsej nga veprimtaria e vetë shoqërisë “Albpetrol” sha dhe nga zbatimi i Marrëveshjeve Hidrokarbure për vitin 2024, është realizuar në vlerën 106,624 tonë, ose rreth 95% e programit.
Nga aktiviteti i vetë shoqërisë “Albpetrol” sha, prodhimi i naftës është realizuar 70,248 tonë kundrejt 75,396 tonë të programuar ose 93.2%, me një mosrealizim prej 5,148 tonësh naftë.
Shoqëria i tregton prodhimet hidrokarbure në tregun vendas dhe aplikon ankandin si metodë për lidhjen e kontratave.
Sipas raportit të aktivitetit, me zhvillimin e ankandit të naftës dhe lidhjen e kontratës së shitjes në muajin qershor me bashkimin e operatorëve “RBH Belinë” sha & “Europetrol Durrës Albania” sha, shoqëria filloi punën intensive për evadimin e sasisë së naftës së grumbulluar në depozitat dhe shitjen e saj.
Në 2024-n janë shitur 115.7 mijë tonë naftë. Nafta e prodhuar nuk është e një cilësie të mirë, ndaj shitet me zbritje në krahasim me treguesin referencë ndërkombëtar, Brent.
Shitja e naftës gjeneron 65-70% të të ardhurave të kompanisë, pjesa tjetër vjen nga shitja e gazit të prodhuar dhe furnizimit me energji, kryesisht për nënkontraktorët e operacioneve hidrokarbure dhe klientë të tjerë të kualifikuar.
Lexoni edhe:
200 VIP-at e 2024-s; Në “kurthin” e punonjësve
The post Nafta, rritet tregu e konsumi appeared first on Revista Monitor.








