Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi në Komisionin e Bujqësisë se programi IPARD III, i pezulluar që prej vitit 2023, do të rihapet në vitin 2026.
Sipas tij, qeveria po përmbush masat e kërkuara nga Komisioni Europian pas parregullsive të konstatuara në fazën e dytë të programit, dhe pritet që fondet të zhbllokohen pas vlerësimit të plotë nga DG Agri.
“IPARD ka qenë i suksesshëm edhe në fazën e parë edhe në fazën e dytë. Për shkak të disa parregullsive që u identifikuan në fazën e dytë, Komisioni Evropian nëpërmjet DG Agri, la disa masa të cilat duhet t’i përmbushte qeveria shqiptare, masa të cilat ne jemi duke i përmbushur dhe që jam shumë optimist.
Megjithatë më shumë informacion besoj do t’ju japi dhe ministri i linjës në lidhje me këtë çështje që i IPARD III, do të hapet gjatë vitit 2026. Dhe në varësi të diskutimeve dhe të vlerësimit të përmbushjes së masave që ka bërë qeveria shqiptare, ky program besoj që do të jetë një kontribut shumë i madh për bujqësinë shqiptare”, deklaroi ministri.
Në gusht 2023, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) konstatoi shkelje të rënda dhe keqpërdorime të fondeve të programit IPARD II, pas hetimeve të nisura mbi denoncime të qytetarëve për korrupsion, favorizime dhe ndërhyrje politike.
The post Ministri i Financave: IPARD III do të hapet gjatë vitit 2026 appeared first on Revista Monitor.










