Mirëmbajtja e sistemit të Thesarit për një periudhë 2-vjeçare pritet t’i kushtojë buxhetit rreth 2 milionë euro. Të paktën kështu rezulton nga një procedurë prokurimi e hapur nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për llogari të Ministrisë së Financave. Procedura me objekt kontrate “Mirëmbajtje e Sistemit të Thesarit dhe Blerje Licencë Oracle për Ministrinë e Financave” ka një fond limit prej 207 milionë lekësh.
Sipas termave të referencës, qëllimi i këtij shërbimi është sigurimi i një kontrate suporti dhe mirëmbajtjeje për sistemin e Thesarit dhe infrastrukturën mbështetëse në qendër (HQ) dhe në Qendrën e Vazhdimësisë së Biznesit (BCC), si dhe për infrastrukturën e rrjetit implementuar (hostuar) në ambientet e dhomës së serverëve të Ministrisë së Financave, ambientin e BCC dhe degëve të Thesarit – TDO (Treasury District Office) nëpër rrethe, si dhe infrastrukturës së rrjetit LAN të Aparatit të Ministrisë së Financave.
Konkretisht, objekti kryesor i këtij shërbimi është mirëmbajtja e Sistemit të Thesarit dhe infrastrukturës në çdo komponent të tyre, me qëllim sigurimin e vazhdimësisë së punës dhe mbështetjen e të gjitha komponentëve dhe shërbimeve të ofruara nga këto infrastruktura.
Komponentët kryesorë, objekt i mirëmbajtjes së kësaj kontrate, janë:
- Sistemi i Thesarit Oracle E-Business Suite R12 (12.1.3) me të gjithë komponentët përbërës të tij, si për application tier dhe database tier
- Komponentët hardware dhe software mbi të cilët mbështetet sistemi financiar i Thesarit të Ministrisë së Financave;
- Sistemet operative të instaluara në hardware-in e infrastrukturës së Sistemit të Thesarit;
- Të gjitha ndërfaqet për integrim me ESB të Sistemit të Thesarit;
- Ndërfaqet në modulin Purchasing (PO) dhe Payables (Faturë/Pagese) të Sistemit të Thesarit për ekspozim drejt Sistemit të Menaxhimit të Kontratave (SMK);
- Komponentët e infrastrukturës fizike (siti qendror dhe BCC);
- Moduli i infrastrukturës së rrjetit Edge të Ministrisë së Financave;
- Moduli i infrastrukturës së rrjetit qendror të Ministrisë së Financave;
- Infrastruktura e siteve remote (degët e Thesarit);
- Infrastruktura e rrjetit të dhomës së serverëve të MF;
- Infrastruktura e rrjetit në ambientin e BÇ për Sistemin e Thesarit.
The post Mirëmbajtja e Thesarit për dy vjet, Financat 2 mln euro për shërbimin appeared first on Revista Monitor.








